MBAHET SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ KRYETARIT TË KLLOKOTIT SREQKO SPASIQ
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan- Në Gjykatën Themelore të Gjilanit të enjten është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq, i akuzuar për veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’dhe ‘cënim i të drejtave në punë’.
Gjatë kësaj seance palët dhanë fjalën e tyre hyrëse, gjatë së cilës prokurori i shteti Arben Kadriu tha se i akuzuari Sreqko Spasiq ka kryer veprat penale të përshkruara në aktakuzë. Sipas tij një gjë e tillë do të vërtetohet përmes ndëgjimit të dëshmitarëve të ftuar në këtë proces gjyqësor, por edhe pas adminstrimit të provave materiale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Avdylaziz Sadiku tha se aktakuza si e tillë nuk ka mbështetje në dispozita ligjore, prandaj dhe do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarit.
Pas fjalës hyrëse shqyrtimi gjyqësor u ndërpre me arsyetimin se njëri nga antarët e trupit gjykues duhej të merr pjesë në një shqyrtim tjetër gjyqësor. Seanca e radhës u caktua për datë 13 qershor 2016 në ora 9:00.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sreqko Spasiq, prej 10 dhjetorit 2015, si Kryetari i Komunës të Kllokotit, ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin, në atë mënyrë që me dashje ka shkelur të drejtën e punëtores Milica Mikroviq. Keqpërdorimi ka ardhur si pasojë e mos respektimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të 10 dhjetorit 2015, për kthimin në punë dhe detyrë të punës si menaxhere e Biblotekës së Komunës së Vitisë, edhe pse ka qenë i obliguar ta zbatojë një vendim të tillë.