Mbrojtësja e viktimave kërkon që DhSK të vendos për dëmshpërblimin e viktimave në rastin e Salih Mustafës, e jo gjykatat në Kosovë

Raporton: Medina KADRIU

Mbrojtësja e viktimave, Anni Pues në gjykimin për krime lufte ndaj  Salih Mustafës ka kërkuar që trupi gjykues në këtë rast të vendos për dëmshpërblimin e viktimave e jo gjykatat e Kosovës.

Këtë kërkesë, Pues e bëri përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues, ku ka përmendur gjetjet e ekspertëve, të cilët kanë përmendur kohëzgjatjen e procedurave në rastet civile në Kosovë, ndërhyrjet politike, korrupsionin, e të tjera.

Në shkresën e publikuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, thuhet se më 14 qershor 2021, avokatja e viktimave paraqiti parashtresën e saj, në përputhje me vendimin e panelit të 21 majit 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e viktimave kishte ngritur pyetje themelore në lidhje me opsionin e referimit të viktimave në procese gjyqësore civile në gjykatat e tjera në Kosovë.

Sipas mbrojtëses së viktimave, një referim i tillë nuk mund të jetë në përputhshmëri me të drejtat themelore të viktimave për akses në drejtësi dhe për një mjet juridik dhe dëmshpërblim efektiv.

Më 3 shtator 2021, trupi gjykues ka caktuar tre ekspertë, E1, E2 dhe E3, dhe i ka udhëzuar ata që të dorëzojnë raportin e tyre deri më 22 nëntor 2021.

Në shkresën e dorëzuar në gjykatë, thuhet se mbrojtësja e viktimave vëren se gjetjet e ekspertëve në tre raportet, edhe pse në detaje të ndryshme, qartësojnë në përgjithësi se gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë realiste për viktimat e krimeve të supozuara në aktakuzë, në këtë rast për të kërkuar dëmshpërblime dhe për t’i zbatuar vendimet e tilla.

“Raportet e bëjnë të qartë se sistemi gjyqësor në Kosovë është i mbingarkuar. Të tre ekspertët arrijnë në përfundimin se administrimi i drejtësisë është i ngadaltë dhe vuan nga një numër në rritje i çështjeve”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas saj, në raportet e ekspertit E3, vërehet se gjykimi i çështjeve në sistemin vendas është i ngadalshëm dhe vuan nga një grumbullim i çështjeve në pritje, me çështjet e sapopranuara duke shtuar numrin në rritje të lëndëve të pazgjidhura.

“Bazuar në të dhënat e publikuara zyrtarisht nga gjykatat, E3 vëren se “numri i çështjeve në pritje është rritur nga viti në vit”. Në mënyrë të ngjashme, E2 raporton se “administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik”, thuhet në shkresë të saj.

Tutje, thuhet se eksperti E1 konfirmon gjithashtu vështirësitë me kohëzgjatjen e procedimeve, megjithëse në përgjithësi vëren disa përmirësime në krahasim me situatën në 2017.

“Atë vit, Zyra Kombëtare e Auditimit vëzhgoi kohë të gjata pritjeje te qytetarët që të shqyrtoheshin çështjet e tyre dhe parashikoi se gjyqësori mund të shembet nëse nuk merren masa”, thuhet tutje.

Sipas kësaj shkrese, vështirësi të mëtejshme që ndikojnë në kohëzgjatjen e procedurave në gjykatat në Kosovë mund të rrjedhin nga klima e armiqësisë ndaj Dhomave të Specializuara, e vërejtur nga ekspertët.

“E2 sinqerisht vëren se “kohëzgjatja e procedurave, qasja në ndihmë juridike dhe çështje të tjera procedurale mund të ndikohen negativisht nëse Dhomat e Specializuara lëshojnë një urdhër për të vazhduar me kërkesat civile në Kosovë.” E3 konfirmon rrezikun e vështirësive të tilla”, thuhet tutje në shkresë.

Sipas mbrojtëses së viktimave, trupi gjykues do të duhet të marrë parasysh se viktimat kanë pritur drejtësinë për më shumë se 22 vjet tani, që është një aspekt i jashtëzakonshëm që rëndon shumë në favor të sigurimit se rruga më e shpejtë për shqyrtimin e kërkesave të tyre është gjykimi nga trupi gjykues.

Në shkresë thuhet se duke kombinuar kohëzgjatjen e procedurës para Dhomave të Specializuara me kohëzgjatje mesatare të gjykatave në Prishtinë deri në tetë vjet, largohet çdo dyshim se kjo nuk mund të konsiderohet e arsyeshme.

Problem tjetër që mbrojtësja e viktimave e përmend në shkresën e saj është edhe ndihma juridike për viktimat.

“Ndihma juridike është në dispozicion vetëm në një masë të kufizuar në Kosovë dhe lë rrezikun që viktimat të mbeten pa ndihmën e duhur. E3 shpjegon se fondet ekzistuese për ndihmë juridike nuk kanë burime të mjaftueshme për të siguruar që ndihma juridike ofrohet në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në këtë shkresë.

Në vijim theksohet se duke marrë parasysh vështirësitë e ndryshme që ekspertët identifikojnë në raportet e tyre, ka shumë të ngjarë që ato viktima të cilat mund të mos kenë të drejtë për ndihmë juridike, për rrjedhojë, as nuk do të përpiqen të parashtrojnë ndonjë kërkesë në gjykatat e Kosovës.

“ Këto viktima do të rrezikonin të përballonin shpenzime të larta për përfaqësim ligjor në një situatë ku ndonjë kërkesë e suksesshme do të ishte shumë e pasigurt”, thuhet tutje nga mbrojtësja e viktimave.

Raportet e ekspertëve lënë pak dyshime se anonimiteti i paditësve në proceset gjyqësore civile është i panjohur dhe ka shumë të ngjarë të mos jetë i mundur.

“Sipas gjetjeve të E2, në Kosovë nuk ekziston asnjë legjislacion që do të lejonte pretendime civile anonime. Për më tepër, në gjykatat kombëtare nuk ekziston asnjë praktikë që do të lejonte masa mbrojtëse në proceset gjyqësore civile të nisura nga kërkesat private në Kosovë, për aq sa ka treguar hulumtimi i kryer nga E3. Në të vërtetë, ‘e drejta civile në Kosovë nuk e njeh procedurën e anonimitetit”, thuhet tutje.

Po ashtu, thuhet se dispozita të ndryshme të Ligjit për Procedurën Civile dhe Procedurat Kontestimore mund të rezultojnë që viktimat të detyrohen të zbulojnë identitetin e tyre gjatë procedurës.

“Neni 99 i Ligjit të Procedurës Civile përcakton formën me shkrim të kërkesës që duhet paraqitur në gjykatë, duke kërkuar ndër të tjera emrin dhe mbiemrin e paditësit dhe nënshkrimin e paditësit. Nenet 355, 356 dhe 357 të Ligjit për Procedurën Kontestimore mund të nxisin detyrimin për t’u paraqitur para gjykatës ose ekspertit të caktuar, gjë që mund të çojë në zbulimin e identitetit të viktimës”, thuhet në shkresë.

Sipas kësaj shkrese, të tre ekspertët pajtohen se ekziston një nivel i ndërhyrjes politike dhe korrupsionit brenda institucioneve gjyqësore.

“E1 flet për korrupsionin si “perceptim dhe realitet në të njëjtën kohë”, ndërsa “ndikimi apo ndërhyrja” në stafin ligjor që “janë përzgjedhur si pjesë e sistemit ligjor” vjen “kryesisht nga politika e Kosovës”. E2 në mënyrë të ngjashme gjeti një besim të fortë në ekzistencën e praktikave korruptive në atë masë sa “roli i gjykatave për këtë qëllim është zhvlerësuar deri në atë pikë sa të mos presësh një proces të duhur gjyqësor duket normale”, thuhet tutje.

Sipas kësaj shkrese, mungesa e strukturave efikase të llogaridhënies, siç raportohet nga ekspertët, është e lidhur pazgjidhshmërisht me “korrupsionin, performancën e dobët dhe joefikasitete të tjera brenda sistemit gjyqësor”, thuhet tutje.

Në fund të raportit thuhet se bazuar në gjetjet e ekspertëve, mbrojtësja e viktimave është shumë e shqetësuar se çdo referim i kërkesave për reparacione në gjykatat kombëtare në Kosovë, mbart rrezikun e shkeljes së të drejtave të viktimave sipas nenit 6 (1) të KEDNJ.

Mbrojtësja e viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues që të vendosë të kryejë procedurat e reparacioneve, duke dërguar përfundimisht në urdhrin për dëmshpërblim në përputhje me nenin 22 (8) dhe 44 (6) të Ligjit, para këtij trupi gjykues.

Ndërkaq, sipas saj nëse kjo kërkesë nuk aprovohet,  kërkojnë që të merren në pyetje ekspertët sipas rregullit 149 (2) (c) të Rregullores së Procedurës dhe Provave. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë