MBROJTJA KËRKON HUDHJEN E AKTAKUZËS PËR RYSHFET NDAJ BEKIM RAMAJT

Raporton: Ramiz VELIU

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të enjtën, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Bekim Ramajt i akuzuar për veprën penale marrja e ryshfetit.

Në seancën paraprake është bërë kundërshtimi i aktakuzës nga mbrojtja e të akuzuarit, ndërsa në seancën e së enjtës, prokurorja Sahide Gashi tha se qëndron prapa aktakuzës, e cila sipas saj, mbështetet në prova dhe dëshmi relevante dhe se mbrojtja nuk ka ofruar asnjë dëshmi apo propozim konkret për rrëzimin e saj.

Mbrojtja e të akuzuarit Bekim Ramaj edhe më tej mbetet pranë kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës për shkak sipas tyre në këtë aktakuzë nuk ka prova të mjaftushme se në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale. Sipas mbrojtjes kjo ka qenë një montim nga të dëmtuarit, dëshmitarët, të cilat mbrojtja pretendon se janë tërësisht në kundërthënie.

Gjykata ka vendosur të shtyjë shqyrtimin gjyqësor për një kohë të pacaktuar derisa të vendos në lidhje me kundërshtimin e mbrojtjes së të akuzuarit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë