MBAHET SEANCË E MBYLLUR NDAJ KATËR TË AKUZUARËVE PËR TERRORIZËM

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurëve Zeqirja Qazimi, Sadat Topojani, Jetmir Kyqyku dhe Ilir Krraba, të cilët akuzohen për veprat penale “rekrutim për terrorizëm”, “nxitja e urrejtjes, përcarjes ose mosdurimi racor, fetar apo etnik”, “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”. Shqyrtimi i së martës ndaj katër të akuzuarëve me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sadat Topojani, avokatit Jeton Berisha vazhdoi të mbahej e mbyllur, pa praninë e publikut.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Topojani, avokati Jeton Berisha në fillim të shqyrtimit gjyqësor deklaroi se klienti i tij është dakorduar që të jap mbrojtjen e tij dhe të përgjigjet në të gjitha pyetjet e palëve në procedurë, por me kusht që përveç palëve kryesore në procedurë, publiku të mos jetë prezent, sepse sipas tij informacionet e marra nga salla e gjykimit po transmetohen në portale të ndryshme e që për këtë klienti i tij, i akuzuari Sadat Topojani, nuk ishte i pajtimit që ato çfarë do t’i deklaroj t’i bëhen publike, me arsye se shumica e transkripteve të sms-ve si prova material të çështjes konkrete, janë komunikime familjare të të akuzuarit dhe një gjë e tillë sipas avokatit do të rrezikonte seriozisht jetën personale dhe familjare të të akuzuarit , e që do të ishte në kundërshtim me nenin 294 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale Zeqirja Qazimi, Sadat Topojani, Jetmir Kyqyku dhe Ilir Krraba akuzohen se me dashje kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen ee veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime material, kështu që i pandehuri Zeqirja Qazimi që nga fillimi i luftës në Siri gjatë vitit 2011 ka filluar të mbaj ligjerata në OJQ “Rinia Islamike”, në Kaçanik, për rëndësinë e xhihadit, duke e krahasuar një orë luftimi me 30 vite ibadet (kryerja e obligimeve fetare), e posaçërisht prej gushtit 2013, si imam në xhamin “ El-Kuddus” në Gjilan, ku ka mbajtur ligjërata, si dhe në Kaçanik, Han të Elezit  dhe Viti, me ç’rast ka potencuar se lufta e xhihadit në Siri është luftë e shenjtë ku edhe ka potencuar rëndësinë e bashkëngjitjes në ISIS dhe Jaabat Al-Nusra.

Ndërsa i pandehuri Sadat Topojani akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në veprimtarinë e OJQ “Rinia Islamike” në Kaçanik dhe “Nektari” në Han të Elezit, i cili ka qenë udhëheqës për regjionin e Hanit të Elezit, për rekrutimin dhe shkuarjen e personave të rinj në luftën në Siri, në periudhën kohore prej vitit 2013 deri në qershor të vitit 2014, gjithashtu ka ndihmuar të akuzuarin Zeqirja Qazimi rreth financimit dhe organizimit të rinjve për të iu bashkëngjitur ISIS-it në Siri, duke komunikuar në këtë pikëpamje me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Haqifin si dhe lidhur me mbështetjen logjistike.

I pandehuri Jetmir Kyqyku akuzohet se në bashkëpunim me Lavdrim Muhaxherin dhe Ilir Berishën u ka ndihmuar në propogandimin, oranizimin dhe rekrutimin e disa të rinjëve të rrethit të Kaçanikut e më gjerë, që t’i bahskëngjiten organizatës ISIS në Siri, cfarë rruge të përdorin, kënd t’a kontaktojnë, kështu që më 5 tetor 2013 në ora 11:47 Iliri ka dërguar  Jetimir SMS, përmes të cilit ai i tregon Jetmirit se “ kanë hyp në aeroplan për me udhëtu në Turqi e pastaj në Siri”, në ora 15:03 Jetmiri i ka dërguar SMS Ilirit “O vlla elhamdulilah që keni hyp inshAllah edhe keni mrri mirë”, ndërsa Jetmiri i ka dërguar SMS Lavdrim Muhaxherit, përmes së cilit njoftohet ai “që duhet të dal dikush me I prit disa persona në Hatay të Turqisë”.

Pika 2 e aktakuzës akuzon të pandehurin Ilir Krraba dhe Sadat Topojani se me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë marrë vesh që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste ISIS. I pandehuri Sadat Topojani prej dhjetorit 2012 deri në fund të shkurtit 2013 ka qëndruar në Siri rreth dy muaj, kurse i pandehuri Ilir Krraba prej 8 tetor 2013 deri në shtator 2014.

Sipas pikës 3 të aktakuzës i pandehuri Zeqirja Qazimi akuzohet se duke keqpërdorur pozitën si imam në Xhamin “El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe të tjera që jetojnë në Repubilkën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin public, në atë mënyrë që në një video-incizim të postuar në vitin 2013 në Youtube ka thënë “gjaku i kufarëve (mosbesimtarëve) është pija më e mirë për ne”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë