Mbrojtja e ZPS përplasen për nxjerrjen e materialeve në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Hashim
Author

Raporton: Medina KADRU

Korrik 21, 2021

Prishtinë – Me polemika të shumta është përcjellur diskutimi mes Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtjes, rreth nxjerrjes së materialeve gjatë konferencës së gjashtë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Fillimisht, prokurorja Claire Lawson ka deklaruar se ZPS vijon të jetë në ecuri të mirë në përputhje me nxjerrjen e materialeve.

“Pas konferencës së fundit janë nxjerrë 10 paketa të rregullës 102 (1) (b),  gjithashtu janë dorëzuar edhe dy kërkesa shtesë për masa mbrojtëse me 4 qershor dhe 8 korrik. Paketa të mëtejshme të rregullës 102 (1) (b) janë në përfundim e sipër dhe do të nxjerrën këtë javë, pjesa më e madhe e paketave kanë të bëjnë me deklarata të mëparshme që lidhen me prova materiale. Sa i takon nxjerrjes së materialeve të tjera, ZPS do ta ketë nxjerrë në përgjithësi materialin e rregullës 102(1) (b) me përjashtim të një numri të kufizuar të përjashtimeve konkrete që janë përmendur në parashtrimet tona me shkrim. Në parashtrimet tona me shkrim ka pas një kërkesë shtesë për masa mbrojtëse që prisnim të parashtrohet dhe do të dorëzohet nesër, ka të bëj me provat materiale të lidhura me dëshmitarët që janë kërkuar masa mbrojtëse dhe janë aprovuar masat mbrojtëse”, ka thënë ajo.

Sipas saj,  ka pasur një vëllim të madh provash të lidhura materiale diku rreth 2300 materiale të tilla dhe jo të gjitha kanë nevojë për redaktime, por si pasojë e volumit shqyrtimi i tyre ka përfunduar vetëm kohët e fundit.

“ ZPS nuk ka pas mundësi të parashtroj kërkesë me këto materiale deri tani, edhe pse janë të gatshme materialet, do të nevojitet kohë për të paraqitur kërkesën për gjykatën duke pas parasysh dhe afatet që kanë të bëjnë me çështjen dhe periudhën e pushimeve të gjykatës, ZPS bën kërkesë për zgjatjen e afatit deri me 26 gusht për të bërë një kërkesë të mëtejshme. Një sfide kryesore me nxjerrjen e materialeve këtë javë është teknike, po hasim në vështirësi sa i takon nxjerrjes së materialeve në Legal Ëork Floë. Sa i takon rregullës 102 (3), si ZPS jemi në ecuri për t’i vendosur në dispozicion njoftimin e rregullës 102 (b) nga data 31 korrik”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo deklaroi se sa i takon materialit të rregullës 102 (3) pas konferencës së fundit, katër paketa nxjerrjesh materialesh potencialisht shfajësuese janë nxjerrë.

“Sa i takon rregullës 107, ZPS punoi nga afër me organizatat ndërkombëtare për të marrë miratimin e tyre qoftë për të parë cilat janë masat kompensuese, deri tani kemi filluar të bëjmë kërkesa shumë diskrete, mendojmë se do të bëjmë edhe një kërkesë tjetër në bazë të njoftimit 102 (3) dhe njoftimit që del për këtë rregull. Sa u takon materialeve që kanë mbetur dhe që ka edhe një sërë kërkesash ndryshimi se a do të bëhen, këto kërkesa i janë bërë institucioneve përkatëse dhe paneleve përkatëse, sic mund të keni parë në aneksin e parashtrimit tonë, bëhet fjalë për një numër diskret të çështjes dhe për disa prej tyre kërkesat për ndryshim janë miratuar, për një numër jo të vogël të tyre.  Për kërkesat e tjera që kanë mbetur pa marrë përgjigje, nuk mund të japim ndonjë mendim se është jashtë kontrollit tonë, nuk e dimë kur do të merret vendim për to”, tha prokurorja Lawson.

Kurse, sa u takon marrjes së miratimeve, tha se edhe këtu bëhet fjalë për një vëllim të kufizuar materialesh dhe se janë përafërsisht 5 dëshmitarë ndërkombëtarë për të cilët nuk janë marrë miratimet.

“Kur bëmë parashtrimin tonë numri ishte 6 duke qenë se morëm miratimin por nuk morëm deklaratën e nënshkruar në një format të lexueshëm, pra numër i përafërt është 5.  Sa i takon dorëzimit të tyre, edhe kjo është jashtë kontrollit tonë për të dhënë një afat specifik për to. Sa i takon raporteve të ekspertëve, numri i tyre është tre dhe ka të bëj me materiale kriminalistike, materiali faktik bazë për të cilët do të bëhen këto ekspertiza është duke u nxjerrë brenda afatit këtë javë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit, u tha se janë në dijeni të angazhimit të ZPS-së që të dorëzojë materiale sipas rregullës 102 (1) (b) deri të premten dhe se kanë marrë qindra dokumente sa di unë dhe se u janë dhënë disa orë para konferencës dhe nuk kemi pas mundësi t’i shikojmë.

“Sa i përket materialeve që kanë të bëjnë me kërkesat për masa mbrojtëse, e dimë që keni dhënë afatin 4 qershor, disa kanë të bëjnë edhe me materialet që janë dorëzuar kohëve të fundit dhe dëshmitarë që nuk janë nxjerrë më parë. Këto materiale do të jenë subjekti i kërkesave në të ardhmen. Këto ende nuk janë nxjerrë, por shprehim shqetësimin tonë për dëshmitarët e ardhshëm shtesë, të cilat do të na jepen, për të cilët do të kërkohen masa mbrojtëse pas datës 4 qershor”, u tha nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit.

Ndërkaq, sa i përket raporteve të ekspertëve, thanë se shprehin çudinë e tyre  që ende janë në përgatitje këto raporte.

“Në nëntor, ZPS tha që nuk kishte asnjë arsye pse të mos fillonte gjyqi këtë muaj dhe tani po na thuhet se ende janë në përgatitje tre raporte ekspertësh dhe nuk do të jenë gati në afatin e caktuar, kërkojmë të jepni një afat të përcaktuar për cfarëdo raporti që të jenë të përfshira në dosjen paraprake të prokurorisë që mbrojtja të jetë në dijeni të provave që do të dorëzohen. Disa nga këto materiale, ZPS do të kërkoj që të  nxjerrë dokumente të plota deri në fund të gushtit, sa i përket këtyre u caktua fundi i majit, pastaj u shtye për në fund të kësaj jave dhe tani do të shtyhet edhe më shumë. Duam të vëmë në dukje që edhe kjo ka lidhje me parashtrimet tona dhe përgatitjet që do të bëjmë në të ardhmen”, u tha nga ekipi i Thaçit.

Ndërkaq, avokati Nick Caufmann, nga ekipi i mbrojtjes së Veselit deklaroi se kërkon nga ZPS që të veprojë në mënyrë të zellshme.

“Nuk është kjo mënyrë e zellshme e kryerjes së punës, janë pushtuar nga paniku dhe po na dorëzojnë materiale siç ju vie. Zonja Lawson sot paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente në bazë të rregullës 102 (1) (b), por nuk e ka përmendur se u dorëzuan me 30 qershor. Në qoftë se nuk është gjykatësi që kërkon konferenca mbi ecurinë e çështjes për të kërkuar llogari, ata nuk bëjnë asgjë. Me 17 dhjetor 2020, faqja 1999, përfaqësuesit e prokurorisë përcaktuan një afat nga maji, pastaj një afat tjetër që u shty, është shumë e rëndësishme për të pasur procedura të drejta dhe sidomos duke pas parasysh që të paraburgosurit janë ende në burg, këto ndryshime të afateve nuk janë të drejta. Shpresojmë që ZPS të jetë në gjendje të sqaroj dhe të na thotë nëse masat mbrojtëse që i kërkuan me 8 korrik dhe janë në kundërshtim me rregullat dhe vendimin e dhënë nga gjykatësi me 12 mars 2021, ky ka qenë parashtrimi 218 që i kërkonte prokurorisë t’i dorëzonte këto dokumente deri me 4 qershor”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga gjykatësi që t’ia bëj të qartë ZPS-së se nëse i shkelin afatet, materialet që i dorëzojnë me vonesë nuk do të pranohen.

“Janë këto kërkesat për miratim që ende nuk janë dhënë, materialet sipas rregullës 107, nuk janë trajtuar ashtu siç duhet, pra janë konfiskuar një numër materialesh, por ajo që dimë ne është se prokuroria thotë që po i trajton të gjitha këto çështje në mënyrë rigorize, por ne po pyesim nga prokuroria që të na sqarojë se sa materiale ka sipas rregullës 107, kur janë marrë, numrin e personave apo institucioneve që kanë dhënë këto informacione dhe çfarë masash kompensuese janë marrë prej tyre.  Prokuroria me sa duket nuk do të përmbush afatin që ka caktuar për materialet sipas rregullës 107, nëse do t’i përmbahemi rregullave, këto dëshmitarë nuk duhet të lejohen të japin dëshmi sepse prokuroria ka bërë kërkesa për shtyrje të afatit dhe është kërkesë plotësisht e paqartë. Sa i takon raporteve të ekspertëve, nuk ka justifikim të shtyhen. Këto raporte kanë të njëjtin status si deklaratat e dëshmitarëve, nuk ka të drejtë ligjore të dorëzohen më vonë”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati i Selimit, David Young, deklaroi se është e vështirë që mbrojtja të kuptoj se sa materiale do të nxirren në tërësi duke pas parasysh se si janë nxjerrë këto materiale një nga një dhe se mendojnë që tashmë kemi gjysmën e numrin të përgjithshëm të dëshmitarëve dhe duke pas parasysh edhe redaktimet që janë bërë.

“Ne duam që në gusht të shikojmë ku jemi me gjendjen duke pas parasysh se gjoja do të përfundoj dorëzimi i materialeve sipas rregullës 102 (1) (B), na duhet një listë e dëshmitarëve”, ka thënë Young.

Avokati i Krasniqit, Aidan Elis, deklaroi se se raportet e ekspertëve duhet të nxjerrën para datës përfundimtare dhe prokuroria po kërkon të shtyhet prapë.

“Çështja e provave që do të jepen nga dëshmitarët ekspertë nuk është dhënë nga prokuroria. Cila është baza për kërkimin e shtyrjes së afatit, çfarë është bërë nga prokuroria që të merren dëshmitë më herët. Ne po merremi me ngjarje që kanë ndodhur para 20 vitesh me rrethana që janë bërë hetime me vite të tëra. Nuk duhet të jepet shtyrja e afatit. Çështja e materialeve që kanë të bëjnë me kontrollin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prokurorja Claire Lawson, deklaroi se volumi i materialeve të nxjerra këtë javë është më se i mjaftueshëm për t’i ndihmuar mbrojtjen dhe për t’i mbajtur të zënë për një kohë të gjatë.

“ Nuk janë të bazuara në realitet kërkesat e tyre dhe prokuroria po punon brenda afateve që keni caktuar gjykatës dhe po përpiqemi t’i përmbahemi atyre. Sa i përket kohës së dorëzimit të materialeve dhe rrjedha si janë nxjerrë materialet, lidhet me nevojat për masat mbrojtëse sepse këto masa kërkojnë kërkesa paraprake për masa mbrojtëse dhe për punime të mëtejshme dhe hapa përgatitor. Prandaj, ZPS ka punuar ndërkohë në lidhje me afatet për dorëzimin e kërkesave për masa mbrojtëse. Kërkesa e 8 për masa mbrojtëse që u dorëzua në 8 korrik ishte pas afateve që ishin përcaktuar megjithatë ne nuk e kuptuam që afatet ishin përfundimtare dhe kërkesa u bë në mundësinë më të parë të mundshme që mund të bëhej”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një faktor i vetëm që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm në lidhje me kohën kur janë dorëzuar materialet nuk bazohet në kërkesat e prokurorisë, ka të bëj edhe me kërkesat që ka bërë mbrojtja për kategorizimin e mëtejshëm të materialeve.

Nga mbrojtja e Thaçit u tha se nuk kërkojnë nxjerrjen e materialeve që ta mbajnë veten të zënë me punë, por se u duhet për hetimet e tyre.

“Ka pas vëllim të madh të materialeve dhe e vlerësojmë por shumë prej tyre mund të mos kenë rëndësi për ne. Nxjerrja e dokumenteve në letër nuk e ndihmon mbrojtjes kur në fakt nuk kemi marrë gjith informacionin e duhur siç e kemi vënë në dukje”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati Elis tha se nuk  po dëgjo një përgjigje të qartë se pse nuk është trajtuar çështja e ekspertëve.

“ZPS ka bërë përpjekje të hershme për të identifikuar dhe udhëzuar ekspertë, por patëm vështirësi dhe na u desh të bëjmë ndryshime. Veçanërisht njëri nga ekspertët që kishim në mend ta udhëzonim, nuk ju dha miratimi për të dëshmuar dhe siç thash përpara të gjitha materialet bazë mjeko-ligjore mbi të cilat do të bazohen raportet do të bëhen të njohura sipas afatit. E kemi fjalën për tre raporte që priten të nxjerrjen në lidhje me të gjitha çështjet e tjera”, ka thënë prokurorja Lawson.

Tutje, tha kërkesa e tyre është bërë në parashtrimet me shkrim, sipas të cilës raportet e ekspertëve do të parashtrohen bashkë me materialet e rregullës 95 (4) dhe se shpresojnë që edhe materialet tjera do të jenë nxjerrë në atë kohë.

Nga mbrojtja e Thaçit u tha se vazhdojnë të jenë të shqetësuar lidhur me nxjerrjen e raportit të ekspertëve.

“Supozonim që do të fillonim gjyqin në korrik, nuk është e mjaftueshme të themi se materiali bazë do ti nxjerrët mbrojtjes. Duam të shohim akuzat para se të japim përgjigjen tonë. Në do të përdorim ekspertët tonë për të interpretuar këto dëshmi që të jemi të gatshëm të bëjmë pyetjet tona dhe kjo ndikon në përgatitjet tona për tu bërë gati për gjyq”, u tha nga mbrojtja e Thaçit.

ZPS tha se janë në fazë të procesit paraprak dhe prokuroria e ka përmbushur barrën e saj për të arritur në këtë fazë.

“Por, nuk jemi në fazën kur do të jetë vendosur data e ndonjë gjyqi. Sugjerimi që raportet apo materialet tjera që mund të vijnë prapa afatit 23 korrik duke pas parasysh gjithë materialet që kemi nxjerrë ne mendojmë se nuk i shkaktohet asnjë dëm të akuzuarve dhe nuk është e saktë të thuhet kjo kur jemi në fazën ku jemi. Nuk kemi kërkuar të ndërmerren hapat që të transferohet cështja në gjykatë”, ka thënë Lawson.

 

Tutje, u diskutua për nxjerrjen e materialeve gjatë kontrollit, ku mbrojtja e Krasniqit deklaroi se dje kanë marrë një paketë me materiale që përmbajnë disa dokumente që thuhet se janë marrë gjatë një kontrolli që ju bë pronës së Krasniqit.

“Nuk e dimë nëse përfaqësojnë të gjitha materialet shfajësuese të marra gjatë atij kontrolli. U nxorr edhe një paketë tjetër me materialet e rregullit 102 (1) (b), të marra së bashku duket se përfaqësojnë vetëm një fragment të vogël që u thanë se u morën gjatë kontrollit. Kemi marrë disa materiale shfajësuese dje, nuk e dimë ende çka mbetur për tu nxjerrë dje”, ka thënë avokati Elis.

Ndërkaq, prokurorja Lawson deklaroi se “Dy dokumente me materiale të sekuestruara janë nxjerrë, një është paketa 44 dhe tjetra me materiale 45 e nxjerrë sipas rregullës 103. Kjo paketë në bazë të këtij rregulli përmban të gjitha materialet që deri tani i kemi identifikuar si materiale shfajësuese nga materialet që morëm nga kontrolli”

Ajo tha se  =detyrimet në bazë të rregullës 102 (3) janë detyrime që vazhdojnë për ta si prokurori dhe do të vazhdojnë të nxjerrim materiale.

“Është një ushtrim i vazhdueshëm që duhet ta mbajmë në vazhdim, pasi të mbarojmë shqyrtimet dhe pasi të identifikojmë materialet, të gjitha që i kemi identifikuar si tani i kemi nxjerrë. Materialet e rregullës 102 (1) (b), paketa 44 përmban materiale të kësaj rregulle nga kjo kontrolle. Afërsisht do të ketë 50 dokumente tjera që do të përfshihen në paketën e ardhshme të nxjerrjes së materialeve këtë javë”, ka thënë prokurorja.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi