Mbrohet në heshtje i akuzuari i fundit në rastin e Mendersit me shokë
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Mbrojtësi i të akuzuarit për korrupsion Vahid Tahiri, avokati Admir Salihu tha se klienti i tij do të mbrohet në heshtje. “Mbesim prapa deklaratave të dhëna në seancat e mëhershme dhe tani skemi çka të shtojmë”.
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përfundoi edhe marrja në pyetje e të akuzuarit Menders Sinani. I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Drew Engel, sqaroi përsëri rrethanat se si e kishte gjetur se ku ndodhej tani i dëmtuari Bidajet Sylejmani, i cili në atë kohë ishte duke u akuzuar për trafikim me qenie njerëzore. Të njëjtin informacion Sinani i’a kishte përcjellë hetuesisë në Prishtinë.
Tutje, i akuzuari Sinani shpjegoi edhe një herë para trupit gjykues, për municionin që ishte gjetur në shtëpinë e tij gjatë bastisjes. Madje ai shtoi se aty kishin qenë vetëm disa plumba më shumë të revoles zyrtare, që i kishin mbetur nga qitjet që i kishin pasur në poligonin e policisë.
Kryetari i trupit gjykues Pitor Bojarchuk, tha se sot mbyllet zyrtarisht procedura e paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve dhe seancën e fjalës përfundimtare e caktoi me pesë shtator 2016, në ora 9:30.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2013 kishte ngritur aktakuzë kundër Menderes Sinanit, sipas të cilës në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe 5 persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.