Mbrohen në heshtje tre nga pesë zyrtarët e akuzuar në rastin e dallavereve me tender në Komunën e Kaçanikut

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të pandehurit Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi të akuzuar në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuarit e tjerë në këtë çështje penale Fatos Koxha dhe Zekirja Koxha për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, deklaruan se do të mbrohen në heshtje.

Seanca e së mërkurës, ndaj pesë të pandehurve në fjalë, fillimisht vazhdoi me prezantimin e provave dhe me dëgjimin e dëshmitarit Rexhep Morina – bashkëpronar i firmës “Area” me seli në Kamenicë. Ky dëshmitar ishte propozuar nga prokurori Rasim Maloku meqenëse firma të cilën e udhëheq ka qenë ofertues i tenderit të shpallur nga Komuna e Kaçanikut për rehabilitimin dhe gjelbërimin e rrugës “Ismajl Raka” në Kaçanik. Dëshmitari deklaroi se pas shpalljes së tenderit në fjalë ai personalisht kishte kompletuar gjithë dosjen për ofertim me të gjitha dokumentet e kërkuara dhe të njëjtën e kishte dorëzuar në Zyrën e Prokurimit, në Komunën e Kaçanikut. Tutje, ai deklaroi se nga kjo e fundit është njoftuar për ditën dhe kohën e hapjes së ofertave, e cila tha se ishte publike dhe kishte marrë pjesë gjatë këtij procesi të hapjes së ofertave të të gjithë operatorëve ekonomik që kishin ofertuar. Mirëpo ai tha se gjatë këtij procesi kishte vërejtur se për dy operatorë të tjerë ekonomik kishte pasur ndërlikime apo siç i quajti ai “pështjellje të dokumenteve” dhe sipas tij aty është vërejtur qartë se çfarë manipulime janë bërë në përzgjedhjen e fituesit të tenderit. Madje dëshmitari deklaroi se kishte ndërprerë procedurën dhe kishte filluar një konflikt verbal me njërin nga përfaqësuesit e dy operatorëve në fjalë, ku të njëjtit ai tha se e kishin kërcënuar në njëfarë forme duke i’u drejtuar “se a po e di ku je, a e di që je në Kaçanik”. Ndërkaq Morina sa i përket mos përzgjedhjes së firmës “Area” si bashkëpronar i saj, tha se nuk ka ushtruar ankesë në OSHP (Organin e Shqyrtimeve Publike), sepse siç deklaroi ai “kur Zyra e Prokurimit e rregullon se kush do të jetë fitues, po e rregullojnë edhe në OSHP dhe nuk kam pritur ndonjë ndryshim”. Edhe pse sipas tij, kompania e tij i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe kanë ofertuar çmimin më të lirë si kriter kryesor.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarve, ku tre prej tyre, të pandehurit Vedat Dema,Betim Shala dhe Bujar Dullovi deklaruan se do të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për të mos u deklaruar dhe të mbrohen në heshtje. Ndërsa dy të bashkëpandehurit e tyre Fatos Koxha dhe Zekirja Koxha gjatë marrjes në pyetje nga palët në procedurë, e pyetjet e të cilëve ishin të njëjta, deklaruan faktet e njëjta që ndërlidhen me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ndër të tjera ata deklaruan se si anëtarë të komisionit për hapjen dhe vlerësimin e ofertave rreth tenderit, janë përzgjedhur nga shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Kaçanikut, Zeqir Selmani, i cili poashtu ishte i bashkakuzuar në këtë çështje penale, mirëpo pasi që i njëjti ka ndërruar jetë procedura ndaj tij është pushuar. Tutje, të pandehurit deklaruan se detyra e tyre si anëtarë të komisionit ka qenë vlerësimi i dokumentacioneve të operatorëve ekonomik ofertues për tenderin në fjalë dhe pastaj rekomandimin e operatorit të përgjegjshëm tek Zyra e Prokurimit për përzgjedhje si fitues. Ata thanë se asnjë nga operatorët ofertues nuk kishin përmbushur kushtet që të jenë fitues të tenderit sepse kanë pasur mungesa në dokumentacione. Këtë fakt ata thanë se e kanë konstatuar në një formular të cilin e kishin plotësuar me “+” ose “-“, dhe shefit të Zyrës së Prokurimit nuk i kanë rekomanduar asnjë operator ekonomik si të përgjegjshëm për fitimin e tenderit. Me këtë rast i pandehuri Fatos Koxha tha se ka pasur mosmarrëveshje me këtë të fundit sepse i njëjti i kishte thënë “se unë vendosi a ka fitues apo jo”. Gjithashtu edhe i pandehuri Zekirja Koxha deklaroi se kanë pasur trysni nga shefi i prokurimit sidomos me rastin e nënshkrimit të procesverbalit, ku ai i’u kishte drejtuar me fjalët “punët janë kryer po nënshkruaj se më pas e dini çka ju gjan”.

Prokurori Rasim Maloku ua prezantoj dokumentin, i cili dyshohet se është falsifikuar, konkretisht formularin e plotësuar gjatë vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik për tenderin në fjalë nga anëtarët e komisionit. Të dy të pandehurit e mohuan se ai është formulari që ata e kanë plotësuar, duke thënë se forma ka qenë identike mirëpo të njëjtën ata e kanë plotësuar me dorë e jo të shtypur me kompjuter. Të akuuarit thanë de dokumentin e ka përpiluar Zyra e Prokurimit duke u bazuar në formularin që ata e kanë dorëzuar të kjo zyre. Ndërkaq lidhur me nënshkrimin që gjendej në fund të këtij formulari , e të cilën të dytë pohuan se është nënshkrimi i tyre, deklaruan se shefi i prokurimit ua kishte dorëzuar me një mori lëndë të tjera dhe nuk e kanë lexuar se çka kanë nënshkruar.

Me marrjen në pyetje të të pandehurve përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërsa seanca e radhës u caktua për 20 shtator 2016 në ora 09:00, ku palët do të paraqesin fjalën përfundimtare.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë