MBAHET SHQYRTIMI GJYQËSOR PËR MASHTRIM DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Lon Kolës, i cili akuzohet për veprat penale të mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, pasi ka konstatuar se janë të pranishëm të gjitha palët e nevojshme ka hapur shqyrtimin gjyqësor, në të cilin janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Dëshmitari Haki Krasniqi ndër të tjera ka deklaruar se pronar i kombit të markës “Mercedes”,  që është objekt i shqyrtimit në këtë rast, ka qenë Fatmir Hajdari, por ka qenë i regjistruar në emër të tij sepse ai ka punuar me atë mercedes dhe me të njëjtin ka udhëtuar.

Dëshmitari tjetër Besim Sylbije, ka thënë se ka qenë prezent në rastin e shitblerjes së kombit në fjalë, në mes Fatmirit si shitës dhe Lon Kolës si blerës, më tej ka shtuar se ai personalisht ia ka dhënë Fatmirit 1700 euro në emër të të akuzuarit, ndërsa Loni, sipas tij, ka pasur për t’ia dhënë edhe 300 euro Fatmirit sepse pazari ishte bërë për 2000 euro, poashtu ka theksuar se nuk e di nëse Fatmiri i kishte borxh Lon Kolës por se ka qenë prezent kur Loni e kishte marrë kombin nga Fatmiri.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, ka kërkuar që të ftohet për të dëshmuar Gazi Baxhaku dhe sërish të thirret për të dëshmuar dëshmitari Fatmir Hajdari me arsye se dëshiron t’i bëjë disa pyetje rreth situatës së pasqaruar mirë nga ana e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina ka kundërshtuar propozimin e prokurorit për të dëgjuar dëshmitarët Gazi Baxhaku dhe Fatmir Hajdari sepse për rastin janë deklaruar dhe nuk ka ndonjë rrethanë të re për të cilën do të ballafaqohet dëshmitari Fatmir Hajdari.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e prokurorit, andaj seancën e ka ndërprerë dhe të njëjtën e kanë caktuar për 04 prill 2016, për të cilën seancë ka lëshuar urdhëresë që Gazi Baxhaku të sillet me forcë, me arsye se i njëjti ishte ftuar për të marrë pjesë në këtë seancë, por kishte refuzuar.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë