MBAHET SHQYRTIMI FILLESTAR PËR DALLAVERET ME PARA TË GRUMBULLUARA PËR NDIHMË HUMANITARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në  Ferizaj, të enjtën, rreth katër orë ka zgjatur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarave Zelije Kashtanjeva dhe Vigane Kadrijaj, të cilat, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit gjatë detyrës zyrtare”. Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin i dëmtuari Muhamet Kuka, dhe dy dëshmitaret e Prokurorisë, Midushe Hasani dhe Magbule Rexhepi, ndërkaq mungonin dëshmitarët e tjerë: Shpresa Berisha, Shqipe Selimi, Emrush Demiri dhe Arben Gashi, të cilët sipas kryetarit të trupit gjykues nuk ishin ftuar në mënyrë të rregulltë nga gjykata.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shukri Jashari, gjatë periudhës janar – mars 2009, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtarë të Organizatës Joqeveritare (OJQ) “Edhe unë jam Kosovë”, me seli në Ferizaj, e akuzuara Zelije Kashtanjeva, në cilësinë e drejtoreshës, kurse e akuzuara tjetër Vigane Kadrijaj në cilësinë e arkëtares, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat sipas autorizimit. Sipas aktakuzës, të akuzuarat pasi kanë marrë autorizim për grumbullimin e mjeteve nga prindi i Pranvera Kukës, Muhamet Kuka, e cila për shkak të sëmundjes dhe në pamundësi që të siguroj mjete materiale vet për shërimin e saj jashtë vendit, aktivistët e kësaj OJQ-je i kanë grumbulluar mjetet në emër të Pranvera Kukës, në shumë 20.000 euro, të cilat mjete pastaj i kanë dorëzuar tek të akuzuarat, prej të cilave një shumë simbolike i ishte dhënë Muhamet Kukës, kurse 3600 euro, e akuzuara Zelije Kashtanjeva i’a ka dhënë motrës së saj Zarije Bajramit, e cila gjendet në Zvicër, për tu kujdesur për Pranverën kur e njëjta të dërgohet atje për shërim, kurse për pjesën tjetër të parave nuk është mbajtur asnjë evidencë se ku janë shpenzuar.

Në vazhdim të seancës prokurori Shukri Jashari, ka lexuar aktakuzën dhe pas kësaj Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, ka ftuar të akuzuar akuzuarat të deklarohen rreth fajësisë për veprën penale që i rëndon.  Lidhur me këtë të dy të akuzuarat deklarohen se nuk janë fajtore, dhe nuk e pranojnë fajësinë. E akuzuara Zelije Kashtanjeva tha se nuk qëndron baza e aktakuzës dhe e njëjta nuk është e mbështetur në asnjë provë, ndërsa ka theksuar se gjykatës do t’i paraqesë prova me të cilat do të konstatohet gjendja faktike. Të njëjtën gjë e ka mbështetur e akuzuara Vigane Kadrijaj.

Tutje, në sallën e gjykimit, është ftuar i dëmtuari Muhamet Kuka, në cilësinë e dëshmitarit. Kuka tha se e përkrah fjalën hyrëse të prokurorit Shukri Jashari. Ai ka thënë se vajza e tij, Pranvera Kuka, ishte duke vuajtur nga një sëmundje e rëndë dhe me qëllim që ta shërojë atë, ai kishte kërkuar ndihmë në të gjitha institucionet shtetërore që t’i sigurohen mjete financiare për shërimin e saj pasi që ai vet nuk kishte pasur mundësi financiare, dhe pasi që ato nuk ka mundur t’i sigurojë as nga institucionet shtetërore, ai kishte bërë apel për ndihmë me anë të miqve të tij në media dhe rrjete sociale. Ndërkohë, ishte paraqitur e akuzuara Zelije Kashtanjva, në cilësinë e drejtoreshës së OJQ-së “ Edhe unë jam Kosovë” e cila e kishte takuar Muhamet Kukën personalisht, duke i ofruar ndihmë, përkatësisht duke i thënë se si shoqatë do t’a ndihmojnë që t’i grumbullojë mjetet financiara për shërimin e vajzës së tij.

Kuka tha se pas një kohe 3-4 muaj, ishte interesuar për këto mjete se sa ishin grumbulluar, dhe që për të njëjtat e akuzuara Zelije Kashtanjeva i kishte thënë se nuk kishin arritur të grumbullonin mjete të mjaftueshme, dhe i kishte paraqitur atij një raport ku shihej se nga mjetet e grumbualluara ishin vetëm nga 10 ose 20 cent ose edhe shuma pak më të larta 5, 10 euro,e rrallë ndonjë shumë 20 euro, ku në total kishin arritur të siguronin rreth 20.000 euro, të cilat pastaj ia kishin derdhur në llogarinë bankare të hapur në emër të vajzës së tij, në bankën “Raiffeisen Bank” .

Gjatë kësaj seance i dëmtuari Kuka u revoltua me të akuzuarën Kashtanjeva pasi që kjo e fundit ndërhynte disa herë gjatë dhënies së deklarimit të tij para trupit gjykues, e të cilës kryetari i trupit gjykues i’a tërheq vërejtjen, që mos të flasë pa lejen e trupit gjykues.

Seanca u vazhdua edhe me dëgjimin e dy dëshmitarëve të propozuara nga prokurori, të cilat në pyetjet e drejtëpërdrejta të prokurorit deklaruan se gjatë periudhës janar-mars 2009 , kanë punuar si aktiviste në OJQ “Edhe unë jam Kosovë”, në Ferizaj, dhe që gjatë kësaj kohe kanë grumbulluar mjete financiare për shërimin e Pranvera Kukës jashtë vendit.  Këto mjete ato i kanë siguruar nga ana e qytetarëve vullnet mirë, nga firma të ndryshme, por që më së shumti kanë mundur t’i sigurojnë nga organizata fetare, konkretisht xhamitë, pothuajse nëpër të gjitha qytetet e Kosovës. Mirëpo, lidhur me parat që i kanë siguruar ato deklaruan se asnjëherë nuk janë interesuar se sa kishte arritur vlera e shumës në total, për rastin konkret, shërimin e Pranvera Kukës.

Pas dëgjimit të dëshmitareve ka përfunduar seanca e së enjtës, ndërsa trupi gjykues ka njoftuar palët se do t’i ftoj në mënyrë të rregulltë pasi të caktohet data e saktë për mbajtjen e seancës së radhës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë