Prishtinë – Në seancën e shqyrtimit të dytë, avokati mbrojtës Afrim Salihu ka parashtruar kërkesën për hudhje të aktakuzës, për të akuzuarin Nexhmi Ejupi, i akuzuar për veprat penale kontrabandim me migrant dhe dhënie e ryshfetit.
Avokati Salihu kërkoi nga gjykata që të hedhë aktakuzën, për faktin se e njejta është e pabazuar dhe nuk ka prova që e mbështesin faktin se në rastin konkret kemi të bëjmë më kontrabandim.
Në anën tjetër, prokurorja e rastit Habibe Statovci-Salihi, duke u përgjigjur në kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës tha se aktakuza është hartuar në harmoni me dispozitat ligjore dhe ka mbështetje të mjaftueshme në prova, për të vërtetuar kryerjen e veprës penale nga i akuzuari.
Tutje, prokurorja Statovci-Salihi deklaroj se personat që kanë qenë në veturën e të akuzuarit tashmë e kanë arritur qëllimin e tyre final, daljen jashtë shtetit dhe tani gjenden në vendet e Europës, që vërteton kryerjen e veprës penale me të cilën i akuzuari ngarkohet në aktakuzë.
Gjyqtari i rastit Beqir Kalludra i njoftoi palët se me aktvendim do të vendosë lidhur me kërkesën e mbrojtes, ndërsa seancën e ardhshme do t’a caktoj pasi që aktvendimi të marr formën e prerë.
Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Nexhmi Ejupi ngarkohet me veprën penale trafikim me migrant, pasi që ka tentuar që katër persona t’i kaloj nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë, e më pastaj të njejtit të shkojnë në drejtim të vendeve europiane, e gjitha në këmbim të shumës monetare. Gjithashtu, i njejti akuzuahet për tentim të dhënies së ryshfetit zyrtarëve doganor, me qëllim lehtësimin e kalimit të kufirit.