Mbrojtja e Veselit i kundërpërgjigjet ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave lidhur me kërkesën e tyre për të apeluar vendimin e gjykatës

Raporton: Medina KADRIU

Mbrojtja e Kadri Veselit i  është kundërpërgjigjur Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtjes së viktimave lidhur me kërkesën e mbrojtjes për të apeluar vendimin e tretë të gjykatës për vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave.

Më 25 maj 2022, gjyqtari i procedurës paraprake nxori Vendimin e Tretë për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe pranoi 12 viktima si pjesëmarrës në rastin ndaj Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.  Me 1 qershor, mbrojtja e Kadri Veselit, kishte parashtruar kërkesë te gjykatësi paraprak për të apeluar vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave.

Lidhur me këtë kërkesë, mbrojtësit e viktimave Simon Laës dhe Maria Radziejoëska, kanë  kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që e njëjta të refuzohet.

Të njëjtën kërkesë e kishte parashtruar edhe ZPS, ku sipas tyre, kërkesa për leje për ankesë ndaj vendimit duhet të refuzohet sepse nuk i plotëson kriteret për leje për ankesë sipas nenit 45 të Ligjit dhe rregullit 77 të Rregullores.

Sipas mbrojtjes së Veselit, vendimi i kundërshtuar nuk ka të bëjë me masat që lidhen me moszbulimin e përkohshëm të identitetit

Në shkresë thuhet se viktimat pjesëmarrëse në procedurë (VPP) pajtohen plotësisht me Mbrojtjen se vendimi i STL mund të “konsiderohet në lidhje me çështjen e anonimitetit gjatë gjithë procesit dhe jo me masat e përkohshme mbrojtëse”.

“Megjithatë, VPP-të i keq-karakterizojnë masat e vendosura në Vendimin e kundërshtuar si “masa të përkohshme”. Këto të fundit i referohen masave të zbulimit të vonuar, të cilat janë të përcaktuara mirë në kohë dhe të vlefshme deri në 30 ditë përpara fillimit të gjykimit ose dëshmisë përkatëse Në të kundërt, anonimiteti i plotë synohet të zbatohet gjatë gjithë procesit, përveç nëse kërkohet një ndryshim në përputhje me Rregullën 81 – subjekt i një ndryshimi në rrethana”, thuhet në këtë shkresë.

Tutje, mbrojtja thotë se për të njëjtat arsye, pretendimi i ZPS-së se Vendimi i kundërshtuar nuk paragjykon asnjë vendim të ardhshëm nga trupi gjykues përkatës, gjithashtu e humb pikën, pasi e lë thelbin e çështjes të paprekur.

Sipas tyre, për më tepër, një argument i tillë dëmton ekonomizimin dhe zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurës, duke pasur parasysh se në thelb, ZPS-ja sugjeron shtyrjen e zgjidhjes së çështjes deri në gjykim duke kërkuar nga pjesëmarrësit që të riparaqesin të njëjtat argumente para Trupit Gjykues.

Mbrojtja pretendon se rrjedhimisht, një vendim i Kolegjit të Gjykatës së Apelit (i) do të parandalonte paragjykimin ndaj të Akuzuarit, do të përshpejtonte procedurat dhe do të shmangte rishqyrtimin e çështjes para Trupit Gjykues.

Sipas mbrojtjes, çështjet që kanë parashtruar janë të apelueshme.

“Çështja e parë: Të dyja përgjigjet ngrenë sfida të përgjithshme pa u angazhuar me parashtresat e mbrojtjes në paragrafin 5 të kërkesës së saj. Çështja përbën një temë lehtësisht të identifikueshme që rrjedh nga Vendimi i kundërshtuar dhe identifikon qartë gabimet specifike ligjore të kryera nga gjyqtari i procedurës paraprake. Prandaj, siç sugjerojnë ZPS dhe VPP-të, nuk është “thjesht një mosmarrëveshje” me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet nga mbrojtja e Veselit.

Sa i përket çështjes së dytë, thuhet se mbrojtja kujton se çështja e dytë nuk ka të bëjë me interpretimin e Rregullores, por nëse anonimiteti i plotë i VPP-ve është në thelb i dëmshëm për të akuzuarit dhe në kundërshtim me nenet 32 ​​të ligjit, nenin 31 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ dhe nenit 14 të KNDCP.

“Ndonëse dukshëm jo detyruese, praktika gjyqësore STL ofron udhëzime autoritative për interpretimin e të drejtave të gjykimit të drejtë të garantuara në nenin 14 të KNDCP. VPP-të nuk arrijnë të vërtetojnë se si jurisprudenca e STL-së “është përvijues në jurisprudencën e gjykatave dhe gjykatave ndërkombëtare”  ose pse Dhomat e Specializuara duhet të ndjekin jurisprudencën e GJNP-së – e cila, në krahasim, ofron më pak mbrojtje të  gjykimit të drejtë”, thuhet nga mbrojtja.

Po ashtu, thuhet se në çdo rast, mbrojtja parashtron se vendimi i kundërshtuar, si dhe praktika aktuale e Dhomave të Specializuara  deri më sot, nuk ndjek as jurisprudencën e GJNP-së, duke pasur parasysh se kjo e fundit lejon pjesëmarrjen e dëshmitarëve anonimë në rrethana jashtëzakonisht të kufizuara, përkatësisht për të ashtuquajturat ‘pasive ‘ ose viktima të ‘vëzhguesit të heshtur’ që marrin pjesë në procedurë

Sa i përket çështjes së tretë, mbrojtja pretendon se si ZPS, ashtu edhe VPP-të, ngatërrojnë fushëveprimin e çështjes (mosdhënia e arsyeve) me meritat themelore (shkelje e nenit 22(9) të Ligjit për Dhomat e Specializuara).

Kurse, lidhur me çështjen e katërt, thuhet se larg nga ngritja e “një shqetësimi abstrakt dhe hipotetik”, çështja e Katërt identifikon një gabim të dukshëm, përkatësisht konstatimin se garantohet anonimiteti i plotë për të gjitha VPP-të, duke rezultuar në shkelje të Rregullës 80(4)(e) kërkesa e ‘rrethanave të jashtëzakonshme’.

“Fakti që asnjë VPP – në të gjitha rastet para Dhomave të Specializuara – nuk i është dhënë asgjë më pak se anonimiteti i plotë, mjafton që Kolegji i Gjykatës së Apelit të shqetësohet seriozisht se, pavarësisht nga garancitë teorike, të drejtat e të akuzuarve po shkelen në praktikë”, ka pretenduar mbrojtja e Veselit.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë