Mbrojtja e Hashim Thaçit thotë se prokuroria ua ka vështirësuar hetimet me redaktimet e shumta në aktakuzë

Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 14, 2021

(Përditësuar, ora: 18:45) – Në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përderisa mbrojtësit e këtyre të fundit kanë rrëfyer lidhur me ecuritë e hetimeve të tyre për këtë rast, mbrojtja e ish-presidentit ka thënë se prokuroria po ua vështirëson këtë proces.

“Po shqyrtojmë informacionet që po na jep prokuroria, por janë të vështira edhe vajtjet e ardhjet në Kosovë për shkak të situatës. Ka shumë vështirësi, redaktime, pengesa që na vijnë nga prokuroria, çka i ka bërë të vështira hetimet tona”, u tha nga mbrojtja e Thaçit.

Sipas tyre, aktakuza është e mbushur plot me redaktime dhe duke mos ditur datat e vendet është e vështirë për të dhënë alibi.

“Nuk mund të them që tani ka qenë në filan vend apo qytet. Kur e shikoj aktakuzën nuk e kuptoj për çka bëhet fjalë. Shpresoj që në ditët në vijim, prokuroria të na jep një aktakuza të paredaktuar që do të na fokusoj edhe hetimin. S’jemi gati për të ju thënë se ku jemi me hetimet tona tani për tani”, kanë thënë.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson tha se kanë filluar hetimet me aq sa kanë pasur mundësi dhe se kanë një ekip të ngritur në Kosovë, e se kanë filluar procesin e identifikimit për dëshmitarët e mundshëm.

“Nëse gjykatësi do të jepte urdhër për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS deri me 31 tetor do të na ndihmonte në hetimet tona. Ne punojmë në të verbër, prandaj nuk kemi detyrim të njoftojmë prokurorinë për kë duam të flasim. Kështu si jemi hë për hë, mbrojtja e konsideron veten të lirë të bëj të gjitha hetimet pa e informuar prokurorinë ose gjykatën dhe nëse dikush nuk është dakord le të qohet tani dhe le të na jap arsye pse”, ka thënë Emmerson.

Kurse avokati i Selimit, David Young tha se nuk mund të jap tani informata lidhur me hetimet, pasi është e paqartë se cilat janë provat kundër Selimit.

Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit deklaroi se dorëzimi i dosjes paraprake nuk do të thotë medoemos se mbrojtja është gati, duke shtuar se vështirësitë vijojnë dhe i kanë thënë në parashtrimet me shkrim.

Ndërkaq, prokurorja Claire Lawson tha se rezervojnë të drejtën të bëjnë parashtrime me shkrim.


(Përditësuar, ora: 18:30)

Gjykatësi thotë se nuk mund të presin më për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS, thotë se po afrohet njëvjetori i fillimit të ballafaqimit

Në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjykatësi paraprak Nicolas Guillou ka thënë se do të vendosë datën e dorëzimit të dosjes paraprake nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) maksimumi deri në konferencën e ardhshme.

Ai ka thënë se nuk mund të presin më për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS dhe se po i afrohen njëvjetorit të fillimit të kësaj procedure ballafaquese, e se u duhet të ecin para, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket hetimeve të ZPS-së, prokurorja Claire Lawson ka thënë se nuk ka shumë për të shtuar nga ajo çka u tha në konferencën e fundit dhe shtoi se mbetet detyrë e prokurorisë të vazhdojë hetimet, e se e kanë parasysh kuadrin e zbatueshëm dhe se ndoshta materialet që do të dalin nga hetimi i vazhdueshëm do të kërkojnë autorizime gjyqësore.

“ I kemi parasysh faktorët që mund të ndikojnë në afate, këtu përfshihen ballafaqimet lidhur me mocionet paraprake dhe pastaj argumentimet lidhur me materialet e rregullës 102 (3). E di që duhet më qartësi për këto çështje, për shembull parashtrimet e palëve me mocionet paraprake kanë qenë mjaft intensive, palët kanë kërkuar të gjitha zgjatjet e afateve. Ka shtatë mocione momentalisht që mbulojnë 81 pika që kanë arsye për apel dhe ZPS po u përgjigjet, ka mocione edhe për çështje të kushtetutës që pritet të vazhdojnë edhe kësaj jave. Nuk kemi një qartësi në lidhje me vëllimin e dokumenteve nxjerrëse sipas rregullës 102 (3). Ka arsye për të prit që nxjerrja e këtij materiali do të shfrytëzoj të gjitha kapacitetet që i kemi të paktën deri në tetor apo nëntor”, ka thënë ajo.

E njëjta shtoi se puna po vazhdon në mënyrë intensive dhe më intensivisht në krahasim me muajt e fundit, kurse tha se nuk do të jenë në pozitë të nxjerrin materialet e rregullës 95 (4).

“Vazhdojmë punën në lidhje me materialet e 95 (4) dhe të njoftojmë gjykatën për këtë punë, është në interes tonë që materialet të dorëzohen sa më shpejtë që është e mundur. Lidhur me listën për dëshmitarët, ZPS ka njoftuar mbrojtjen për tre persona, deklaratat e të cilëve janë përfshirë në aktakuzë dhe janë nxjerrë me materialet provuese të aktakuzës”, ka thënë ajo.

Tutje, prokurorja tha se mbrojtja ka dëshmitarët dhe materialet që lidhen me të, e nëse gjykata kërkon, mund të ofrojnë një listë që do të jetë provizore dhe mund të ndryshojë.

Nga mbrojtja e Thaçit u tha se është mjaft shqetësuese që dëgjojnë nga prokuroria se po vazhdojnë hetimet dhe që nuk kanë një datë të afërt që kur do t’i përfundojnë hetimet.

“Ne kemi një vëllim të madh të dokumenteve që duhet t’i përpunojmë para se të filloj cështa. Sipas ligjit, hetimet duhet të përfundojnë para se të filloj ngritja e një aktakuze. Besoj që duhet të na japin një datë të afërt se kur do të përfundojnë ato hetime, kur do të jetë fundi, në mënyrë që të mund të punojmë dhe të zhvillojmë një gjykim që do të jetë i drejtë dhe shpejtë”, u tha nga mbrojtja e Thaçit, duke shtuar se mirëpresin një listë dëshmitarësh.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se parashtrohet pyetja nëse prokuroria është e gatshme të paraqes një datë për dorëzimin e dosjes paraprake e se nuk është detyrë e gjykatësit t’i kërkoj kur është e gatshme të bëj, është detyrë të urdhëroj ta bëj një gjë.

“Ne e dimë që asgjë që thotë prokuroria në lidhje me afatet është e besueshme. Ju si gjykatës duhet t’i urdhëroni afatet. Në konferencën e 5, me 19 maj, prokuroria tha se dosjen paragjyqësor do ta ketë të gatshme nga mesi i tetorit dhe pothuajse ka një vit që prokuroria thotë se gjykimi është i gatshëm për të filluar në qershor të këtij viti dhe në konferencën e pestë thanë që janë të gatshëm të dorëzojnë dosjen paraprake nga mesi i tetorit. Ju duhet t’i urdhëroni që kjo datë të jetë data e dorëzimit të dosjes paraprake se ndryshe kjo do të interpretohet si ftesë e gjykatësit drejtuar prokurorisë të vendos datën vet”, ka thënë Emmerson.

Sipas tij, prokuroria ka dalë nga kontrolli dhe kanë pasur të gjitha mundësitë e mundshme dhe ata edhe në konferencën e fundit kanë thënë se do të jenë të gatshëm nga mesi i tetorit.

“Ju duhet të dini se ne duhet të kemi parasysh, të kemi një pasqyrë të çështjes që na pret duke marr parasysh këtë kaos dhe këtë keqinterpretim konstant nga ana e prokurorisë. Është mungesë e parashikueshmërisë”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet të urdhërohet prokuroria që më së voni të dorëzojë këtë dosje deri më 31 tetor.

Avokati i Selimit, David Young deklaroi se realiteti është se kësaj prokurorie nuk duhet t’i lejohet një kartë “Blanch” për të vijuar me mënyrën e tyre si të vazhdojnë këtë çështje, andaj tha se kërkojnë që gjyqtari të merr një vendim gjyqësor lidhur me afatet.

Kurse avokati i Krasniqit, Aydan Elis tha se janë dakord me bashkëfolësit dhe se dhënia e listës paraprake të dëshmitarëve, duke e ditur se është paraprake, do të ishte thelbësore për përgatitjen e mbrojtjes mbi një numër të madh dokumentesh.

Mbrojtja e Thaçit ka pyetur se a ka ndonjë datë kur mbrojtja do të marr një aktakuzë të paredaktuar, qoftë edhe me vulë gjyqësore.

Ndërkaq, prokurorja Lawson deklaroi se do e japin listën e dëshmitarëve brenda kohës që përmendi, kurse sa i takon hetimeve në vazhdim e sipër tha se i ka trajtuar në konferencën e fundit dhe ka parashtruar gjatë e nuk dëshiron t’i përsërisë.

“Hetimet e mëtutjeshme janë edhe për çështje tjera që lidhen edhe me këtë çështja. Sa i takon dosjes paraprake, mbrojtja e ka keqparaqitur atë që thamë në konferencën e fundit, ne nuk premtuam aso kohe asnjë datë. Siç e përmenda në parashtrimet sot, ka një sërë faktorësh që do të ndikonin ën këtë afat dhe me gjasë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të burimeve që do të kërkojnë dhe palët e dinë se sa shumë burime do të kërkojnë. Prokuroria nuk është ajo që dikton afatet, gjykatësi ka caktuar kalendarin lidhur edhe me nxjerrët, prokuroria po përpiqet të qëndroj brenda afateve pavarësisht rrethanave që ndodhen”, ka thënë ajo.

Ajo tha se nuk beson që do të fitojë ndonjë palë nëse vendoset ndonjë afat jorealist dhe se është në interes të tyre të japin materialet sa më shpejtë, e se tetori nuk është një datë realiste për ta duke pasur parasysh rrethanat.

“Afati në fjalë është propozuar nga zyra juaj në nëntor të vitit që shkoi, e edhe në disa konferenca tjera”, ka thënë gjykatësi Guillou.

Ai tha se është përpjekur të kërkoj afate realiste gjatë gjithë kohës dhe është mbështetur edhe në atë që ZPS ka thënë, kurse tha se kupton se sot ndodhen në situatë të vështirë për të propozuar një afat dhe do vendosë këtë afat ai në javët në vijim.

“Nuk mund të presim më për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS. Po i afrohemi një vjetorit të fillimit të kësaj procedure ballafaqsuese dhe se u duhet të ecin dhe duhet të vendos afatin e dorëzimit së dosjes paraprake të paktën në konferencën e ardhshme”, tha gjykatësi.

Sa u përket përkthimeve, që ishte pika e dytë e rendit të ditës, gjatë konferencës, zyra administrative e gjykatës ka deklaruar se lidhur me tre vendimet për mocionet paraprake, afati që jep njësia e përkthimit është se do të përfundohen deri me 15 tetor, në varësi të një kërkesë për përkthim urgjent.

Kurse, tha për momentin nuk ka kërkesa për përkthime prioritare dhe se është bërë kërkesë nga të gjitha ekipet që deri me 17 shtator të bëjnë kërkesat për përkthime prioritare, si dhe shtoi se po vazhdojnë të përkthejnë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Mbrojtja e Thaçit tha se mbrojtësit e Krasniqit kanë theksuar shqetësimin e mbrojtjes se nga 846 dokumente, 104 prej tyre janë përkthyer në shqip.

Avokati i Krasniqit, David Young tha se janë bërë kërkesa për prioritizimin e përkthimeve, mirëpo në këtë fazë kur nuk dinë për materialet, nuk mund të bëjnë kërkesa përkatëse dhe se parasheh se do të ketë kërkesa të tilla.

Ndërkaq, Aydan Elis nga ekipi i mbrojtjes së Krasniqit, lidhur me mocionet paraprake, tha se nëse përkthimi i tyre merret me 15 tetor, afatet për përgjigjet për çështje juridiksioni është 18 tetor. Ai deklaroi se nëse është e mundur që përkthimi i mocioneve të merret më herët, atëherë Krasniqi mund të marr pjesë në procesin e përgjigjes.

Si dhe konfirmoi që kërkon që zyra administrative të krijoj përparësi sa i përket këtyre përkthimeve, e nga zyra administrative e gjykatës tha se do ta diskutoj këtë me njësinë e përkthimeve dhe parashtrimit F0823 do t’i jepet përparësi në krahasim me dokumentet tjera.

 

(Përditësuar, ora: 17:00)

Përplasje mes ZPS e avokatit të Veselit, ky i fundit i thotë prokurores të ulet e se nuk ka radhën për të folur

Diskutimi rreth nxjerrjes së materialeve ka bërë që të ketë përplasje në mes avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson dhe prokurores Claire Lawson, në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Derisa Emmerson ishte duke u deklaruar, ai në një moment iu drejtua prokurores me fjalët “Ju lutem uluni, nuk e keni radhën për të folur”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, gjykatësi Nicolas Guillou i kërkoi atij të mos i drejtohet në atë formë prokurores, e prokurorja Lawson deklaroi se parashtrimet duhet të bëhen në mënyrë të civilizuar.

Gjatë gjithë parashtrimeve të tij, avokati Emmerson ka hedhur akuza drejtuar prokurorisë.

Fillimisht, prokurorja Claire Lawson ka bërë të ditur se nga konferenca e fundit janë nxjerrë 24 paketa të rregullës 102 (1) (b) dhe disa të tjera po bëhen gati deri me 27 shtator.

“Lidhur me çështjet konkrete të caktuara në konferencën e fundit është bërë progres. Dy nga dëshmitarët ndërkombëtar janë miratuar dhe janë bërë të njohur. Kërkesat për masat mbrojtëse janë bërë dhe materiali në fjalë është nxjerrë apo do të nxjerrët në afatin e duhur. Ndryshimet në masat mbrojtëse janë miratuar lidhur me materialet që kanë të bëjnë me pesë dëshmitarë dhe materialet do të nxjerrjen në kohën e duhur”, ka thënë ajo.

Tutje, prokurorja deklaroi se raportet nga tre ekspertë presin se do të merren në kohën kur edhe është caktuar afati.

“Mund të jetë e nevojshme të bëhen disa redaktime në emra të dëshmitarëve dhe ekspertëve. Nëse do të lind nevoja do ta bëjmë në rastin më të hershëm posa të kemi marrë raportet”, ka thënë prokurorja.

Sipas saj, ka disa pika të cilat i kanë identifikuar në parashtrimin e tyre ku nuk janë në gjendje të konfirmojnë se do të përfundojnë miratimet apo ndryshimet e nevojshme, e se bëhet fjalë për tre dëshmitarë ndërkombëtar, për të cilët vazhdon procesi i miratimit dhe se nuk e konfirmojnë nëse miratimi do të bëhet deri me 27 shtator.

“Njëri nga dëshmitarët është duke udhëtuar në një vend të largët dhe ka pak qasje në material që mund të ndikoj në procesin e miratimit. Përveç tre dëshmitarëve ndërkombëtar, është edhe një dëshmitar me të cilin vazhdon diskutimi për ndryshimin e masave mbrojtëse. Nuk dihet nëse do të mundemi të marrim intervistën e parë atë ditë, është çështje që pret vendime gjyqësore të vendeve të ndryshme”, ka thënë ajo.

Ajo tha se kanë kërkuar zgjatjen e afatit lidhur me përkthimet dhe përkthimet e materialit të rregullës 102 (b) janë duke u bërë, e se të gjitha burimet po merren me këtë punë. E njëjta shtoi se pritet që puna të vazhdoj për disa muaj.

Avokati i Thaçit ka deklaruar se nga konferenca e fundit kanë marrë mbi 11 mijë dokumente.

“Por dua që të vazhdoj nga ato që thatë në konferencën e fundit kur prokuroria thanë se janë në rrugën e duhur lidhur me nxjerrjen e materialeve të rregullës 102 (1) (b), që nga ajo seancë kemi marrë mbi 11 mijë dokumente, 10 mijë prej të cilave ishin të rregullës 102 (a) dhe (b). Në lidhje me rregullën 102 (1) (b), 75 % e dokumenteve i kanë marrë pas seancës së fundit. Të marrësh 75% të dokumenteve gjatë kësaj periudhe më bën të mendoj dhe lidhet me kërkesën tuaj për njoftim sipas rregullës 102 (3) sepse nuk kemi kohë për të përtypur gjitha këto”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë 8502 dokumenteve të kësaj rregulle dhe përbëjnë shumë faqe.

“Duke pas parasysh afatin 27 shtator nuk dimë çfarë do të marrim dhe se si lidhet me kërkesën tuaj për njoftim dhe kur do t’i marrim me vonesë, nëse vonesa përfshin një kohë të gjatë, imagjinoni për sa dokumenteve bëhet fjalë. Do të ketë nxjerrje materialesh, por duam të kemi kohën e duhur, sepse papritur na jepen shumë dokumenteve që është e pamundur t’i lexosh e studiosh”, tha mbrojtja e Thaçit, duke thënë se ky është shqetësim i madh që e kanë mbrojtësit.

Avokati Ben Emmerson, mbrojtës i Veselit, ka thënë se të gjithë dëgjojnë me vëmendje ato që tha prokuroria lidhur me paragrafin 3 të parashtrimit të vet.

“Sigurisht kjo lidhet me materialet që ata parashikojnë të kërkojnë një zgjatje tjetër të afatit. Shqetësimi ynë për të cilin s’kemi marr përgjigje nga prokuroria është sa dokumente tjera do të nxjerrjen deri me 27 shtator. Do ta kujtoni gjykatës fazat e para të seancave të kësaj çështje, ku pretendonte prokuroria se do të ishin gati për gjyq tani, dhe unë thash se afati kohor që kërkojnë këto gjëra zgjaten. Prokuroria vazhdimisht, vet zoti Smith u ngrit dhe thanë se i gjithë qëllimi ishte të siguroj që të mos ndodhnin vonesa të tilla dhe do të ishin gati për gjyq. Por, kemi dëgjuar në minutën e fundit, se 75% e materialeve të prokurorisë janë nxjerrë. Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim me shpresën që prokuroria do të ishte e gatshme dhe duhet të kemi parasysh se sa zgjat procesi paragjyqësor”, ka thënë Emmerson.

Ai tha se dëshiron të dëgjojë prokuroren të kërkoj falje për këtë, se të akuzuarit vazhdojnë të jenë në paraburgim.

“Prokuroria e ka ditur se 70% e materialeve nuk është bërë e njohur dhe u keqdrejtuan. Të gjithëve na gënjyen si të thuash. Nuk është normale, është anormale që një prokuror i përgjegjshëm të sillet në këtë mënyrë dhe nuk shoh asnjë shenjë nga ana e tyre që të ndihen keq apo ta pranojnë apo shqetësohen për mungesën e profesionalizmit të tyre si prokuror”, ka deklaruar Emmerson.

Tutje, Emmerson tha se diçka duhet të thuhet që të ruhet kredibiliteti i këtij tribunali.

“Nëse gjyqtari i procedurës paraprake rri aty dhe shikon prokurorinë e nuk u thotë asgjë vetëm u thotë sa kohë u duhet për ta zgjatur. Nuk mund të filloj gjyqi para verës së vitit të ardhshëm sepse vetëm tani prokuroria po i nxjerr materialet. Është faji i prokurorisë sigurisht. Ka shqetësime shumë reale për integritetin e prokurorisë, çka është kjo prokurori që thotë në korrik se është në kohën e duhur dhe i mban në paraburgim dhe nxjerr vetëm 70% të materialeve. Përse na thonë se duhet të kalojnë shumë muaj para se të nxjerr materialet sipas rregullës 102 (1) (b)?”, ka thënë Emmerson.

Avokati i Krasniqit, David Young tha se e përkrahin shqetësimin e avokatëve parafolës.

“Ka shqetësim të jashtëzakonshëm jo vetëm për vëllimin e materialeve, por edhe përmbajtjen e tyre. Unë e ngrita çështjen e kapacitetit të tribunalit për të përkthyer në gjuhën e të akuzuarve që është thelbësore për gjykatën. E paralajmërova këtë gjykatë, e këshillova se mund të ketë nevojë për burime të tjera. Kapaciteti i gjykatës për të përkthyer materiale prioritare nuk është ai që duhet ose nuk punon si duhet. Kemi një numër shumë të madh materialesh të papërkthyera, para se prokuroria të na jep emrat e dëshmitarëve, provat që do të përdorin në gjykatë. Kur thash herën e fundit se është problem i madh, nuk e kam mbivlerësuar, por është problem që duhet të merrni parasysh nëse vazhdojnë të akuzuari të jenë të paraburgosur kur nuk e njohin cështjen ndaj tyre, nuk kanë njohuri”, ka thënë Young.

Avokati Aydan Elis, nga ekipi i mbrojtjes së Krasniqit, tha se i bashkëngjiten mendimeve të ekipeve tjera, sidomos me çështjen e përkthimit.

“Ky proces nuk mund të quhet i përfunduar derisa përkthimet t’i jepen mbrojtjes. Kjo na kufizon aftësinë për të punuar me dokumentet. Nëse nuk na vihen në dispozicion në gjuhën e punës së gjykatës dhe dëgjojmë se na duhen disa muaj para se përkthimet të përfundojnë duhet të jetë diçka shumë shqetësuese”, ka thënë avokati Elis.

Kurse, prokurorja Claire Lawson deklaroi se nuk ka shifër të saktë lidhur me numrin e dokumenteve, por nuk është numër i madh.

“Po flasim për materiale që presim të marrim nga kërkesat për ndryshimin e masave. Nuk bëhet fjalë për materiale të mbetura apo që duhen të përpunohen apo përgatiten për nxjerrje. Për të dhënë një numër të përafërt besoj se bëhet fjalë për deklarata apo dëshmi të mëparshme në lidhej me përafërsisht 15 dëshmitarë dhe këto kanë qenë objekt i kërkesave për ndryshimin e masave. Nuk bëhet fjalë për material voluminoz”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nxjerrja e materialeve 102 (1) (b) është bërë në vazhdimësi dhe kishte faktorë që ndikuan në kohën e nxjerrjes së atyre materialeve.

“Në bazë të kërkesës për nënkategorizim u deshtë që disa materiale që janë nxjerrë të kontrollohen edhe njëherë. Është një proces që kërkon shikim të gjerë, pjesa më e madhe e stafit punojnë nga distanca për shkak të kufizimeve nga COVID dhe nuk kanë qasje në dabatazat qendrore të provave dhe kjo kërkon kohë”, ka thënë ajo.

Tutje, prokurorja Lawson deklaroi se kuadri ligjor mundëson mekanizmin për rishikimin e mbajtjes në paraburgim dhe në bazë të rishikimit të fundit është konstatuar se rrethanat që justifikojnë mbajtjen në paraburgim vazhdojnë të ekzistojnë.

“Dihet që të pandehurit kanë të drejtën e apelit të vendimeve të gjykatës në lidhje me paraburgimin. ZPS nuk ka mashtruar askënd për sa i përket afateve kohore. Afatet kohore janë të parapara në kuadrin ligjor të ZPS-së”, ka thënë ajo.

Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se pyetën në lidhje me materialet 102 (1) (b) dhe për çfarë materiale bëhet fjalë.

“Prokuroria tha 15 dëshmitarë, pyetja që kemi ne si mbrojtje, në rregull është për numrin e dëshmitarëve, por provat që lidhen në lidhje me dëshmitë e tyre, për çfarë volumi të materialeve bëhet fjalë. Me fjalë të tjera çfarë duhet të presim nga këto materiale, për sa bëhet fjalë”, kanë pyetur prokuroren.

Kurse, ajo deklaroi se për fat të keq nuk mund të jetë e saktë për shifra pasi nuk kanë marrë materialet për të cilat kanë kërkuar ndryshimin e masave dhe nuk dinë sasinë e materialeve që do të shoqërojnë kërkesën.

Ben Emmerson tha se ky është një shembull tjetër për mënyrën që sillet prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë kërkova të më kërkojnë falje për mënyrën se si e kanë keqreprezentuar çështjen e tyre dhe këtë nuk e mora. Ta lëmë këtë anash, të gjithë në këtë sallë dhe ata që na shohin, nuk ka asgjë konstante në punën e prokurorisë. Po të ishte ashtu do të ishim gati për gjykim, po na thonë se kemi materiale që nuk e dimë sasinë e se nuk mund ta nxjerrin para afatesh. Si mundet një material voluminoz që duhet të përkthehet në anglisht dhe prokuroria nuk flet shqip dhe ka dashur të përdor në gjykim. Ky nivel i joprofesionalizmit..” tha Emmerson. Ai më pas iu drejtua prokurores: “Ju lutem uleni nuk e keni radhën për të folur”.

“Mos ju drejtoni ashtu prokurores”, i tha gjykatësi Nicolas Guillou.

Prokurorja Lawson ka deklaruar se parashtrimet duhet të bëhen në mënyrë të civilizuar në sallë.

Sa i përket rregullës 102 (3), prokurorja ka thënë se nuk janë të gatshëm të parashikojnë vëllimet e kërkesave që do të marrin, mirëpo tha se me sa duket ka të bëjë me materiale të shumta dhe kërkojnë angazhim në muajt në vijim.

“Edhe pse këto kërkesa janë marrë në vazhdimësi, ne presim të marrim kërkesa për materiale të shumta dhe në dritën e kësaj, parashikojmë se do të kërkojmë zgjatjen e afateve”, ka thënë ajo.

Avokati i Thaçit tha në kuadër të sistemit të nxjerrjes së materialeve që momentalisht po përdoren mendon se afatet e nxjerrjeve nuk janë reale.

Gjykatësi Guillou ka pyetur se kanë ndonjë afat për të cilin mund të kërkojnë kërkesa të tjera.

“Ne u këshilluam me prokurorinë lidhur me këtë pikë sot në mëngjes. Unë nuk mund t’iu them një datë të saktë, të them pas 6 jave apo dy muajve në qoftë se do të marrim njoftimin e rregullës 102 (1) (3) brenda nëntorit dhe do të kemi informacion tjetër për përkthimet, atëherë mund të themi nëse do të kërkojmë afat tjetër për kërkesat e mbrojtjes”, thanë nga ekipi i Thaçit.

Avokati Emmerson deklaroi se materiali sipas rregullës 102 (3) është material që prokuroria e konsideron të rëndësishëm dhe se u është dhënë një indeks, që e kanë të pamundur të kuptojnë përmbajtjen e tij.

“Ne si ekip i mbrojtjes jemi marrë vesh që këtë listë të ndajmë mes vete, në mënyrë që të dimë për cilat do të duhen përshkrime të mëtejshme. Besoj se e keni të qartë se qëndrimi ynë është të kërkojmë zgjatjen e secilit afat se si ndryshe mund të dimë se kemi material të rëndësishëm për mbrojtjen, në lidhje me këtë indeks për shembull në ndonjë shënim përmendet emri i klientit dhe ndoshta me atë do të duhet përshkrim i mëtejshëm. Por bëhet fjalë për 70 mijë e më shumë shënime dhe nuk dimë për sa prova flasim”, ka thënë Emmerson.

Ai tha se kanë për detyrim të kërkojnë zgjatjen e afateve dhe detyra e prokurorisë të bëj nxjerrjen e materiale.

“Dhe gjendemi në një moment që bëjnë nxjerrjen e materialeve në kohën e fundit dhe nuk tregojnë edhe sa tjera duhet të nxjerrin”, ka thënë Emmerson.

Avokati i Selimit, David Young tha se e mbështet Emmerson në tërësi.

“Çfarë di prokuroria për provat e veta dhe sa analizë i kanë bërë dhe çfarë vlerësimi bëjnë për materialet që zbulojnë? Për shkak të pandemisë pjesa më e madhe e prokurorisë punojnë në distancë, ndoshta e dëgjova gabim, por tha se pjesa më e madhe nuk ka qasje në databazë. Nëse kjo është e saktë, kjo është një mënyrë shumë e thjeshtë për të kuptuar pse nuk kanë bërë këto nënkatogorizime dhe si i bëjnë këto vlerësime për kategorizimet”, ka thënë ai.

Avokati i Krasniqit, Aydan Elis, tha se kërkojnë një shtyrje të afatit dhe ka një bazë.

“E para, materiali është shumë i madh, 68 mijë dokumente. Vet lista është qindra faqe dhe duke pas parasysh kohën dhe burimet e nevojshme që duhen për tu përgatitur dhe mocionet paraprake, është proces që do shumë kohë”, ka thënë Elis.

 

Mbrojtja kërkon zgjerimin e nënkategorizimeve në rastin e Hashim Thaçit e të tjerëve, nga ZPS thonë se momentalisht nuk kanë burime

Mirëpo, prokuroria e ka konsideruar të vështirë këtë proces, duke thënë se nuk kanë burime për momentin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj konference, mbrojtja e Thaçit tha se ndodhen përpara një potpurie informacionesh që janë është zbërthyer në paketat e nxjerrjes sipas nënrregullës b1.

“Ajo që duam të dijmë, është të shikojmë se ku do të mbështeten në saktësi prokurorët, në bazë të atyre që u ka dhënë në bazë të rregullës 102 (a). Është e pamundur me mbi 4 mijë poshtëshënime, që kanë informacione, të dhëna, për dëshmitarët, nga dëshmitarët është e pamundur të kategorizohet ky informacion. Do të ishte e dobishme që gjykata të urdhëronte prokurorinë që këtë nënkategorizim ta vendosin në kategorizim në mënyrë që të përshpejtonte punën për të gjithë dhe jo vetëm për klientin tim”, u tha nga mbrojtja e Thaçit.

Ndërkaq, avokati Andrea Strong deklaroi se janë dakord me parashtrimet e bëra nga mbrojtja e Thaçit dhe shpresojnë që të mos jetë propozim me alternativa që ose të bëjnë listën e dëshmitarëve në kohë, ose të merren me nënkategorizimin.

“Na jep mundësi të bëjmë kërkime në tërësinë e provave që janë nxjerrë nëse ka ndonjë gjë të mbetur të pakategorizuar, mund të mbetet i pazbuluar nga kërkimi nëse nuk është i kategorizuar ose nënkategorizuar”, tha ai.

Avokati i Selimit, David Young tha që përkrahin parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit dhe se do të ishte e dobishme të zgjerohej nënkategorizimi.

“Zgjerimi i nënkategorizimit do të ishte i dobishëm për çështjen”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Aydan Elis nga ekipi i mbrojtjes së Krasniqit tha se i qëndrojnë parashtrimeve të tyre, si dhe të mbrojtësve tjerë.

“Të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe çdo kush tjetër që dëshiron të bëj kërkime duke përdor nënkategorizimet mund ta bëj këtë. Sigurisht kërkon kohë për tu bërë, por ne parashtrojmë se nëse bëhet kjo gjë tani do t’i ndihmonte të gjitha palët”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Claire Lawson, prokurore e ZPS-së, ka thënë se për këtë temë kanë parashtruar arsyet pse nuk mendojnë se kategorizimi për rregullën 102 (a) është i justifikuar.

“Rëndësia e kësaj rregulle trajtohet jo vetëm në përmbledhjen sipas rregullës 86 (3) (b) por materialet në fjalë kanë qenë në dispozicion të mbrojtjes prej nëntë muajsh tashmë. Poshtëshënimet e përmendura nga mbrojtja e Thaçit nuk janë abstrakte, mbështesin pohime apo deklarata të caktuara për të dhënë më shumë hollësi. Është shumë e lehtë për të parë cili shënim lidhet me cilin vend apo pikë të akuzës, prandaj i qëndrojmë qëndrimit tonë. Janë 1800 materiale të nxjerra sipas kësaj rregulle, dhe përvoja jonë ka treguar se nënkategorizimi që bëhet manualisht kërkon shumë burime dhe nuk është diçka që mund të bëhet pa përdorur burimet e nevojshme për të përmbushur kërkesat e tjera. Duam të themi që është bërë e ditur si nga Krasniqi dhe mbrojtja e Krasniqit e Selimit që lista paraprake e dëshmitarëve përbën një prioritet më të lartë dhe na ndihmon edhe ne kjo”, ka thënë ajo.

Mbrojtja e Thaçit tha se po të jetë e vështirë dhe u kërkon punë prokurorisë nënkategorizimi, atëherë për mbrojtjen është e pamundur fare kjo.

Ai deklaroi se i takon prokurorisë të zbërthejë këtë me një nënkategorizim dhe se kjo përputhet me parimin e barazisë midis palëve dhe të ndiqet procedura sipas materialeve 102 (1) (b).

Ndërkaq, prokurorja Lawson tha se dëshiron të nënvizoj se ka pasur një keqparaqitje të parashtrimeve të tyre.

“Jo që nuk duam ta bëjmë, e kemi bërë në përmbledhjen e hollësishme me shumë katergorizime. Thash që në këtë moment nuk i kemi burimet, do të duhet t’i heqim nga një ekip tjetër, për t’i kaluar në materialet e Legal Work Flow”, ka thënë ajo.

Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.