MBAHET SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ ZYRTARVE TË KAMENICËS

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore të Gjilanit të hënën është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Xhemail Berishës dhe Fadili Kastratit, të akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’.

Gjatë kësaj seance palët dhanë fjalën e tyre hyrëse, gjatë së cilës prokurori i shteti Arben Kadriu tha se të akuzuarit Xhemail Berishës dhe Fadili Kastratit  ka kryer veprat penale të përshkruara në aktakuzë. Sipas tij një gjë e tillë do të vërtetohet përmes dëgjimit të dëshmitarëve të ftuar në këtë proces gjyqësor, por edhe pas administrimit të provave materiale.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Ilmi Dalipi dhe Ramadan Leka thanë se aktakuza si e tillë nuk ka mbështetje në dispozita ligjore, prandaj dhe do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve.

Pas fjalës hyrëse shqyrtimi gjyqësor u ndërpre me arsyetimin se njëri nga anëtarët e trupit gjykues duhej të merr pjesë në një shqyrtim tjetër gjyqësor. Seanca e radhës u caktua për datë 30 gusht  2016 në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së datës 23 maj 2014,të akuzuarit Berisha dhe Kastrati në cilësinë e personave
zyrtarë duke qenë përgjegjës për përpilimin dhe dorëzimin e listave të përfituesve të parapensionit për punëtorët e e kompleksit “Trepça” dhe ndërmarrjes “Jometal” dhe XIQ “Karaqevë” për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar të hyra nga buxheti i Kosovës duke e listuar kështu edhe emrin e tyre në kundërshtim me nenin 2 të Udhëzimit Administrativ për pensionim të parakohshëm për punëtorët e Kompleksit ”Trepça” ashtu që Berisha ka dëmtuar Buxhetin e Kosovës dhe ka përfituar për vete shumën prej 700 eurove,i pandehuri Fadil Kastrati ka dëmtuar Buxhetin dhe ka përfituar për vete shumën prej 1.900 eurove, ndërsa Heset Krasniqi edhe pse ka qenë në marrëdhënie pune e kanë listuar po ashtu për para pension, duke i mundësuar të njëjtit përfitim në shumën prej 3.200 euro. Po ashtu i dëmtuari Refik Jakupi edhe pse i ka plotësuar kushtet, të njëjtin nuk e kanë listuar në listën për para pension duke dëmtuar kështu në shumën prej 3.670 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë