MBAHET SHQYRTIMI I DYTË NË RASTIN E VRASJES SË BASHKËSHORTES ME THIKË

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj Nebi Berishës, i cili akuzohet se ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, duke e goditur plot 20 herë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj nuk e ka parashtruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe nuk ka kundërshtuar ndonjë provë, por ka kërkuar nga kryetari i trupit gjykues që të urdhërojë ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit që sipas tij, ka probleme psikike.

Prokurori Mehdi Sefa, ka kundërshtuar një kërkesë të tillë me arsye se në asnjë fazë të procedurës nga ana e prokurorisë, nuk është vërejtur që i akuzuari lëngon nga ndonjë sëmundje psikike dhe sipas tij, me këtë veprim, mbrojtja po tenton, që të akuzuarin ta shmangë nga përgjegjësia penale, për vrasjen e rëndë që ka kryer.

Kryetari trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka urdhëruar që në afat prej dy javësh të bëhet një ekzaminim psikiatrik nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, me të cilin ekzaminim duhet të vërtetohet nëse i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës penale a ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose të aftësisë së zvogëluar mendore dhe se i akuzuari do të jetë në gjendje për të përballuar gjykimin, të jep mbrojtjen  e tij dhe të kuptojë procedurën që do të zhvillohet ndaj tij.

Ky procs gjyqësor zhvillohet, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 29 janar 2016 ndaj Nebi Berishës nga Suhareka, të cilin e akuzon se me datë 23 tetor 2015, rreth orës 21:25, në shtëpinë e tij, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, lidhur me disa telefonata që i merrte ajo, me dashje, e ka provuar nga jeta bashkëshorten, duke e goditur me thikë plot 20 herë. Me këtë rast plagos në dorë edhe vajzën e tij, e cila është munduar ta mbronte nënën e saj.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë