MBAHET SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË KAÇANIKUT PËR SHPËRDORIM TË POZITËS ZYRTARE
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premtën, është mbajtur shqyrtimi i dytë gjyqësor ndaj Hajredin Shehut, Ramiz Shehut, Agron Shurdhanit dhe Xhelal Gashit, të cilët akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”. Në këtë shqyrtim gjyqësor asnjë nga të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprën penale që u ngarkohet sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Gjatë këtij shqyrtimi para se të akuzuarit të deklaroheshin rreth fajësisë për veprën penale që u ngarkohet, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Shurdhani, avokati Daut Rudi propozoi trupit gjykues që aktakuzën e ngritur nga Prokuroria t’a hedh poshtë si të pabazuar, pasi që sipas tij në dispozitivn e aktakuzës nuk ka vlerë të caktuar të dëmit të shkaktuar dhe nuk është e përcaktuar as pala e dëmtuar, ku sipas Rudit kjo është në kundërshtim me nenin 339 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa këtë propozim e kundërshtoi prokurori i shtetit Rasim Maloku, i cili i’u kundërpërgjigj avokatit Rudi, duke deklaruar se vlera e dëmit të shkaktuar gjendet në akuzë dhe atë shuma prej 250,000 euro, ndërsa palë e dëmtuar prokurori tha se është Komuna e Kaçanikut.
Ndërkaq sa i përket fajësisë, që të gjithë të akuzuarit në këtë shqyrtim gjyqësor deklaruan se nuk janë fajtor për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit “ nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Seanca e rradhës u caktua të mbahet më 20 prill 2016 ku edhe do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj , Hajredin Shehu, Ramiz Shehu, Agron Shurdhani, Xhelal Gashi akuzohen se gjatë muajit nëntor – dhjetor 2007 në Kaçanik , në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejlkaluar kompetencat, në procedurën e tenderimit për asfaltimin e rrugës lokale të fshatit Stagovë, në Kacanik, të shpallur më 25 tetor 2007 me numër të prokurimit 109788/07/027/521, në atë mënyrë që i pandehuri Agron Shurdhani ka nënshkruar kontratë me NTP “Burimi” me seli në Kaçanik , edhe pse këtë kontratë është dashur t’a nënshkruaj menaxheri i zyrës së prokurimit publik. Ndërsa i pandehuri Hajredin Shehu si mbikëqyrës i punimeve për asfaltimin e kësaj rruge më 17 dhjetor 2007 ka përpiluar një raport ku ka konstatuar se nga ndërmarrja “Burimi” janë kryer punët sipas kontratës për pozicionet e caktuara , edhe pse punimet në rrugën e përmendur as që kishin filluar e të cilin raport e kishte përpiluar pas marrëveshjes gojore me të pandehurin Xhelal Gashi, i cili si Kryetar i Kuvendit të Komunës së Kaçanikut , këtë raport e ka konfirmuar edhe me rekomandimin e 18 dhjetorit 2007 me numër 01-nr.150/2007, e në bazë të cilit raport i pandehuri Ramiz Shehu si ushtrues detyre i zyrës së prokurimit ka lëshuar urdhër-blerje në vlerë prej 267,598 euro.