MBAHET SHQYRTIMI I DYTË KUNDËR TË AKUZUARVE PËR DALLAVERET ME BARIN MJEKËSOR “OKI”

Raporton – Gëzim HASANI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj Nekibe Ejupit dhe Edmond Stavilecit, të cilët akuzohen për importim të jashtëligjshëm të barit mjekësor “OKI” në kuadër të kompanisë Omega Pharm.

Në fjalën hyrëse të saj prokurorja Dulina Hamiti, tha se në bazë të fakteve dhe provave do të konstatohet se të akuzuarit në fjalë kanë kryer vepër penale.

Merita Stublla Emini në cilësinë e avokates së Nekibe Ejupit në këtë shqyrtim gjyqësor, tha se personi mund të konstatohet fajtor vetëm nëse vendimi përfundimtar i gjykatës thotë ashtu. “Faktet dhe dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria e Shtetit, nuk janë mirë të bazuara dhe nuk janë të mjaftueshme për veprën që u vihet në barrë të akuzuarve”, tha mbrojtësja Merita Stublla Emini.

Poashtu ajo tha se Nekibe Ejupi ka nxjerrë lejen për importin e produktit mjekësor por konform kësaj leje, ishte bërë një gabim teknik nga ana e eksportuesit ku me atë rast është gjobitur Omega Pharm dhe gjoba është paguar në afat kohor të caktuar.

Mbrojtësi i Edmond Stavilecit, në këtë rast Behar Ejupi, deklaroi se nëse i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, ai nuk do të ishte duke punuar në cilësinë e oficerit në doganë sepse do të pezullohej tanimë nga puna dhe tha se i mbrojturi i tij në veprim apo mosveprim nuk i ka shkaktuar dobi Omega Pharm-it prandaj nuk e meriton veprën e vënë në barrë.

Për seancën e radhës me rekomandimin e mbrojtësve, gjykata ka marr aktvendim që të ftohen për të dëshmuar Lulzim Rafuna në cilësinë e drejtorit në doganë apo ndonjë zëvendës i tij i autorizuar dhe Rifat Muriqi në cilësinë e inspektorit farmaceutik.

Nekibe Ejupi në këtë çështje penale akuzohet se në cilësinë e përfaqësueses së kompanisë Omega Pharm ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” kurse i akuzuari tjetër Edmond Stavileci në cilësinë e oficerit në doganë, supozohet se ka mundësuar zhdoganimin e barnave të Omega Pharm duke kryer kështu veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë