MBIKËQYRËSI I QENDRËS SË PARABURGIMIT NË PRIZREN MOHON TË KETË FURNIZUAR ME TELEFON NJË TË PARABURGOSUR

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj oficerit korrektues Kastriot Leku, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke futur në mënyrë të paligjshme telefona celular, për të burgosurit.

Në këtë seancë, ka dëshmuar Xhelal Trellaku, mbikëqyrës i oficerëve korrektues, në pavijonin e banimit, i cili është thirrur të dëshmojë në rrethanat se i paraburgosuri B.B. në njërën prej seancave ka deklaruar se telefonin të cilin ia kanë gjetur, gjatë bastisjes, ia ka shitur Xhelali, për shumën prej 250 euro.

Dëshmitari ka mohuar plotësisht që të ketë pasur çfarëdo kontakti jo-zyrtarë me të paraburgosurin B.B. dhe se të gjitha ato që ka deklaruar ai, janë vetëm imagjinatë e tij dhe gënjeshtra të kulluara, duke shtuar se asnjëherë nuk takohet me të burgosurit, pa prezencën e oficerit korrektues dhe se për 16 vite sa punon, nuk ka pasur asnjë vërejtje në punën e tij, nga askush.

Poashtu, dëshmitari ka theksuar se armët e ftohta, substancat narkotike, paraja dhe telefonat, janë kontrabandë dhe nuk lejohen të hyjnë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa lejohen pako ushqimore dhe pako higjienike deri në 5 kg, ndërsa kur ndodh që për shkak të tenderëve të vonohen barnat mjekësore për të burgosurit, lejohet që familjarët të sjellin barnat sipas përshkrimit të mjekut, të cilat barna regjistrohen në ditarin e punës, ndërsa vesh-mbathjet që sillen nga familjarët, gjatë vizitave të rregullta, nuk regjistrohen në ndonjë regjistër të caktuar.

Në fund, për të akuzuarin, ka thënë se me të njëjtin nuk ka pasur afërsi por vetëm janë përshëndetur si punëtorë të të njëjtit institucion, se i njëjti nuk është duke punuar momentalisht në QP në Prizren, për shkak të suspendimit, por nuk ka komentuar se pse është suspenduar, duke thënë se nuk është interesuar për një gjë të tillë.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka propozuar që për seancën e radhës të ftohet si dëshmitar polici hetues, Shaqir Krasniqi, i cili ishte marrë hetimet dhe me përgjimet e bëra ndaj të akuzuarit, ku do të përcaktojë edhe se çfarë do të dëgjohet si provë nga CD-ja me përgjime.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raima Elezi, ka aprovuar kërkesën e prokurorit, poashtu ka marrë vendim, që me anë të policisë, t’i dërgohet ftesa për seancën e radhës edhe dëshmitarit Ibrahim Kryeziu, i cili nuk i është përgjigjur disa herë thirrjeve të gjykatës dhe seancën e radhës e ka caktuar për 1 gusht 2016, në ora 13:30.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, me të cilën i akuzuari Kastriot Leku, akuzohet se me qëllim të përfitimit material për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që e ka futur një telefon mobil në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për t’ia dhënë të paraburgosurit B.B. kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë