MBROHET MAZLLUM BARALIU: NUK KAM PASUR ASNJËLIDHJE ME KONTRATËN E ENVER SOPJANIT

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka vazhduar gjykimi ndaj Mazllum Baraliut, Adem Sallaukës dhe Halim Hazirajt, nën akuzën se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare në Universitetin Publik të Prizrenit (UPZ), me rastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës Enver Sopjanit.

Në këtë seancë është bërë administrimi i provave materiale dhe me këtë rast janë administruar disa procesverbale të inspektimit të UPZ-së nga Inspektorati i Arsimit; Kontratat e marrëdhënies së punës për të akuzuarit Adem Sallauka dhe Halim Haziraj; Kërkesa e të dëmtuarit për pushim pagesë; vendime të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë; Vendime të Bordit të UPZ.

Pasi që nuk kishte propozime tjera për plotësimin e procedurës së provave, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve, ashtu që ka filluar mbrojtjen e tij, ish rektori i UPZ-së, Mazllum Baraliu. Ai ndër të tjera ka thënë se kur ka shkuar në vendin e tij të punës si rektor, nuk ka pasur njohuri për një kontratë të punës mes Universitetit dhe të dëmtuarit në këtë rast, Enver Sopjani. Baraliu tha se sipas kërkesës me shkrim, të njëjtit i kishte lejuar pushimin pa pagesë, por më pas ndaj të njëjtit, Inspektorati i Arsimit, pas një inspektimi që kishte bërë në Universitet kishte gjetur se kontrata e Sopjanit kishte qenë e lidhur në mënyrë të parregullt, të cilën kontratë edhe e kishin anuluar. Ndaj këtij vendimi, ishte ankuar i dëmtuari por kryeinspektori e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë për shkëputje të kontratës.

Baraliu më tej ka mohuar të ketë nënshkruar, apo të ketë autorizuar dikë që të nënshkruajë në emër të tij, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për të dëmtuarin, apo që të ketë marrë çfarëdo njoftimi nga MASHT-i për ndërprerjen e kontratës së Sopjanit. Lidhur me këtë rast ai ka potencuar se një vendim të tillë, vet i dëmtuari, në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar përmes administratës së rektorit, e ka dorëzuar  direkt në arkiv apo përmes ndonjë personit fizik të sekretarisë së Universitetit. Poashtu disa herë ka përsëritur se për vendimet që janë marrë rreth të dëmtuarit dhe anulimin e vendimit të tij nga ana e Inspektoratit të Arsimit, ka marrë vesh vetëm gjatë marrjes në pyetje nga policia, prokuroria dhe nga shkresat e lëndës së këtij rasti. I akuzuari Baraliu sipas këshillës së mbrojtësit të tij, Hilmi Zhitia, ka refuzuar të përgjigjet në shumë pyetje që kishin të bënin me funksionimin e Universitetit në fjalë, gjatë kohës së ka qenë rektor, ndërsa për fund ka shtuar se edhe po të donte të lejonte të dëmtuarin, të vazhdonte punën në Universitet, një gjë të tillë nuk do të mund ta bënte sepse kishte për të kundërshtuar dy vendime të MASHT-it, e me këtë rast do të shkelte ligjin.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për datat 23.09.2016 dhe 27.09.2016, në ora 10:00.

Më 22 Tetor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve  Mazllum Baraliu, Adem Sallauka dhe Halim Haziraj, të cilët i akuzon se në bashkëkryerje, kanë kryer  veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në atë mënyrë që duke punuar në Universitetitn e Prizrenit, me dashje, dijeni dhe qëllim për të shkaktuar dëm, i shkelin të drejtat e të dëmtuarit, Enver Sopjani, i cili megjithëse kishte kontratë valide të lëshuar nga UPZ-ja, prej datës 10.06.201, deri me datën 09.06.2014, në pozitën e Prorektorittë UPZ-së, atij ia ndërprenë marrëdhënien e punës, në mënyrë të njëanshme, me vendimin e datës 10.10.2011, të lëshuar nga rektori i asaj kohe, Mazllum Baraliu, të nënshkruar nga Adem Sallauka dhe Halim Haziraj.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë