Mbrojtja kërkon lirimin e Salih Mustafës nga paraburgimi, ZPS e kërkon vazhdimin e masës në fjalë

Salih Mustafa 2
Author

Raporton: Medina Kadriu

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Përderisa mbrojtja ka kërkuar lirimin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, nga paraburgimi, të kundërtën e ka kërkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

Kështu është bërë e ditur përmes dokumentit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në parashtresën e mbrojtjes thuhet se gjatë kohës kur Mustafa ka jetuar në Kosovë, asnjëherë nuk është dënuar për ndonjë krim dhe rrallë e ka lëshuar vendin e tij të lindjes.

Sipas mbrojtjes, gjatë gjithë këtyre viteve, asnjë deklaratë nuk ka qenë se i njëjti është i involvuar në ndonjë krim të caktuar.

“Është vetëm në hetimin e ZPS-së që disa prova inkriminuese janë paraqitur dhe të njëjtat duhet të shqyrtohen nga gjykatësi paraprak”, thuhet në parashtresë.

Mbrojtja ka konsideruar se këtyre provave të pretenduara, të zbuluara kohëve të fundit në materialin e çështjes, deri më sot nuk u është testuar vërtetësia deklaratave të zbuluara.

“As një gjyqtar e as mbrojtja nuk kanë mundur të testojnë vërtetësinë e deklaratave. Për më tepër, deri më tani ZPS nuk i ka mbështetur pretendimet që bëhen në deklaratat inkriminuese”, thuhet tutje.

Sipas mbrojtjes, edhe pse gjykatësi paraprak nuk ka asnjë detyrim të nxjerrë ndonjë konkludim për meritat e deklaratave, mbrojtja beson dhe parashtron se gjykatësi paraprak, në rast të prolongimit të paraburgimit të akuzuarit, duhet të kërkojë nga ZPS që të sigurojë prova më të forta dhe objektive, sesa deklaratat.

Mbrojtja ka thënë se sa më gjatë që i akuzuari privohet nga një nga të drejtat bazike të njeriut, lirisë, është e rëndësishme që ZPS nuk duhet të mbështetet vetëm në deklaratat që kërkojnë vazhdimin e paraburgimit, e as që paraburgimi të zgjatet pa material shtesë dhe në mungesë të këtij materiali, i akuzuari duhet të lirohet.

“Ndryshe, në mungesë të materialit shtesë, prolongimi i paraburgimit duhet të ndalohet për akuzat, për të cilat materiali shtesë nuk është prezantuar”, thuhet në parashtresë.

Sipas mbrojtjes, është fakt se i akuzuari është shtetas i Kosovës dhe ka vendbanimin në Kosovë, ka bashkëpunuar me ZPS dhe ka shkuar vullnetarisht në Hagë që të intervistohet nga ZPS.

Tutje, thuhet se në asnjë mënyrë ai nuk ka qenë jo bashkëpunues e as nuk ka bërë diçka që të dëmtoj hetimet e ZPS-së.

Mbrojtja ka pretenduar asnjë incident nuk është raportuar apo nuk është vënë në materialin e çështjes dhe nuk ka asnjë bazë që i akuzuari do të vepronte në atë mënyrë nëse do të lirohej.

Kurse, sipas ZPS-së, në urdhër arrest, gjykatësi paraprak ka konsideruar se dijenia e të akuzuarit për akuzat, dijenia e tij për raportimet publike e dënimeve të komandantëve të zonave të Llapit, punësimi i tij brenda inteligjencës në Kosovë dhe aftësia e tij për të udhëtuar lirshëm kanë demonstruar se ai ka nxitjen dhe mjetet për tu arratisur.

Tutje, thuhet se tani nxitja e tij për të ikur është edhe më e madhe se sa në kohën e urdhrit të arrestit, pasi ka pranuar aktakuzën dhe materialet mbështetëse e materiale tjera që ZPS mund të vendosë t’i përdor në gjykim.

Gjithashtu, thuhet se ka risk të lartë se i njëjti mund të ndikojë te dëshmitarët dhe viktimat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, thuhet se si është gjetur nga gjykatësi paraprak, mburrja e të akuzuarit në publik për ekzekutimin e serbëve në Prishtinë më 14 qershor 1999, ka demonstruar një risk se i njëjti mund të kryej dhunë fizike, kërcënime ndaj viktimave dhe dëshmitarëve.

Ndryshe, me 28 tetor, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja.

Më 28 shtator Salih Mustafa nuk kishte pranuar të deklarohet për akuzat që lidhen me krime lufte në Kosovë.

Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi