Përfaqësuesi i të paditurit propozon deponimin e 10 mijë eurove, paditësi nuk arrin ta vërtetojë shtetësinë e Kosovës

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Është mbajtur seanca në rastin ku Zh.M. ka paditur biznesmenin B.P. dhe F.B. për pengim posedim të pronës. Përfaqësuesi i të paditurve, avokati Sabri Kryeziu ka propozuar që për shkak të kaucionit aktorial për sigurimin e shpenzimeve në procedurë paditësi të deponojë 10 mijë euro. 

Në këtë seancë prezentë ishte përfaqësuesja e paditësit, avokatja Jovana Filipoviq e cila ka propozuar që të dëgjohen dëshmitarët Selim Sylkaj dhe Rrustem Seladini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Filipoviq tha se paditësi Z. ka pasuri në Kosovë dhe se është në procedurë të marrjes së shtetësisë kosovare.

E njëjta ka shtuar se, pasi që të paditurit e kanë penguar hyrjen e paditësit në ngastrën e tij, i njëjti i ka tërhequr vërejtjen dhe iu ka treguar listën poseduese që është në emër të tij dhe i ka propozuar gjykatës që t’i drejtohet policisë dhe të siguroj raportin.

Në anën tjetër, avokati Kryeziu ka thënë se pasi të vendoset mbi çështjen e kaucionit aktorial për sigurimin e shpenzimeve në procedurë do të deklarohen për çështjen tjetër.

Propozimin e avokatit Sabri Kryeziu, e ka aprovuar gjykatësi D.K.

Ndryshe, sipas padisë së 1 nëntor 2021 Zh.M. ka ushtruar padi ndaj të paditurit B.P. dhe ndaj të paditurit F.B. për shkak të pengimit në posedim.

Sipas padisë, paditësi më 5 janar 2021 kishte vizituar parcelen e tij dhe ka parë se  aty të paditurit kishin vendosur blloqe betoni dhe tulla duke i bllokuar dy hyrjet në këtë parcele, për çka e kishin lajmëruar edhe policinë.

Andaj mbi këtë bazë paditësi kërkon të vërtetohet së të paditurit e kanë penguar në posedim të lirë dhe faktik të pronës së tij të paluajtëshme në sipërfaqe prej 20000 m2.

Po ashtu përmes padisë kanë kërkuar edhe që të obligohen të njëjtit që në të aradhen të përmbahen nga pengimi i paditësit në posedim të lirë dhe të qetë të paluajtëshmërisë dhe t’i paguajë shpenzimet e procedurës.

Ndërsa sipas përgjigjes në padi të 23 gushtit 2021, thuhet se padia e paditësit nuk përmban asnjë fakt apo nuk i është bashkangjitur asnjë provë se kur paditësi kur ka qenë në ushtrim të pushtetit faktik të paluajtëshmërisë, si është zhveshur nga posëdimi, në cilën kohë, në çfarë mënyre është bërë pengimi në posedim.

Gjithashtu thuhet se as paditësi e as paraardhësit e tij nuk kanë qenë në posedim të paluajtëshmërisë në asnjë mënyrë andaj nuk mund të kërkon as mbrojtje gjyqësore.

Lidhur më këtë thuhet se të paditurit në posedim të paluajtëshmërisë janë në mënyrë të ligjshme në kontratës mbi qeranë të 8 nëntorit 2000 të lidhur më Administratorin Komunal të Fushë Kosovës.

Në përgjigjen në padi thuhet se paditësi është shtetas i Republikës së Serbisë ndërsa Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk kanë marrëveshje mes tyre për lirimin nga kaucioni aktorial për sigurimin e shpenzimeve në procedurë e për çka duke u bazuar në nenin 82 të Ligjit për Zgjidhjen e Konfiskimeve të Ligjeve me Rregullat e Shteteve të tjera kërkojmë që të deponoj 10,000.00 euro.

Tutje në përgjigjen në padi i është propozuar gjykatës që pasi t’i vlerësoj pretendimet e përgjigjes në padi, fillimisht ta detyroj paditësin për deponimin e kaucionit aktorial e nëse nuk e bënë në afat të caktuar deponimin, ka kërkuar nga gjykata që ta konsideroj të tërhequr padinë e paditësit./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë