Mbi tre vjet burg për dy të akuzuarit që pranuan se vodhën dy arka me para, një gjenerator dhe makina të qethjes

Gjykata (18)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Korrik 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, i ka dënuar me nga një vit e tetë muaj burgim, dy të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Leondrit Kryeziu dhe Muharrem Kosumi.

Në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj tyre, do të llogaritet edhe koha që ata e kanë kaluar në paraburgim, nga 10 qershor 2019, e tutje.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi në seancën fillestare të mbajtur më 9 korrik 2019, ata kishin pranuar fajësinë për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj dy të akuzuarve është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në lartësi prej 350 euro, për secilin prej tyre, të cilën ata mund ta paguajnë deri në tri këste.

Gjykatësi Shyti ka njoftuar se nëse dy të akuzuarit nuk e paguajnë gjobën brenda afatit, atëherë e ajo do të zëvendësohet në dënim me burgim, ku 20 euro gjobë do të llogariten në një ditë burgim.

Si rrethanë rënduese me rastin e vendosjes për dënimin, gjykatësi Shyti tha se ka marrë faktin se dy të akuzuarit janë recidivistë, pastaj intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore, mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe shkallën e lartë të dashjes në kryerjen e kësaj vepre penale.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese, gjykatësi Shyti tha se kishte marrë pranimin e fajësisë që në seancë fillestare nga dy të akuzuarit dhe pendimin e sinqertë të tyre.

Në emër të paushallit gjyqësor, dy të akuzuarit janë obliguar, që veç e veç, të paguajnë nga 30 euro dhe 30 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Më pas, gjykatësi ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 dite pas marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Pas shqiptimit të dënimit, gjykatësi tha se sipas detyrës zyrtare, dy të akuzuarve u vazhdohet masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 4 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Leondrit Kryeziu dhe Muharrem Kosumi për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Vjedhje e rëndë”, nga neni 315 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 10 qershor 2019, rreth orës 03:02 në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, rruga “Dëshmorët e Gollakut”, me marrëveshje paraprake mes veti, të akuzuarit Kryeziu dhe Kosumi, së bashku me të miturin A.P, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, apo për të tjerët, kanë depërtuar me dhunë, duke e hapur me forcë përmes mjetit të përshtatshëm, derën e lokalit “Frizer Liburni”.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit nga aty kanë vjedhur një gjenerator, në vlerë prej 150 euro, dy makina për qethje të flokëve të llojit “Moser Primat”, në vlerë 190 euro, dy arka me para, njëra e kursimeve të lokalit në vlerë 180 euro, si dhe një arkë e shoqatës  “Bereqeti”, si dhe një makinë për qethje në vlerë 20 euro, pronë e të dëmtuarit Milaim Haxholli.

Sipas akuzës, dy të akuzuarit dyshohet se kanë hapur me forcë edhe bastoren sportive të cilën e menaxhon i dëmtuari Durim Hyseni, ku prej aty kanë marrë para të gatshme në vlerë prej 170 euro, dhe më pas janë zënë nga policia. /BetimipërDrejtësi