Mbrojtja kërkon lirimin derisa Prokuroria kërkon dënimin e Lenjanit që s’e kishte deklaruar biznesin e gruas

Raporton – Albina KRASNIQI

Prishtinë – Prokuroria ka kërkuar dënimin e Basri Lenjanit, i akuzuar për mosraportim të pasurisë, ndërsa mbrojtja ka kërkuar nga trupi gjykues lirimin e tij.

Një deklarim të tillë, prokurori Bekim Kodraliu dhe mbrojtësja e të akuzuarit Lenjani, avokatja Ardita Morina e kanë dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i akuzuari Lenjani ka deklaruar se të gjitha të hyrat shtesë të tij janë deklaruar përmes sistemit bankar dhe se nuk ka qenë i qëllimshëm mosdeklarimi i biznesit të bashkëshortes së tij.

“Të gjitha të hyrat shtesë janë deklaruar përmes sistemit bankar, sa i përket biznesit të bashkëshortes, kam kërkuar falje publike për shkak të angazhimeve në shërbimin emergjent në klinikë, nuk ka qenë e qëllimshme për shkak se kemi punu në një gjendje të pandemisë”, ka thënë Lenjani.

I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Kodraliu ka deklaruar se të gjitha të ardhurat shtesë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kolegji janë të ardhura që kanë kaluar nga sistemi bankar dhe janë tatimuar.

“Të gjitha të ardhurat dhe atë shtesë të adresuar nga Ministria e Shëndetësisë, Kolegji i shkencave mjekësore “Rezonanca” janë para të cilat janë tatimuar dhe kanë kaluar përmes sistemit bankar, shteti ka pasur qasje”, ka thënë i akuzuari Lenjani.

Tutje, i akuzuari Lenjani ka thënë se është e vërtetë që nuk ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, “OS-Oral Dent”, mirëpo kjo ka qenë e paqëllimshme.

“Po e vërtetë, e paqëllimshme ka qenë dhe kam kërkuar falje publike”, ka deklaruar Lenjani.

Gjithashtu, i njëjti ka thënë se kjo çështje është përgatitur për shkak të zgjedhjeve të drejtorëve që kanë pasur të ndodhin.

“Unë mendoj se kjo është përgatitur me kohë për shkak të zgjedhjeve e të drejtorëve që kanë pasur të ndodhin në shërbimin spitalor klinik”, deklaroi i akuzuari Lenjani.

Prokurori Kodraliu, në fjalën e tij përfundimtare, ndër të tjera ka thënë se nuk qëndron pretendimi i të akuzuarit Lenjani që ka bërë një lëshim dhe ka harruar që ta deklarojë biznesin e bashkëshortes së tij pasi që i njëjti deklarimin e pasurisë tanimë e bënë për më shumë se 15 vite.

“Për më shumë, i pandehuri deklarimin e pasurisë e ka bërë për më shumë se 15 vite radhazi dhe arsyetimi i tij se ka bërë një lëshim dhe ka qenë harresa për deklarimin e biznesit të bashkëshortes së tij nuk qëndrojnë”, ka thënë prokurori Kodraliu.

I njëjti ka deklaruar se është vërtetuar që i akuzuari Lenjani ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Prokurori Kodraliu ka propozuar që të akuzuarin Lenjani ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit duke marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Në anën tjetër, avokatja Morina në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se aktakuza nuk ka bazë ligjore për shkak se i mbrojturi i saj nuk ka pasur mundësi të deklarojë pasurinë si pasojë e pandemisë.

“E kundërshtoj në tërësi aktakuzën ngase nuk ka kurrfarë bazë ligjore për shkak se i mbrojturi im për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme pandemisë i njëjti nuk ka pasur mundësi të deklaroj ën tërësi”, ka deklaruar avokatja Morina.

Sa i përket biznesit të bashkëshortes së të akuzuarit Lenjani, avokatja Morina tha se mosdeklarimi ka qenë një lëshim i paqëllimshëm.

E njëjta gjithashtu ka propozuar që i akuzuari Lenjani të lirohet nga dënimi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet më 6 qershor 2022.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 maj 2022  i akuzuari Lenjani është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë. 

Aktakuza e përpiluar në qershor të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Basri Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Aty thuhet se i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS Oral Dent”

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar .

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë