MBROJTJA E MUSA ADEMIT TË AKUZUAR PËR TERRORIZËM: POLICIA BËRI PRESION NDAJ ADEMIT PËR TË DEKLARUAR

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj –  Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj Musa Ademit, i cili akuzohet për veprën penale “rekrutim për terrorizëm”. Në këtë shqyrtim gyqësor i akuzuari Ademi u deklarua i pafajshëm. Në këtë seancë u dëgjua  dëshmitarja Jeta Reçica, por deklarata e saj me kërkesën e prokurores speciale Merita Dina – Rugova u dha pa praninë e publikut, edhe pse shqyrtimi deri në fazën e dëgjimit të dëshmitares ishte publik.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ademi, avokati Bekim Sylejmani  në këtë shqyrtim deklaroi se ka pasur shkelje të ligjit gjatë tërë procedurës së zhvillimit të hetimeve ndaj të pandehurit si gjatë bastisjes ashtu edhe gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit  nga hetuesia. Lidhur me këtë avokati Sylejmani deklaroi se klienti i tij gjatë gjithë fazës së marrjes në pyetje ka qenë nën presion dhe i kanosur për të deklaruar, ku citoi edhe disa fjalë të thëna sipas tij nga ana e policëve hetues si , “na kemi prova dhe fakte që t’i do të dënohesh me 20 vjet burg”, dhe pastaj citon edhe fjalën tjetër “nëse dëshiron të lirohesh menjëherë nga paraburgimi na jep pesë emra të personave që ne të kemi mbulesë, e që ata duhet të jenë tre meshkuj dhe dy femra”. Ai përkitazi me këto deklaroi se janë të papranueshme dhe që deklarata e klientit të tij e dhënë në polici është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares së vetme të propozuar nga Prokuroria Speciale , Jeta Reçica. Por kjo e fundit dëshminë e saj e dha vetëm në prani të palëve kryesore në procedurë, pasi që për këtë prokurororja  speciale Merita Dina – Rugova, kërkoi nga trupi gjykues që e njejta të dëgjohet pa praninë e publikut , sepse sipas saj ekziston rrezik serioz që deklarata e saj të dëgjohet edhe nga palët e tjera jo kryesore në procedurë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 10 dhjetor 2015 i pandehuri Musa Ademi ngarkohet për veprën penale “rekrutim për terrorizëm” sepse sipas akuzës i akuzuari gjatë periudhës 2012-13 ka përkrahur organizatën terroriste ISIS, dhe se i njejti po ashtu në mënyrë të vazhdueshme ka qenë përkrahës i ideologjive të kësaj organizate dhe në të gjitha mënyrat është munduar t’i përhap idetë e kësaj ideologjie. Sipas akuzës, i pandehuri ka bërë “shpërlarjen e trurit”, ku kjo fjalë ishte përdorur nga vetë i akuzuari në rrjetin social facebook si dhe me anë të statuseve të tij në këtë të fundit ka bërë thirrjen për në xhihad-luftë, si dhe gjithashtu organizatës ISIS i ka siguruar emrat e katër personave të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për të i’u bashkëngjitur  grupit “vëllezërit musliman” në luftën në Siri, e që për këtë u ka siguruar edhe biletën këtyre katër personave.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë