MBAHET SHQYRTIMI I DYTË NDAJ MIKEL QUPIT, I AKUZUAR PËR PLANIFIKIM TË VRASJES SË MIMOZA KUSARIT
Raporton: Lutfi MORINA
Gjakovë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është mbajtur shqyrtimi i dytë, ndaj të akuzuarit, Mikel Qupi, i cili akuzohet se në bashkëpunim me dy shtetas të Republikës së Shqipërisë, Alberto Shiqerukaj dhe Gramoz Nokshiqi, ka planifikuar vrasjen e Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Kryetari trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, ka njoftuar se mbrojtja nuk ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës ose kundërshtimin e provave.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha, ka deklaruar se megjithëse në këtë fazë të procedurës, ka prova që sipas tij janë siguruar në kundërshtim me dispozitat e KPPK-së dhe se provat e dorëzuara atij, nga prokuroria, janë të palexueshme, ai nuk do të shfrytëzojë rastin ta ndërpresë këtë procedurë por se është i hapur që në shqyrtimin gjyqësor të përballet me provat dhe dëshmitarët e prokurorisë që sipas tij disa janë me të kaluar kriminale.
Prokurori Special, Ali Rexha, ka deklaruar se është në dispozicion të mbrojtjes për ofrimin e provave të nevojshme dhe se ka kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare rreth shtetasve nga Shqipëria.
I akuzuari Mikel Qupi nuk e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, në shqyrtimin fillestar, të mbajtur ka fundi i janarit të këtij viti.
Gjatë viti të kaluar, Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kishte deklaruar publikisht se ka pasur një planifikim për vrasjen e saj. Këtë e kishte kuptuar, pasi që njëri nga vrasësit e paguar ishte penduar dhe kishte raportuar në organe policore të Shqipërisë e këta të fundit kanë njoftuar Policinë e Kosovës.
Më 8 tetor 2015, Policia e Kosovës kishte njoftuar për arrestimin e Mikel Qupit, si të dyshuar për planifikimin e vrasjes së kryetares Kusari-Lila, i cili nga ajo kohë gjendet në paraburgim.