Mbrojtja thotë se trupi gjykues ka insistuar që në deklaratën e dëshmitares të përmendet nofka e të akuzuarit “Molla e Kuqe”

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Në gjykimin për krime lufte, mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Shala, avokat Blerim Mazreku ka pasur vërejtje sa i përket procedurës së dhënies së deklaratës nga dëshmitarja Ganimete Përteshi, ku sipas tij, trupi gjykues ka tentuar që shumë herë të përmendet nofka e të akuzuarit nga dëshmitarja.

“Kam vërejtje për procedurën, përkatësisht në mënyrën e marrjes në pyetje ku nga trupi gjykues është insistuar që dëshmitarja të përmend patjetër nofkën e të mbrojturit tim, përkundër faktit që shumë herë në pyetjen e përfaqësuesit e të dëmtuarit ka thënë se din dhe nuk e ka dëgjuar”, tha avokati Mazreku.

Këtë e ka bërë në seancën e së mërkurës, në të cilën janë dëgjuar në cilësi të dëshmitares Ganimete Përteshi dhe dëshmitari Agim Hazrolli, raporton Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me akuzën e avokatit Mazreku, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se trupi gjykues është munduar vetëm që të shpjegoj termet nofkë dhe pseudonim.

Ndryshe, në fillim të seancës i akuzuari Shala ka thënë se  ka vërejtje sa i përket trupi gjykues, për shkak se i njëjti ka bërë kërkesë për pjesëmarrje në varrimin e familjarit të tij e që gjykata nuk i ka dhënë përgjigje, mirëpo për këtë trupi gjykues ka thënë se për shkaqe objektive nuk ka mundur të realizoj kërkesën dhe për këtë është njoftuar mbrojtësi i të akuzuarit.

Tutje, është dëgjuar dëshmitarja Ganimete Përteshi, e cila në pyetjen e prokurorit Haki Gecaj se si ka ndodhur ngjarja në natën kur është marrë i ndjeri Haxhi Përteshi, dëshmitarja ka deklaruar se ka qenë data 26 qershor 1998 rreth orës 20:00 apo 20:30 , rrymë nuk kishin pasur dhe se duke pirë çaj në shtëpinë e tyre kishin dëgjuar një zë “o Haxhi”, derisa vjehrri i saj i ndjeri Përteshi ishte afruar tek ata 3 persona që kishin ardhur në shtëpinë e tyre, ajo tha se njëri prej tyre kishte qenë me maskë dhe dy tjerë pa maskë në një largësi 10 metra por që nuk ka mundur të i vërej fytyrat.

Po ashtu, dëshmitarja Përteshi ka thënë se ka dëgjuar një pjesë të bisedës mes vjehrrit të saj dhe 3 personave duke i thënë “a je i gatshëm me ardh me neve” dhe fjalët e të ndjerit Përteshi se “po jam i gatshëm”.

Në pyetjen tjetër të prokurorit Gecaj, dëshmitarja ka thënë se në shtëpi është biseduar mes vjehrrës së saj dhe kunatit Agron Përteshi se a kanë qenë të njohur personat që kishin marrë të ndjerin Përteshi dhe se Agroni e kishte njohur njërin prej tyre, por pa e përmendur emrin e të njëjtit.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Agron Përteshi, avokat Asdren Hoxha ka pyetur dëshmitaren se a i kujtohet nëse Agron Përteshi e ka përmendur dhënien e veturës dy ditë përpara personit të njëjtë, ajo ka thënë se e ka dëgjuar këtë bised mes vjehrrës dhe Agronit dhe se ai ka përmendur nofkën “molla e kuqe” po nuk e dinte se kush ka qenë.

“Më kujtohet se Agroni ka përmendur “molla e kuqe” por nuk e di kush u kon” tha dëshmitarja Përteshi.

Ndërsa, avokati Mazreku ka ballafaquar dëshmitaren me deklaratat  e saj, ku të njëjtën e ka pyetur se ku qëndron e vërteta pasi që në deklaratën e datës 20 shtator 2017 e njëjta kishte deklaruar se kanë qenë 2 persona që kanë marrë të ndjerin, kurse sot ka deklaruar se kanë qenë 3 persona, dëshmitarja është përgjigjur se kanë qenë tre persona.

Këtë e ka kundërshtuar avokati Hoxha, me arsyetimin se kjo çështje është konsumuar dhe se dëshmitarja ka dhënë deklarata të mjaftueshme lidhur me personat që i ndjeri Përteshi ka pasur përballë atë ditë.

Pyetje për dëshmitaren Përteshi ka bërë edhe anëtari i trupit gjykues, gjykatës Fatmir Krasniqi i cili tha se a e kishte parë në çfarë gjendje fizike ka qenë kufoma e të ndjerit, ajo u përgjigj se nuk ia ka parë kufomën e të ndjerit.

Tutje seanca ka vazhduar me marrjen e deklaratës së dëshmitarit Agim Hazrolli, i cili ka thënë se ka qenë kirurg i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ka shërbyer në vende të ndryshme si mjek nga data 12 maj 1998 deri në datën 12 qershor 1999.

Në pyetjen e prokurorit Gecaj se a njeh një person me Mefail Elshani, dëshmitari Hazrolli ka deklaruar se e njeh të njëjtin pasi që ka qenë pacient i tij dhe se të njëjtin e kishte trajtuar në spital për shërim të tij, e që për këtë ka mbajtur evidenca në librat e spitalit dhe se pas daljes së tij  nuk kishe informata se ku ka shkuar i njëjti.

Për dëshminë e dhënë nga dëshmitari Hazrolli, avokati Mareku ka kërkuar që trupi gjykues të veproj në bazë të nenit 127 të Kodit të Procedurës Penale, ta njoftoj të njëjtin se për faktin se është mjek ta njoftoj që ekziston e drejta e tij që të lirohet nga dëshmia.

Mirëpo, këtë e ka kundërshtuar prokurori Gecaj duke thënë se dëshmitari nuk po pyetet lidhur me të akuzuarin dhe konsideron që nuk ka ndonjë pengesë ligjore  në rrethana të cilat po deklarohet.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 2 qershor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë