MBAHET SHQYRTIMI I DYTË NDAJ PËRMBARUESIT PRIVAT, PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjtën, është mbajtur shqyrtimi i dytë, ndaj të akuzuarit, Mehdi Reshani, i cili akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në një rast të përmbarimit, në kompaninë “Agrokosova Holding”.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bashkim Nevzati, tha se ka kërkuar nga gjykata hudhjen e aktakuzës si të pabazë dhe ka bërë kundërshtimin e disa provave të organit të akuzës, konkretisht, vendimin e Komisionit Disiplinor, i cili është në procedurë kontestimore pranë Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai poashtu ka kundërshtuar edhe ekspertizën profesionale me arsye sepse e njëjta është e palës së dëmtuar e cila palë, sipas tij, ka interesa direkte në këtë çështje penale.
Prokurorja Ervehe Gashi, ka deklaruar se kërkesa e mbrojtjes, për hudhjen e aktakuzës, duhet të refuzohet dhe të shkohet në shqyrtim gjyqësor sepse e njëjta është e bazuar në prova të pranueshme. Sa i përket provave të kontestuara, ajo ka thënë se të njëjtat janë të pranueshme sepse vendimi është i lëshuar nga një komision i themeluar në bazë të ligjit, ndërsa ekspertizën e ka pranuar nga pala e paditur sepse prokuroria, sipas saj, ka detyrë parësore që të mbledhë të gjitha provat e mundshme, fajësuese apo shfajësuese.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, me aktvendim, ka vendosur që ndaj kërkesës së mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, do të vendosë me vendim me shkrim.
Ky rast zhvillohet, sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2015 nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj përmbaruesit privat, Mehdi Reshani, i cili akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e njëkohësisht duke i shkaktuar dëm personave tjerë, në atë mënyrë që edhe përkundër faktit se e kishte përmbaruar lëndën përmbarimore të kreditorit “Gruppo Vinicolo Fantineli” ndaj debitorit “QMI”, të dy palët si aksionarë në “Agrokosova Holding”, ka marrë sërish veprime ekzekutive pa e njoftuar debitorin “QMI”, duke nxjerrë nga objekti i “Agrikosova Holding” të gjithë stafin e të dëmtuarit “QMI”, me të cilat veprime ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.