Mbrojtja e Gucatit kërkon seancë dëgjimore nga Apeli, thonë se vendimin për paraburgimin e tij ia dhanë 26 ditë pas paraqitjes së parë

hyseni
Author

Raporton: Medina Kadriu

Nëntor 20, 2020

Prishtinë –  Avokatët e Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees dhe Huw Bowden, kanë kërkuar nga kolegji i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara që të caktojnë një seancë dëgjimore.

Në parashtresën e publikuar thuhet se  apelimi ka të bëj me një nga të drejtat themelore të njeriut, e drejta për liri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë parashtresë thuhet se është e saktë që apeluesi ka parashtruar para gjykatësit të vetëm që ishte duke aplikuar gabimisht ligjin dhe se apeluesi ka të drejtë të parashtrojë këto para kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe të kërkojë që të arrijnë në një kokludim.

Tutje, thuhet se para gjykatësit të vetëm është parashtruar se neni 39 (3) nuk i jep fuqi ndonjë gjykatësi përveç gjykatësit paraprak për të lëshuar në urdhër për arrest dhe paraburgim dhe se që të lëshohet urdhri për arrest dhe transfer të një personi mund të rrjedh vetëm pasi një aktakuzë është ngritur dhe se vetëm pas konfirmimit të akuzës, gjykatësi shqyrtues mund të lëshoj një urdhër në bazë të nenit 39 (3).

Mbrojtja thotë se nuk kanë parashtruar këtë dhe se gjykatësi i vetëm kishte gabuar që ka sugjeruar që e ka bërë në vendimin e tij të parë : se në pajtim me nenin 39(3) të ligjit dhe rregullës 85, arresti dhe transferi i një personi në Dhomat e Specializuara mund të rrjedh pasi një aktakuzë është ngritur dhe se vetëm një gjykatës paraprak mund të lëshoj urdhër arrestin.

“Në fakt parashtrimet e mbrojtjes nuk shkuan asnjëherë aq larg”, thuhet në shkresë të mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, apeluesi specifikisht i është referuar fuqisë të Prokurorit të Specializuar që të urdhëroj arrest në bazë të nenit 38 (2) të ligjit.

Në vijim, thuhet se apeluesi specifikisht ka pranuar se rregulla 57 parashikon që i dyshuari të jetë në paraburgim para caktimit të gjyqtarit paraprak.

“Parashtrimi është bërë për atë se vetëm Dhomat e Specializuara kanë të drejtë të urdhërojnë arrestin dhe bëhet nga  gjykatësi paraprak”, thuhet në parashtresë.

Tutje, thuhet se ka kuptim se gjatë fazës së hetimeve, fuqia për të arrestuar dhe ndaluar i takon Prokurorit të Specializuar që është përgjegjës që të kryejë hetimet dhe jo Dhomave të Specializuara që nuk është përgjegjëse për hetime dhe duhet të jetë e paanshme dhe pavarur.

Sipas mbrojtjes, kur arresti dhe paraburgimi urdhërohet nga Prokurori i Specializuar gjatë fazës së hetimeve, i dyshuari duhet të paraqitet para gjykatësit të vetëm brenda 48 orësh dhe të lirohet përveç se  “në bazë të nenit 41(6) të ligjit, çdo kërkesë për një zgjatje duhet të justifikohet nga masat hetimore që do të merren nga Prokurori i Specializuar”

“Kur i dyshuarit dërgohet para gjykatës, pasi është arrestuar dhe ndaluar gjatë fazës hetuese me urdhrin e Prokurorit të Specializuar, gjykatësi i vetëm duhet të marrë vendim për zgjatjen e paraburgimit  ose ta lirojë jo më larg se 48 orë prej momentit që personi është vënë para gjykatës”, thuhet në parashtresë.

Tutje, thuhet se kur i dyshuari është dërguar para gjykatësit të vetëm më 1 tetor, asnjë vendim për zgjatjen e paraburgimit të tij ose lirimit nuk i është dhënë nga gjykatësi i vetëm deri me 27 tetor, 26 ditë pasi apeluesi ka prezantuar para gjykatës në vend se t’i dorëzohet brenda 48 orëve nga paraqitja e tij si kërkohet nga neni 41 (3).

Si rezultat i kësaj shkelje të ligjit, apeluesi thuhet se nuk ka pranuar mbrojtje shtesë që i takojnë gjatë kohës së hetimeve, ( një vendim për zgjatjen e paraburgimit brenda 48 orëve nga paraqitje e tij para gjykatësit të vetëm dhe një  zgjatje të paraburgimit vetëm kur masa hetimore do të merren nga Prokurori i Specializuar.

Gjithashtu, thuhet se gjykatësi i vetëm ka gabuar që ka konkluduar se ka bazë për paraburgim dhe se sipas  mbrojtjes lirimi duhet të ishte i detyrueshëm.

“Nëse arsyet e paraburgimit në nenin 41 (6) të ligjit janë përmbushur është çështje gjykimi, jo ushtrim diskrecioni. Kur gjykimi i një gjyqtari të vetëm mbi atë pyetje është i gabuar, siç paraqitet këtu, kolegji i Gjykatës së Apelit duhet të ndërhyjë”, thuhet në parashtresë.

Sipas mbrojtjes, për më tepër, në shkallën që gjykatësi i vetëm kishte ndonjë diskrecion, balanca e faktorëve ishte ulur në favor të lirimit për arsyet e përcaktuara nga paragrafi 32 deri te 58 i Njoftimit të ankesës Ndërlidhëse.

“Për të refuzuar lirimin në ato rrethana ishte e paarsyeshme dhe sigurisht e gabuar dhe Gjykata e Apelit duhet të veprojë  në përputhje”, thuhet në parashtresë.

Ndryshe, me 19 nëntor, Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Tomë Gashi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se kanë informata se është ngritur aktakuza ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Muj me deklaru si avokati i OVL-UÇK që informata kemi që aktakuza ndaj zotit Gucati dhe Haradinaj është ngritur. Ka të bëjë me çështje të pengimit të drejtësisë dhe jo me çështje të krimeve të luftës apo krime që ndërlidhen me luftë. Arrestimi i tyre ka qenë me 25 shtator të këtij viti, lidhur me publikimin e dokumenteve që në tre raste i kanë sjellë persona të panjohur, e ku vërtetohet bashkëpunimi i prokurorisë për krime të luftës të Serbisë dhe të organeve të tjera të ndjekjes të Serbisë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Me 1 tetor ai kishte paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me 25 shtator u arrestua edhe Nasim Haradinaj, për të cilin më 26 shtator ishte bërë e ditur se është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, thuhej se është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,

Kurse, sipas fletë arrestit për Haradinaj të bërë publik më 26 shtator, thuhej se ekziston dyshimi se në konferencat për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator, Haradinaj ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike konfidenciale, në lidhje me punën e prokurorisë, si dhe thuhet se ka përmendur me emër dëshmitarë potencial, se ka dhënë informacion për vendbanimin e tyre dhe të dhëna tjera personale.

Tutje, thuhej se në konferencat e lartpërmendura, dyshohet se ai ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike e konfidenciale, jo publike që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë, duke përfshirë emrat dhe detaje personale të dëshmitarëve potencial, duke i ekspozuar kështu këta persona ndaj kërcënimeve të mundshme për sigurinë e tyre. /BetimipërDrejtësi