MBAHET SHQYRTIM GJYQËSOR PËR LËNDIM TË LEHTË TRUPOR DHE PËRDORIM TË ARMËS

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën,  është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Muhamet Brngjanin dhe Ismet Brnqanin, të cilët akuzohen për veprat penale të lëndimit të lehtë trupor, përdorimit të armës dhe armëmbajtje pa leje.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, me pajtimin e palëve prezente ka hapur shqyrtimin, në të cilin është lexuar aktakuza nga prokurori Metush Biraj.

I akuzuari Ismet Brngjanin ka pranuar veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën ngarkohet me aktakuzë.

I akuzuari Muhamet Brngjanin nuk e ka pranuar asnjërën nga veprat penale që ngarkohet me aktakuzë, me arsye se ai nuk e kishte përdorur armën për të cilën pretendon organi i akuzës por një armë tjetër.

Për shkak se nuk është pranuar fajësia nga i akuzuari Muhamet Brngjanin, seanca ka vazhduar me procedurën e provave.

Prokurori, Metush Biraj, në fjalën hyrëse të tij ka thënë se në bazë të provave që janë grumbulluar gjatë hetimeve, të cilat ia kemi bashkangjitur kësaj aktakuze do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.

Mbrojtësi i Muhamet Brngjaninit, avokati Shaban Berisha në fjalën e tij hyrëse ka thënë se aktakuza, në aspektin ligjor nuk është e ligjshme sepse sipas praktikës vepra më e rëndë e konsumon veprën më të lehtë. Ka shtuar se armët e gjetura tek i akuzuari i tij nuk janë të përdorshme dhe nuk janë armë në kuptim të ligjit mbi armët, andaj ka propozuar që akuza si e tillë të refuzohet.

Në mungesë të dëshmitarëve në këtë rast penal, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca të ndërpritet dhe të njëjtën e kanë caktuar për 25 prill 2016, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Muhamet Brngjanin dhe Ismet Brnqanin, të cilët i akuzon se pas një mosmarrëveshje paraprake me të dëmtuarin Shani Kurtaj, i akuzuari Muhamet Brngjanin e godet  atë me dorëzën e armës në trup dhe i shkakton lëndime trupore, poashtu gjuan me të njëjtën armë në drejtim të qiellit duke e kërcënuar me fjalët “të vras”, pas kontrollit në shtëpinë e tij i gjejnë edhe një armë të tipit revolver, me këto veprime ka kryer veprat penale të shkaktimit të lëndimit të lehtë trupor, armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë