MBAHET SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ GJASHTË TË AKUZUARËVE PËR GRABITJE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premtën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Burim Berishës, Fatos Azizit, Haki Isufit, Fikret Muratit, Xhelal Azizit dhe Selami Beqirit, të cilët akuzohen për veprën penale”grabitje” nga neni 255 paragrafi 3 lidhru me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës. Në këtë çështje penale gjithashtu ishte i përfshirë edhe i akuzuari Faruk Ademi, por për të cilin në këtë shqyrtim të mbajtur u vendos që të veçohet procedura pasi që kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli konstatoi se Policia e Kosovës nuk kanë arritur t’a gjejnë brenda territorit të Kosovës.

Lënda penale për grabitje ndaj gjashtë të akuzuarëve ishte vendosur me verdikt final nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë , mirëpo për të akuzuarin Xhelal Azizi, i cili ishte në arrati për një kohë nuk është vendosur me të njejtin aktgjykim. Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 janar 2015 ndaj Xhelal Azizit kishte filluar procedurë e veçantë penale në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Pasi që Xhelal Azizi akuzohet se kishte kryer veprën penale në fjalë në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë në vitin 2008, e për të cilët ishte vendosur njëherë me aktgjykim të formës së prerë por që çështja pastaj i është kthyer në rigjykim Gjykatës së shkallës së pare. Në Gjykatën Themelore në Ferizaj,  në mes palëve ekzistonte dilema se a të vazhdohet procedura sipas dispozitave ligjore të Kodit Penal të vjetër apo të procedohet sipas dispozitave ligjore që tani janë  në fuqi. Dilema kishte edhe rreth asaj se pasi që lënda është kthyer në rigjykim ndaj të akuzuarëve Burim Berisha, Fatos Azizi, Haki Isufi, Fikret Murati dhe Selami Beqiri  dhe rishtas është vazhduar me procedurë të veçantë ndaj të akuzuarit Xhelal Azizi, nëse duhet të udhëhiqet procedurë e ndarë ndaj tij, apo çështja penale ndaj tij të bashkohet me çështjen penale tani në rigjykim së bashku me të akuzuarit e tjerë.

Lidhur me këtë prokurorja e shtetit Florije Shamolli propozoi që procedura ndaj të pandehurit Xhelal Azizi të vazhdohet si procedurë e përbashkët ku kërkoi që të bashkohet lënda e të akuzuarit Azizi me të akuzuarit e tjerë .

Ndërsa lidhur me të akuzuarin Faruk Ademi i cili nuk është siguruar nga ana e policisë dhe i cili gjendet në arrati prokurorja Shamolli propozoi trupit gjykues që ndaj tij të veçohet procedura. Përkitazi me këtë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli morri aktvendim me të cilin aprovua propozimi i prokurores për veçimin e procedurës ndaj të pandehurit Faruk Ademi për veprën penale në bashkëkryerje “grabitje” nga neni 255 paragrafi 3 lidhru me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës. Gjithashtu trupi gjykues në këtë shqyrtim gjyqësor morri aktvendim me të cilin u vendos që të bashkohet procedura ndaj të akuzuarit Xhelal Azizi me të akuzuarit e tjerë, meqenëse të gjithë t pandehurit akuzohen për veprën e njejtë penale dhe për kohën e njejtë të kryerjes së saj.

Pas kësaj, shqyrtimi vazhdoi me leximin e akuzës së rikualifikuar, ku të pandehurit akuzoheshin edhe për veprën penale “pjësëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 par.1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës, e që për këtë vepër më aktgjykim të ish Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të pandehurit e kanë vuajtur dënimin, ndërsa prokurorja me akuzën e rikualifikuar mbeti vetëm pranë veprës penale “grabitje” 255 paragrafi 3 lidhru me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa pas leximit të akuzës, rreth pranimit të fajësisë mbrojtësit e të akuzuarëve kërkuan nga trupi gjykues që t’u jepet pak kohë në mënyrë që të konsultohen me të mbrojturit e tyre. Trupi gjykues e aprovoi propozimin e tillë, ndërsa pas disa minutash të konsultimit pala mbrojtëse, gjegjësisht mbrojtësi i të akuzuarit Burim Berisha, avokati Avni Ibrahimi deklaroi se së bashku me të pandehurit e tjerë dhe mbrojtësit e tyre kanë arritur në pajtim që me lejen e trupit gjykues atyre t’u jepet një afat prej së paku 7 ditësh dhe pastaj të akuzuarit të deklarohen rreth fajësisë.

Edhe këtë propozim të mbrojtësve trupi gjykues e aprovoi, ndërsa seanca e rradhës u caktua të mbahet më 27 prill 2016, në ora 14:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25.08.2008 të pandehurit Burim Berisha, Fatos Azizi, Haki Isufi, Fikret Murati, Xhelal Azizi, Selami Beqiri akuzohen se me datë 9qershor 2008 rreth orës 08:06 në Ferizaj ,në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në filialen e bankës Pro Credit Bank, me qëllim të përfitimit direkt material duke vepruar si grupi i organizuar kriminal kanë kryer veprën penale “grabitje”, në atë mënyrë që të pandehurit Burim Berisha dhe Haki Isufi pas përpilimit të planit paraprak për të grabitur filialen e bankës në fjalë të njejtit me datë 9 qershor 2008 rreth orës 08:06 janë takuar dhe me veturë janë nisur për në bankë ku pasi kanë arritur aty të maskuar me maska, me dorëza të dorës si dhe të armatosur me revole të cilat i kanë mbajtur në dorë  kanë hyrë brenda në bankë  ku pastaj i pandehuri Xhelal Azizi i ka shtrirë në tokë rojet e sigurimit të bankës duke i kërcënuar, që të mos lëvizin se përndryshe do t’i vrasë, kurse i pandehuri Burim Berisha ka shkuar në zyret ku gjendeshin arkat e bankës dhe me revole të drejtuar ndaj personave zyrtar që punonin aty ka marrë shumën e të hollave prej 111.182.92 euro dhe 196.889 dollarë amerikan si dhe 40 franga zvicrane. Pasi janë larguar nga banka ata kanë shkaur tek Qendra e Mjekësisë Familjare në Ferizaj ashtu siç edhe ishin marrë vesh më herët ku janë takuar me të pandehurin Faruk Ademi i cili ka qenë duke i pritur së bashku me të pandehurin Fatos Azizi, ku i pandehuri Haki Isufi  u kishte premtuar atyre para në shumë prej 10.000 euro. Prej aty i pandehuri Fatos Azizi së bashku me parat e marra ka marrë veturën dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të Gjilanit ndërsa i pandehuri Burim Berisha ka marrë një taxi dhe ka shkuar në një restaurant në rrugën Ferizaj – Kaçanik ku aty kishte lënë revolen e përdorur në koshin e plehërave në banjo të restaurantit.

Kurse në anën tjetër të pandehurit Xhelal Azizi dhe Faruk Ademi kanë vazhduar me makinë drejt pyllit afër fshatit Zllatarë në Ferizaj, aty kanë marrë qantat me para dhe pastaj janë ndarë ku i pandehuri Xhelal Azizi i ka dhënë të pandehurit Faruk Ademi shumën prej 3000 euro dhe 5100 dollarë. Pasi që këta të dy janë ndarë i pandehuri Xhelal Azizi është takuar në një kafe me të pandehurit Fikret Murati ,Haki Isufi dhe Burim Berisha  ku këta tre të fundit ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërkaq i pandehuri Xhelal Azizi është arratisur ku kishte marrë me vete 40.000 euro, ndërsa më vonë janë arrestuar edhe të pandehurit e tjerë.  Me këtë ata kanë kryer veprën penale “grabitje” nga neni 255 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë