Mbrojtja e Enkelejda Gjonbalajt: MSH është përgjegjëse për miratimin listën e barnave esenciale

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë, 10 shkurt 2016 – Të mërkurën ka filluar shqyrtimi kryesor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të akuzuarës, Enkelejda Gjonbalaj, e cila ngarkohet se kishte përpiluar dhe ndryshuar listën e barnave, duke zëvendësuar disa prej tyre në mënyrë të gabuar dhe me çmime më të larta. Para trupit gjykues, e akuzuara Gjonbalaj, ish-drejtoreshë e barantores qendrore në QKUK, tha se lista esenciale për barëra ishte miratuar Ministria e Shëndetësisë (MSH), dhe se ajo bashkë me grupin punues nuk kishin pasur rol vendimmarrës. Gjonbalaj është deklaruar sërish e pafajshme për veprën që i ngarkohet për rastin  e njohur si “rasti Palonosetron”.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Basri Jupolli, përgjegjësia për aprovimin e listës esenciale për preparate mjekësore në barnatoren qendrore të QKUK-së, bie mbi vet MSH-në, e cila e ka miratuar atë. Jupolli ka kontestuar aktakuzën, në të cilën sipas tij, nuk është cekur as përgjegjësia dhe as shuma e dëmit të shkaktuar, e që sipas tij, nuk i është shkaktuar dëm askujt.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” theksohet se dëmi që do t’i shkaktohej buxhetit të MSH-së është 1.154.720.00 euro.

Tutje në mbrojtjen e të akuzuarës, avokati Jupolli, ka pretenduar se “Urdhëresa e masës së fshehtë për nxjerrjen e hyrje-daljeve dhe SMS-ve”, ishte lëshuar në mënyrë të kundërligjshme nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake. Në argumentimin e tij, Jupolli tha se vepra penale e përshkruar në aktakuzë është e dënueshme deri në 5 vjet burg dhe sipas tij në këtë rast është shkelur neni 90 paragrafi një i Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se urdhrat e fshehtë mund të përdoren për hetim në veprat penale të dënueshme më së paku 5 vjet burg.

Fjala hyrëse e mbrojtësit është përkrahur në tërësi nga e akuzuara Enkeljda Gjonbalaj, e cila ka deklaruar që ajo dhe anëtarët e tjerë në këtë grup punues kishin dhënë vetëm rekomandime dhe propozime të produkteve që duhet të ishin pjesë e listës esenciale. Sipas saj, kjo listë është nënshkruar nga shtatë anëtarët e komisionit sa ishin atëherë dhe i ishte drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm dhe MSH-së, të cilët pas nëntë ditësh e kishin aprovuar të njëjtën listë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i aktakuzës, prokurori Ilaz Beqiri, gjatë fjalës hyrëse ka thënë që prokuroria me anë të hetimeve ka vërtetuar gjendjen faktike, gjë e cila sipas tij, do të vërtetohet edhe një herë nga shqyrtimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës Enkelejda Gjonbalaj akuzohet që ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila në periudhën kohore nga shkurti 2012 deri në 15 maj 2012, si drejtoreshë e barnatores qendrore në QKUK dhe si kryesuese e grupit punues për ndryshimin dhe potësimin e listës me preparate mjekësore, kishte zëvendësuar produktet mjekësore “Ondansetron” dhe “Granisteron” me produktin “Palonosteron”. Sipas aktakuzës, produkti “Palonostereon” ka kushtuar 77,99 euro e cila ishte një vlerë shumë më e madhe krahasuar me dy produktet që janë zëvendësuar. Për më tepër, “Palonosteroni” ishte futur në rangun e citostatikëve pa qenë fare citostatik por antimetrik. Gjithë kjo, sipas prokurorisë, ishte bërë për t’i sjellur përfitim vetes dhe operatorit ekonomik “Global Pharm”.

Në këtë rast, e akuzuara Gjonbalaj ishte arrestuar më 14 prill 2014 dhe më 18 prill 2014 ishte suspenduar nga puna. Pas zhvillimit të hetimeve ishte ngritur aktakuza në shtator të këtij viti. Seanca e radhës për këtë lëndë do të vazhdoj më 6 prill 2016, ku do të ftohen dëshmitarët dhe do të bëhet administrimi i provave.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë