MBAHET SHQYRTIMI I DYTË NDAJ INSPEKTORIT KOMUNAL, PËR KEQPËRDORIM TË INFORMATËS ZYRTARE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, është mbajtur shqyrtimi i dytë, ndaj Nexhmedin Berishës, i cili akuzohet për keqpërdorim të informatës zyrtare, por i njëjti është ndërprerë sepse mbrojtjes nuk i ishin dhënë dokumentet nga prokuroria, të cilat i kishte kërkuar në shqyrtimin fillestar.

Prokurori ka njoftuar se më 12 shkurt 2016, mbrojtja kishte bërë parashtresë në prokurori, me të cilën kanë kërkuar që të arrihet marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, të njëjtën prokuroria e ka përpiluar dhe ka pritur palën mbrojtëse për ta nënshkruar por ata nuk janë paraqitur.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rexhep Hasani, ka deklaruar se në seancën e kaluar kishte kërkuar provat mbi të cilat mbështetet aktakuza si kallëzimin penal, urdhëresën për përgjim dhe fotografim, poashtu edhe transkriptin e bisedës së përgjuar, të cilat ende nuk i ishin dorëzuar atij dhe ka shtuar se pa i pasur këto prova, nuk ka se si të kërkojë hudhje të aktakuzës apo kundërshtimin e provave, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet.

Prokurori, ka thënë se dokumentet e kërkuara nuk ia kishte dhënë mbrojtjes sepse mbrojtja kishte bërë kërkesë për arritjen e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, andaj në këtë seancë ia ka dorëzuar avokatit kallëzimin penal dhe transkriptin e bisedës së përgjuar por jo edhe urdhëresën për përgjim ndaj të akuzuarit, për të cilën ka thënë se është në Prokurorinë Speciale në një rast tjetër të ndërlidhur me këtë rast dhe se të njëjtën, do t’ia dorëzojë mbrojtjes, gjatë ditës së hënë.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raime Elezi, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes, ka ndërprerë këtë shqyrtim dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 30 mars 2016, në ora 13:00.

Më 21 dhjetor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Nexhmedin Berisha, të cilin e akuzon se duke qenë në detyrën zyrtare, si inspektor në Komunën e Prizrenit, ka keqpërdorur informatën zyrtare, në atë mënyrë që me telefon e ka njoftuar një palë se inspektorët së bashku me policë, ishin duke shkuar te ai, për të kontrolluar lokalin  e tij dhe për të ekzekutuar një vendim të komunës për largimin e tij nga ai lokal.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë