MBAHET SHQYRTIMI FILLESTAR PËR VRASJEN E TREFISHTË NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarëve Esheref dhe Ejup Shemallari, të cilët, akuzohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, të kryer më 8 mars 2015, ku pas një historie të gjatë konflikti, kishin qëlluar për vdekje, me pushkë automatike dhe pistoletë, Ferdi Shishkon, Haki Thaqin dhe Bilgin Ersojin.

I akuzuari Eshref  Shemallari ka pranuar veprën penale të armëmbajtjes pa leje por jo edhe të vrasjes së rëndë, ndërsa djali i tij Ejup Shemallari nuk i ka pranuar asnjërën nga veprat penale.

Avokatët mbrojtës, Mahmut Halimi dhe Betim Shala, kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen me shkrim kryetarit të trupit gjykues, për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të parashtruara në aktakuzë.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka njoftuar se do të mbahet edhe shqyrtimi i dytë, në të cilin do të vendoset për kërkesat e mbrojtjes, rreth kundërshtimit të provave dhe hedhjes së aktakuzës, andaj e ka përfunduar shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimin  e dytë e ka caktuar më 29 mars 2016, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës, në mars 2005, kishte kulmuar një konflikt i gjatë në mes të akuzuarëve dhe të vrarëve, ku para tri viteve të ndjerët e kishin lënduar rëndë Eshrefin, duke e bërë për spital, dhe më vonë, sipas familjarëve të të akuzuarve, të njëjtit e kishin ngacmuar edhe të akuzuarin tjetër, andaj, sipas prokurorisë, të akuzuarit në atë ditë marsi, nga afërsia kanë qëlluar me breshëri plumbash mbi të ndjerët duke shkaktuar vdekjen e tyre.

Të akuzuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe për një kohë të shkurtër kanë qenë në arrati, më pas, ishte dorëzuar babai, në Stacionin Policor në Prishtinë i pasuar edhe nga djali i tij në Stacionin Policor në Suharekë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë