MBAHET SEANCA NDAJ SHTATË TË AKUZUARËVE PËR KORRUPSION

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të martën, është mbajtur seanca e parë e shqyrtimit kryesor ndaj Hanifa Lajiq, Haxhi Istrefaj, Lavdim Zhubaj, Pleurat Gashi, Muhamet Gashi, Luljeta Cena si dhe Teuta Blakaj të akuzuar për një mori veprash penale në lidhje me keqpërdorim të detyrës.

Në fillim të seancës, prokurori i shtetit Agron Matjani ka lexuar dispozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit, ndërsa të gjithë të akuzuarit i mohuan veprat penale dhe u deklaruan të pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, prokurori Matjani tha se aktakuza përmbanë prova të mjaftueshme për vërtetimin se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa tha se kjo mbështetet me provat materiale.

Në anën tjetër, avokati mbrojtësi i Hanifa Lajiq, në fjalën hyrëse tha se aktakuza është jo ligjore, për faktin se para ngritjes së saj, nuk janë kryer hetimet nga prokuroria.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Haxhi Istrefaj, në fjalën hyrëse tha se aktakuza si e tillë nuk mund të qëndroi, për faktin se është tërësisht e kundërligjshme, duke kërkuar që aktakuza t’i kthehet prokurorisë për zhvillimin e hetimeve, në të kundërtën ta hedhë poshtë.

Shqyrtimi gjyqësor ka vahduar me mbrojtjen e të akuzuarve, ku Hanifa Lajiq dhe Haxhi Istrefaj thanë se kishin vendosur të mbrohen në heshtje, duke mos u deklaruar rreth çështjes.

Në mbrojtjen e vet, i akuzuari Lavdim Zhubaj tha se nga i akuzuari tjetër Pleurat Gashi, në vitin 2010 i kishte marr pesë certifikata të thata dhe të panënshkruara të shtetësisë, por të cilat i’a kishte kthyer. Tutje, i akuzuari tha se pas pak ditësh Pleurati i kishte thirrur dhe i kishte kërkuar kthimin e certifikatave, gjë që edhe kishte ndodhur.

Në mbrojtjen e vet, i akuzuari Pleurat Gashi tha se pesë certifikatat që i’a kishte dhënë të akuzuarit Lavdim Zhubaj, i kishte marr në zyren e shefit të ofiqarisë, por që pas dy ditësh të njejtat i kishte marr prapë dhe i kishte dorëzuar në polici. Tutje, i akuzuari tha se në lidhje me këtë rast ka pasur edhe një shqyrtim gjyqësr në ish-Gjykatën Komunale në Pejë, në vitin 2010, e cila e kishte dënuar me dënim me kusht.

Në mbrojtjen e vet, i akuzuari Muhamet Gashi tha se në Komunën e Klinës, certifikatat kanë numër serik dhe secili ofiqar ngarkohet me certifikata në bazë të atij numri. Tutje, i akuzuari tha se që nga janari 2011, ka një mënyrë strikte të ngarkesës së ofiqarëve me certifikata dhe se mbahet evidencë për numrin e certifikatave dhe ofiqarëve të cilët ngarkohen. “Sa i përket certifikatës së shtetësisë, të falsifikuar dhe e cila më ngarkon aktakuza, unë jam ngarkuar me certifikata më 7 korrik 2010, ndërsa certifikata e falsifikuar është lëshuar më 16 qershor 2010, pra 20 ditë më herët” tha i akuzuari Gashi.

Në mbrojtjen e vet, e akuzuara Luljeta Cena tha se më 27 shtator 2010 e kishte lëshuar një certifikatë të lindjes, tërësisht në bazë të rregullave ligjore. “Në këtë rast pala ka qenë e akuzuara Hanifa Lajiq, por që ka pasur autorizim dhe me lëndë të kompletuar, andaj unë kam qenë e obliguar t’ia lëshoj certifikatën”, tha e akuzuara Cena. Tutje ajo tha se “nuk e di si ka qenë e mundur që certifikata, e cila ishte ngarkuar me numër serik në Komunën e Klinës, të jetë pikërisht certifikata e lëshuar të akuzuarës Hanifa Lajiq”.

Në mbrojtjen e vet, e akuzuara Teuta Blakaj tha se me rastin e lëshimit të certifikatës, e cila përmendet në aktakuzë si e falsifikuar, pala kishte ardhur me dokumentacionin në rregull dhe lëndë të kompletuar. Tutje, e akuzuara tha se “nuk mund të deklarojë se si ka ardhur certifikata e Komunës së Klinës tek ata dhe si e ka plotësuar ajo, për faktin se certifikatat që ata i lëshojnë janë me numër serik dhe të nënshkruara dhe të vulosura nga shefi i ofiqarisë”.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për 14 prill 2016, ku palët do të japin fjalën përfundimtare.

Ky rast gjyqësor po zhvillohet sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Komunale në Gjakovë të vitit 2012. Në bazë të pretendimit të prokurorisë, e akuzuara Hanifa Lajiq më 24 shtator 2010, ka vënë në lajthitje organin kompetent të gjendjes civile në Pejë, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë, me çka ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtet. I akuzuari Haxhi Istrefaj, në cilësi të personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke marr 2000,00 euro për të lëshuar një certifikatë të lindjes së falsifikuar, me çka ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit dhe veprën penale dhe shpërdorim i  detyrës zyrtare apo autorizimit. Të akuzuarit Lavdim Zhubaj dhe Pleurat Gashi në muajin korrik 2010 i kanë dhënë 700,00 euro të akuzuarit Haxhi Istrefaj për t’iu siguruar 21 certifikata blanko, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale dhënie e ryshfetit. I akuzuari Muhamet Gashi në muajin korrik 2010, në cilësi të personit zyrtar në KK Klinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke lënë në përdorim për falsifikim certifikatat me të cilat ka qenë i ngarkuar Qendra Komunale e Regjistrimit Civil në Klinë, me çka ka kryer veprën penale shpërdorim i  detyrës zyrtare apo autorizimit. E akuzuara Luljeta Cena më 23 shtator 2010, në cilësi të personit zyrtar në cilësi të personit zyrtar në KK Pejë, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar regjistrin civil, me çka ka kryer veprën penale shpërdorim i  detyrës zyrtare apo autorizimit. E akuzuara Teuta Blakaj më 24 shtator 2010 në cilësi të personit zyrtar në cilësi të personit zyrtar në KK Pejë, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar regjistrin civil, me çka ka kryer veprën penale shpërdorim i  detyrës zyrtare apo autorizimit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë