Mbrojtja e viktimave kërkon të refuzohet kërkesa e Veselit për të apeluar vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave

Raporton: Medina KADRIU

Mbrojtja e viktimave, respektivisht mbrojtësi Simon Laws dhe Maria Radziejowska, kanë  kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të refuzohet kërkesa e datës 1 qershor e mbrojtjes së Kadri Veselit për të apeluar vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave.

Ndryshe, më 25 maj 2022, gjyqtari i procedurës paraprake nxori Vendimin e Tretë për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe pranoi 12 viktima si pjesëmarrës në rastin ndaj Veselit, Hashim Thacit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Sipas mbrojtjes së viktimave, mbrojtja e Veselit ka dështuar të tregojë se si është përmbushur ndonjë aspekt i testit për certifikim në këtë fazë të procedurës në lidhje me ndonjë nga katër çështjet e propozuara.

“Vendimi i kundërshtuar shprehet si pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të ardhshëm nga trupi gjykues përkatës dhe pa paragjykim ndaj masave shtesë që rrjedhin nga statusi i mundshëm i dyfishtë i viktimave. Prandaj, urdhrat e dhëna nga gjyqtari i procedurës paraprake do të zbatohen për fazën e procedurës paraprake dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga trupi gjykues në kohën e duhur”, thuhet në shkresë të mbrojtjes së viktimave.

Sipas tyre, për të pasur sukses në aplikimin për certifikim, mbrojtja e Veselit do të duhej të tregonte se gabimet e pretenduara nga gjyqtari i procedurës paraprake kishin pasoja të rëndësishme tani për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurës, ose rezultatin e çështjes, dhe se një referimi i menjëhershëm do të çlironte procesin gjyqësor nga një gabim që mund të dëmtonte drejtësinë e procedurave ose të dëmtonte rezultatin e gjykimit.

“Në adresimin e “pjesës” së parë të testit, kërkesa e Veselit sugjeron se “çështjet e propozuara prekin drejtpërdrejt të drejtën e z. Veseli për një gjykim të drejtë, dhe më konkretisht të drejtën e një gjykimi kontradiktor”. Kjo është e paqëndrueshme në dritën e faktit se anonimiteti është dhënë në mënyrë të përkohshme në fazën paragjyqësore gjatë së cilës pjesëmarrja e VPP-ve është në një shkallë minimale. Nuk sugjerohet se si e drejta e Veselit për një gjykim kontradiktor rrezikohet në asnjë mënyrë, në këtë fazë të procedurës paraprake, duke mos ditur identitetin e VPP-ve”, pretendojnë ata.

Tutje, thuhet se në adresimin e “pjesës së dytë”, mbrojtja e Veseli sugjeron që një vendim në favor të saj nga Kolegji i Gjykatës së Apelit “do të mënjanonte rrezikun e çdo paragjykimi të shkaktuar ndaj Veselit nga mbajtja e anonimitetit të plotë të viktimave gjatë gjithë procedurës.

Në shkresë thuhet se është e vetëkuptueshme se një masë e përkohshme e këtij lloji, e shprehur shprehimisht se nuk paragjykon vendimin e Trupit Gjykues, nuk mund të lexohet se zbatohet gjatë gjithë procedurës.

“Ai do të rishikohet në kohën e duhur dhe rrjedh se ai nuk mund të ketë efektin e dëmshëm që pretendon Mbrojtja Veseli. Kjo do të thotë nga ana tjetër se Kërkesa duhet të dështojë, pasi, nëse Vendimi i kundërshtuar është i pasaktë, të metat e tij nuk mund të cenojnë drejtësinë e procedurës ose të dëmtojnë rezultatin e gjykimit”, thuhet tutje në shkresë.

Kurse, në lidhje me pikën e dytë, thuhet se kërkesa e Veselit sugjeron që një vendim autoritar nga Kolegji i Gjykatës së Apelit do të “siguronte qartësi” në lidhje me rregullat që kanë të bëjnë me masat mbrojtëse për VPP-të.

“Sigurimi i qartësisë, sado i dëshirueshëm të jetë, nuk është baza e duhur për të kërkuar certifikim”, thuhet tutje.

Sipas mbrojtjes së viktimave, fakti është se, në këtë fazë, mosnjohja e identitetit të VPP-ve nuk është një çështje që e dëmton të akuzuarin.

“Siç është vënë në dukje me të drejtë nga gjyqtari i procedurës paraprake, roli i një VPP është i ndryshëm nga ai i dëshmitarit dhe formularët e aplikimit të viktimave nuk janë provë dhe informacioni në to “nuk ka për qëllim të japë informacion mbi fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit ose besueshmërinë e dëshmitarëve”. Nëse një VPP është gjithashtu dëshmitar, ZPS ka detyrime të zbulimit në lidhje me të”, thuhet tutje.

Ata pretendojnë se duke ditur që edhe ata ishin VPP, nuk mund të avanconte as në një shkallë margjinale interesat e Mbrojtjes, veçanërisht në fazën e paragjyqësore VPP-të që nuk janë dëshmitarë nuk marrin pjesë aktive në procedurë në këtë fazë.

“Përsëri, është plotësisht e paqartë se si njohja e identitetit të tyre mund të ndihmojë materialisht Mbrojtjen”, thuhet tutje në shkresë.

Mbrojtja e Veselit lejen për apelim e kishte kërkuar mbi katër çështje, ku sipas tyre,  “anonimiteti i plotë” i viktimave që marrin pjesë në procedurë nuk është një masë mbrojtëse e paraparë me nenet 22-23 të Ligjit dhe rregullin 80 të Rregullores.

Tutje, kishin pohuar se  anonimiteti i plotë i VPP-ve potencialisht mund të shkelë kushtetutën. dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut të të akuzuarit.

“Mbrojtja e Veseli argumenton se gjyqtari i procedurës paraprake nuk arriti të trajtojë argumentin e tij se anonimiteti i plotë i VPP-ve është në kundërshtim me nenin 22(9) të Ligjit dhe eliminon mundësinë e procedurave civile para gjykatave të tjera të Kosovës. Mbrojtja e Veselit parashtron në alternativë se “në dritën e faktit se të gjitha viktimave të pranuara deri më sot u është dhënë anonimiteti i plotë, gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në konstatimin se rrethanat e jashtëzakonshme justifikojnë një masë të tillë”, ishin çështjet e tjera të paraqitura nga Veseli.

Por, sipas mbrojtjes së viktimave, çështjet mbi të cilat Veseli ka kërkuar leje që të apelojë vendimit nuk janë të apelueshme dhe nuk e përmbushin testin e kërkuar për certifikim.

Në fund thuhet se asnjë nga çështjet e identifikuara në kërkesën e Veselit nuk është e apelueshme.

“Asnjë prej tyre nuk mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedimit ose në rezultatin e gjykimit. Ato as nuk përfshijnë një çështje për të cilën një zgjidhje e menjëhershme nga Kolegji i Gjykatës së Apelit do të mund të avanconte materialisht procedurën.  Për këto arsye, testi për certifikim nuk plotësohet dhe Kërkesa duhet të refuzohet”, thuhet në shkresë.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë