Mbahet seanca e fundit gjyqësore ndaj zyrtarëve të Komunës së Kaçanikut për falsifikim të dokumenteve zyrtare

Raporton : Verona KADRIU

Ferizaj –  Të martën është përmbyllur procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Kaçanikut, Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi të akuzuar për veprën penale në bashkëkryerje “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”. Në këtë proces gjyqësor ka mbetur të shpallet aktgjykimi më 21 shtator 2016 në ora 11:30.

Në seancën e së martës, palët paraqiten fjalët përfundimtare para trupit gjykues.

Prokurori Rasim Maloku ndër të tjera deklaroi se pas administrimit të të gjitha provave si dhe dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë lidhur  me procesin e tenderimit për përzgjedhjen e operatorëve ekonomik për rehabilitimin dhe gjelbërimin e rrugës “Ismajl Raka” në Kaçanik. Ai tha se është vërtetuar se veprimet e tani të akuzuarve përbëjnë elementet e veprës penale për të cilën akuzohen, ku të njëjtit si anëtarë të komisionit për vlerësim të ofertave i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit operatorin ekonomik “ATC-Com”, i cili nuk ka qenë më i favorshëm sipas kritereve të caktuara. Sipas Prokurorit, bazuar në ekspertizën e ekspertit të prokurimit Agim Sheqiri, është konstatuar se kanë munguar referencat për kryerjen e punëve të ngjashme, dhe po ashtu është vërtetuar se gjatë vlerësimit ka pasur shkelje të shumta nga ana e anëtarëve të komisionit.

“Vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar nuk kushtëzon me pasojat që do t’i shkaktonte ky dokument, por vetë fakti se janë paraqitur të dhëna të pavërteta dhe nënshkrimi i tij nga përpiluesit e dokumentit përmbush elementet e kësaj vepre”, tha prokurori.

Në fund prokurori kërkoi nga trupi gjykues të kryesuar nga Musa Konxheli, që të akuzuarit t’i shpall fajtor dhe t’u shqiptoj sanksion penal të paraparë me ligj.

I pandehuri Fatos Koxha, i cili gjatë gjithë procedurës së zhvilluar ndaj tij dhe bashkë të akuzuarve të tij, është mbrojtur vet, në fjalën përfundimtare deklaroi se është plotësisht i pafajshëm dhe kërkoi nga trupi gjykues t’a  shpallë të pafajshëm dhe t’a lirojnë nga akuza. Ai shtoi se të gjitha veprimet e tij të kryera si anëtarë i komisionit në fjalë, i ka kryer me përgjegjësi të plotë dhe asnjëherë nuk ka pasur pretendim t’a favorizojë ndokënd për të qenë fitues i tenderit.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, kërkuan nga trupi gjykues që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen nga akuza në mungesë të provave.  Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Vedat Dema, avokatit Isuf Hakiu detyrë e anëtarëve të komisionit sipas Ligjit për Prokurim Publik është vetëm rekomandimi i operatorit më të përgjegjshëm si fitues i tenderit Zyrës së Prokurimit, përkatësisht menaxherit të kësaj zyre, por jo vendosja se kush do të jetë fitues i tenderit. Në këtë rast ai tha se e gjithë përgjegjësia i takon shefit të prokurimit dhe jo anëtarëve të komisionit.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Betim Shala, i cili në këtë  çështje penale është mbrojtur në heshtje, avokati Daut Rudi deklaroi se pikë së pari themelimi i këtij komisioni është bërë në kundërshtim me ligjin, duke e mbështetur këtë në atë se i mbrojturit tij është caktuar si anëtarë i komisionit vetëm shtatë (7) ditë pas fillimit të punës dhe as nuk ka qenë më parë i informuar se do të jetë anëtarë i këtij komisioni, dhe sigurisht tha se nuk ka pasur njohuri në fushën e prokurimit. Rudi po ashtu theksoi se Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka përcaktuar se veprën penale të ” falsifikimit të dokumenteve zyrtare” mund t’a kryejnë vetëm personat zyrtar ose personat përgjegjës, ndërkaq sipas tij tani të akuzuarit si anëtarë të komisionit nuk e kanë këtë cilësi, e që i bie se e gjithë përgjegjësia bie mbi zyrtarin kryesor të Zyrës së Prokurimit.  Ai në fund deklaroi se Prokuroria me asnjë provë nuk ka dëshmuar fajësinë por edhe përgjegjësinë e të pandehurve, andaj i propozoi trupit gjykues që të njëjtit të shpallen të pafajshëm dhe ndaj tyre të merret aktgjykim lirues.

Me fjalën përfundimtare të palëve u përmbyll kjo çështje penale, ndërsa kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 21 shtator 2016 në ora 11:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë