Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës në rastin e ish–drejtorit të ish–Kasabankës i akuzuar për “përvetësim në detyrë”

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Mbrojtësi i të akuzuarit Ismajl Rudari, avokati Naser Sopjani i ka dorëzuar me shkrim gjykatës kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Ndërkaq lidhur me këtë kërkesë, prokuroria e çështjes Fikrije Fejzullahu tha se të njëjtën e konsideron totalisht të pabazuar për faktin se prokuroria ka ofruar mjaft prova, administrimi i të cilave do ta vërtetojë tezën e aktakuzës gjatë gjykimit.

Sopjani tutje shtoi se dëshiron të informohet lidhur me sigurimin e ndonjë shkrese eventuale rreth lëndës së hetimit. Sipas tij përfaqësuesi i palës së dëmtuar e që në këtë rast është NLB Banka, ka realizuar kërkesë për kompensim të dëmit përmes padisë civile, e cila kërkesë është refuzuar. Sipas Sopjanit ky fakt vërteton se në kjo lëndë ka të bëjë me çështje juridike civile e jo penale. Ndërkaq lidhur me këtë përfaqësuesja e NLB Bankës, bëri të ditur se procedura civile nuk ka përfunduar mirëpo është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktvendim për pezullimin e procedurës deri në zgjedhjen e çështjes penale.

Në anën tjetër prokuroria Fejzullahu tha se procedura civile nuk i arsyeton veprimet inkriminuese sipas aktakuzës, prandaj i propozoi gjykatës që të caktohet shqyrtimi gjyqësor.

Gjykatësi i kësaj çështje Valon Kurtaj, tha se pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, do t’i njoftojë të gjithë palët në procedurë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ismajl Rudari gjatë periudhës kohore 2003 – 2015 në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës së bankës NLB, ka përvetësuar pasurinë e të njëjtës duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 305.420,71.

Sipas aktakuzës, Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private duke përfshirë: NTPSHP ”Beargo”, me seli në Pejë, në vlerë prej 159.193,83 euro, NTP “Irsija Cos, me seli në Lipjan, në shumën prej 8.169 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15.692,85 euro, NT “xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë në vlerë prej 91.013,69 euro, NTP “Altini Comerc, me seli në Lipjan, në vlerë prej 6604.16 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë