Mbrojtësit kërkojnë zgjatjen e afatit dhe kufirit të fjalës për kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes së viktimave

Raporton: Medina KADRIU

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, i është drejtuar Panelit të Gjykatës së Apelit, me një shkresë, ku ka kërkuar zgjatjen e afatit dhe limitit të fjalës për t’iu përgjigjur përgjigjes së mbrojtjes së viktimave ndaj ankesave të mbrojtjes kundër “Vendimit për Kornizën për Trajtimin e Informacioneve Konfidenciale gjatë Hetimet dhe kontaktet ndërmjet një pale ose pjesëmarrësi dhe dëshmitarëve të palës kundërshtare ose të një pjesëmarrësi”          .

Sipas mbrojtjes, të gjitha ekipet e mbrojtjes do të ofrojnë një përgjigje të konsoliduar, derisa edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit i është bashkangjitur kërkesës.

Sipas mbrojtjes, ka arsye të mira për zgjatjet e kërkuara për t’i mundësuar mbrojtjes të japë një përgjigje të konsoliduar ndaj përgjigjes së viktimave dhe përgjigjes së pritshme nga Prokuroria e Specializuar (ZPS) dhe mbrojtja  me respekt kërkon një zgjatje të afatit kohor deri më 27 shtator 2022 dhe një zgjatje të kufirit të fjalëve në 3000 fjalë.

Në shkresë thuhet se më 8 shtator 2022, Mbrojtja parashtroi ankesën e saj kundër Vendimit Kornizë. Dhe se mbrojtja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin kanë bërë ankesat e tyre në të njëjtën ditë. Ndërsa, thuhet se më 14 shtator 2022, ZPS kërkoi zgjatje prej dy ditësh dhe 9,000 fjalësh për të paraqitur një përgjigje të kombinuar ndaj Apelit të Mbrojtjes.

“Më 16 shtator 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit pranoi kërkesën e ZPS-së dhe autorizoi ZPS-në që të dorëzonte një përgjigje të kombinuar jo më shumë se 15,000 fjalë deri më 21 shtator 2022.5 Paneli i Gjykatës së Apelit u shpreh se kishte arsye të mira për zgjatjet për shkak të kompleksitetit dhe risinë e çështjeve dhe përshëndeti iniciativën e ZPS-së për të paraqitur një përgjigje të kombinuar ndaj ankesave, sepse një përgjigje e kombinuar do të ofronte parashtresa më të qarta dhe më bindëse duke adresuar çështjet e mbivendosura në një dosje të vetme”, thuhet tutje.

Sipas mbrojtjes, më 19 shtator 2022, brenda afatit kohor për t’iu përgjigjur ankesës mbrojtëse të Krasniqit, mbrojtësi i viktimave dorëzoi përgjigjen.

Kurse, thuhet se në bazë të rregullit 170(2) të Rregullores, mbrojtja ka pesë ditë për t’iu përgjigjur çdo përgjigjeje. Më tej, në përputhje me nenin 46(2) të Udhëzimit të Praktikës, një përgjigje ndaj një përgjigjeje ndaj një apeli të ndërmjetëm kufizohet në 2000 fjalë.

Në shkresë thuhet se mbrojtja me respekt parashtron se ka arsye të mira për të dhënë zgjatjen e kërkuar të afatit kohor dhe limitit të fjalës për t’iu përgjigjur përgjigjes së viktimave për të njëjtat arsye që Paneli i Gjykatës së Apelit pranoi kërkesën e ZPS-së.

Ndërkaq, thuhet se në mënyrë të veçantë, mbrojtja synon të paraqesë një përgjigje të konsoliduar që adreson përgjigjen e viktimave dhe përgjigjen që do të dorëzohet nga ZPS më 21 shtator 2022.

“Mbrojtja parashikon që paraqitja e një përgjigjeje të konsoliduar do të jetë më koncize dhe do të ndihmojë Panelin e Gjykatës së Apelit duke qenë më i qartë dhe më bindshëm sepse do të trajtojë çështjet e mbivendosura në një dosje të vetme, në vend që të paraqesë përgjigje të shumta dhe potencialisht të përsëritura”, thuhet tutje.

Shkresa thotë se mbrojtja me respekt kërkon një zgjatje të kohës në mënyrë që të lehtësojë paraqitjen e një përgjigje të konsoliduar sepse përgjigja e ZPS-së do të dorëzohet më 21 shtator 2022, dy ditë pas dorëzimit të përgjigjes së mbrojtjes së viktimave.

“Në dritën e kompleksitetit dhe risisë së çështjeve dhe zgjatjes së kufirit të fjalës që i është dhënë ZPS-së, Mbrojtja nuk ka gjasa të jetë në gjendje të dorëzojë një përgjigje të plotë të konsoliduar vetëm tre ditë pas marrjes së Përgjigjes së ZPS-së. Prandaj, Mbrojtja kërkon një zgjatje modeste kohore deri më 27 shtator 2022”, thuhet tutje.

Ndërkaq, thuhet se mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli i Gjykatës së Apelit që t’i japë zgjatjet e kërkuara dhe të autorizojë mbrojtjen që të paraqesë një përgjigje të konsoliduar për përgjigjen e mbrojtjes së viiktimave dhe përgjigjen e ardhshme të ZPS- së, jo më shumë se 3,000 fjalë deri më 27 shtator 2022.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë