Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj ish-kryetari i bordit dhe ish-drejtori ekzekutiv i AGK-së, prokuroria thotë se ka prova

20210408_085419
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 8, 2021

Prishtinë –  Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi i dytë në rastin ku po akuzohet Arben Salihu, në cilësi të drejtorit ekzekutiv në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Zikerja Shabani në cilësi të kryetarit të bordit të këtij asociacioni.

Salihu po akuzohet për katër vepra penale dhe atë “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Europian”, “konflikt interesi” dhe “përvetësim në detyrë”. Kurse, Shabani për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorim besimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Naser Foniqi, bëri të ditur se prokurorja Dulina Hamiti ka kthyer përgjigje me shkrim  sa i përket kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të parashtruar nga avokati Valon Hasani, mbrojtës i Arben Salihut.

Kurse, sa i përket kërkesës së avokatit Arianit Koci, që mbron të akuzuarin Shabani, prokurorja po këtë ditë të mbajtjes së seancës e kishte pranuar shkresën, por e njëjta bëri të ditur se mund të deklarohet edhe lidhur me këtë kërkesë për hudhje të aktakuzës e kundërshtim të provave gjatë seancës.

Prokurorja Hamiti për këtë kërkesë deklaroi se e kundërshton në tërësi kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga avokati i  të akuzuarit Zekrija Shabani.

“Ngase konsiderojmë se kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave është e pa mbështetshme dhe e pabazuar, kurse aktakuza e ngritur nga ana e prokurorisë është e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme dhe e ngritur konform dispozitave ligjore, të cilat prova dhe dëshmi i kemi propozuar në aktakuzë që të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo deklaroi se prokuroria mbetet në pranë aktakuzës të ushtruar kundër të pandehurit Arben Salihu dhe Zekrija Shabani për veprat penale, për të cilat janë akuzuar si në aktakuzë.

“Dhe i propozojmë gjykatës që kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të parashtruara nga avokatët mbrojtës të refuzohen si të pabazuara”, tha në fund prokurorja Hamiti.

Ndërkaq, avokati Arianit Koci tha se prokuroria nuk po i përmbush obligimet nga neni 7 dhe neni 48 të Kodit të Procedurës Penale.

“Dhe nuk i ka vërtetuar faktet që shkojnë në favor të mbrojturit tim, siç e pamë kërkesën për hudhjen e aktakuzës posa e ka pranuar prokuroria dhe e kundërshtoj pa i dhënë vetes kohë që të analizoj të njëjtën.  Me prokurorinë nuk jemi kundërshtar, por dy palë që e ndihmojmë gjykatën që të zbardhet e vërteta”, ka thënë avokati Koci.

Kurse, avokati Hasani, gjatë seancës u pajis me përgjigjen me shkrim të prokurorisë lidhur me parashtrimet e tij dhe deklaroi se qëndron në tërësi pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës.

“Duhet të cekim se prokuroria sa i përket përvetësimit të mjeteve që pretendon se i ka kryer Arben Salihu, këtë pretendim e mbështet në raport të auditorit të BDO, i cili në fakt ka krejt tjetër qëllim. Auditimi nga BDO është bërë për të vlerësuar nëse mjetet nga ana e AGK-së janë shfrytëzu në përputhje me kontratën nga ana e AGK-së, në asnjë pikë të këtij raporti, nuk thuhet se Arben Salihu i ka përvetësu për vete këto 9 mijë e 900 euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, raporti thotë se këto mjetet nuk janë përdorur në përputhje me kontratën të nënshkruar mes AGK dhe KCSF.

“Ky raport në shkresat e lëndës është vetëm në gjuhën angleze dhe ne nuk kemi problem sepse edhe i akuzuari e kupton gjuhën angleze, por nuk e di si e ka kuptuar prokuroria esencën e atij raporti të auditimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo provë e prokurorisë, nuk e thotë që i mbrojturi i tij ka përvetësuar paratë.

“Prova e prokurorisë nuk e thotë që i ka përvetësu paret, është bërë me qëllime tjera, nuk është bërë me vërtetu që Arbeni i ka përvetësu këto pare apo jo, nuk ka të bëj me auditimin e Arben Salihut, prokuroria ja ka huq komplet këtu e paraqet një provë që s’ka të bëj me këtë çështje”, ka thënë Hasani.

Gjykatësi Foniqi ka pyetur prokuroren Hamiti nëse raporti për të cilin pretendon avokati Hasani se është në gjuhën angleze, a është i përkthyer në gjuhën shqipe.

“Ky raport është i bashkangjitur në shkresat e lëndës, nuk jam e sigurt a o e përkthyer, nëse është i papërkthyer, ne do ta përkthejmë te përkthyesi”, ka thënë prokurorja Hamiti.

Ndryshe, me 4 mars, kur ishte mbajtur seanca fillestare e të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, para leximit të aktakuzës, prokurorja Merrushe Llugiqi kishte thënë se pas konsultimit me prokuroren e çështjes penale dhe udhëzimeve të saj bën precizimin e dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze.

“Ashtu që në rendin e parafundit ashtu që në rendin e parafundit të këtij dispozitivi, pos fjalës donatorëve t’i shtohet teksti Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile dhe vazhdohet teksti i pandryshuar”, kishte thënë ajo.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 31 korrik 2019, Arben Salihu, në cilësinë e personit zyrtar Drejtor Ekzekutiv në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë periudhës kohore 2016-2017, e ka keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjell përfitim pasurore të kundërligjshëm. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që  donacionet- grantet, të cilat i ka marrë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF) në bazë të kontratës GRANTI DSP II GI-17 të datës 26 gusht 2016, të cilën kontratë e ka lidhur i pandehuri i lartcekur me KCSF, me ç’rast Salihu një pjesë të donacioneve-granteve të cilat i kanë marrë nga KCSF, në bazë të kontratës së lartcekur, i ka marrë për veti në mënyrë të kundërligjshme dhe atë në shumën prej 9,998,80 euro, me ç’rast të dëmtuarës KCSF i ka shkaktuar dëm në vlerën e lartcekur.

Me ketë akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar Drejtor Ekzekutiv në Asociaionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë periudhës kohore 2016-2017, ka manipuluar me kontratën e punonjëses Florina Desku të këtij asociacioni, kontratën e punës të datës 1 janar 2016 e lidhur mes Asociacionit të Gazetarëve Profesionit të Kosovës, si punëdhënës, e nënshkruar nga tani i pandehuri në cilësinë e lartcekur dhe Florina Desku, zyrtare për financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 262.50 euro bruto dhe kontratën e punës e datës 1 shtator 2016, e lidhur mes AGK si punëdhënës, e nënshkruar nga i pandehuri në cilësinë e lartcekur  dhe nga ana e Deskut si zyrtare për financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 525 euro bruto, duke prezantuar para anëtarë të bordit të këtij asociacioni kontrata me vlerë më të ulët të pagës, kurse kontratat me vlerë më të lartë të pagës i ka prezantuar para donatorëve KCSF-së, si arsyetim për shpenzimet e kryera për pagesat e punonjësve.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Europian”.

Sipas akuzës, i pandehuri Arben Salihu, në cilësinë e lartcekur, gjatë periudhës kohore 2016-2017, me qëllim që vetes apo vëllait të tij, Armend Salihut t’i sjell interes financiar, në atë mënyrë që i lartcekuri Arben Salihu me datën 25 dhjetor 2016, ka lidhur kontratë për ofrimin e shërbimeve të riparimit të pajisjeve të TI me vëllain e tij Armend Salihu, serviser për Teknologji Informative, me ç’rast  Armend Salihut i është bërë pagesa me datën 10 janar 2017 në shumë prej 205 euro dhe atë në shumë prej 190.16 euro me datën 18 janar 2017 dhe me datën 9 mars 2017 i ka bërë pagesën prej 190.16 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”.

Tutje, thuhet se në cilësinë dhe periudhën kohore të cekur në dispozitivat më lartë, i njëjti me qëllim që t’i sjell vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme një pjesë të donacioneve-granteve të cilat i kanë marrë nga KCSF në bazë të kontratës Granti DSP II GI-17 të datës 26 gusht 2016 dhe atë në shumën prej 9,998, 80 euro.

Me këtë akuzohet ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Kurse, i pandehuri Zikerja Shabani, në cilësinë e personit zyrtar- Kryetar i AGK-së, gjatë periudhës kohore 2016 thuhet se e ka keqpërdor pozitën apo autoriteti zyrtar, në atë mënyrë që deri sa ishte në cilësinë e lartcekur ka nënshkruar kontrata të punësimit me vlera të ndryshme të pagës për të pandehurin Arben Salihu, kontratën e punës e datës 1 janar 2016, e lidhur mes Asociacionit të Gazetarëve Profesionit të Kosovës, nga Shabani në cilësinë e lartcekur si punëdhënës dhe nga Arben Salihu me pozitë drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, me vlerë të pagës mujore 1,185 euro dhe kontratën e punës e datës 1 janar 2016, e lidhur mes të Asocacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës nga kryetari i Bordit tani i pandehuri Zekrija Shabani si punëdhënës dhe nga ana e punëmarrësit tani i  pandehuri Arben Salihu me pozitë Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, me vlerë të pagës mujore 1150 euro bruto.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, i pandehuri Shabani, sipas aktakuzës, pasi që e ka përfunduar mandatin e tij si kryetar i Bordit të AGK-së në vitin 2016, i njëjti duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ka tërhequr mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme nga xhirollogaria e AGK-së, me datën 6 qershor 2016 ka tërhequr shumën  e të hollave në vlerë prej 800 euro dhe me datën 6 korrik 2016 ka tërhequr shumën e parave prej 800 euro, me datën 5 shtator 2016 shumën prej 1350 euro, që në total janë 2,850 euro, të cilat i ka tërhequr nga xhirollogaria e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i besimit. /BetimipërDrejtësi