MBROHEN POLICËT E AKUZUAR PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Ka vazhduar seanca e shqyrtimit kryesor, me mbrojtjen e policëve Muhamet Hamiti dhe Afrim Magjuni, të akuzuar për veprën penale ‘marrja e ryshfetit’.

Në mbrojtjen e tij, i pandehuri Muhamet Hamiti deklaroj se disa herë kishte rastisur ta kontrolloi të dëmtuarin Osman Mehmeti, por që asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos ketë dokumentacionin e kompletuar.

Tutje, i akuzuari Hamiti tha se një herë kishte huazuar 70 euro nga i dëmtuari Osman Mehmeti, por të njëjtat i’a kishte kthyer pas 10-20 ditëve, ndërsa asnjëherë tjetër nuk i kishte marr para apo ndonjë shërbim tjetër për ndonjë favor të mundshëm.

Në mbrojtjen e tij, i pandehuri Afrim Magjuni deklaroj se qytetarin Osman Mehmeti e kishte ndaluar disa herë për kontrollim, ndërsa një herë i kishin gjetur dy metra drunjë më tepër dhe në atë rast e kishin njoftuar Agjensionin Pyjor të Kosovës dhe ato drunjë i’u ishin konfiskuar.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua për 27 korrik 2016, ku palët do të japin fjalët përfundimtare.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Muhamet Hamiti dhe Afrim Magjuni, me pretendimin se në cilësi të personave zyrtar-Policë në Njësinë e Policisë Kufitare, me datë 13 tetor 2011, kanë pranuar në emër të ryshfetit shumën e të hollave në lartësi prej 200 eurove, përkatësisht 70 euro, nga i dëmtuari Osman Mehmeti, për t’ia mundësuar prerjen dhe transportin e kundërligjshëm të sasisë së drunjëve.

Në këtë rast gjyqësor të pandehurë kanë qenë edhe Avni Januzi, Ibish Ibrahimi, Tefik Ibrahimi, Osman Mehmeti, Kadri Jashari, Misim Beqiri dhe Kujtim Hasani kundër të cilëve ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale, andaj gjykata ka marr aktvendim për hudhjen e pjesshme të aktakuzës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë