Mbahet seanca dëgjimore e viktimave në cilësinë e dëshmitarëve në rastin e 17 të arrestuarve për kontrabandim me migrantë

Raporton: Ramiz DURMISHI

Prishtinë-Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca dëgjimore, ku janë intervistuar pesë të dëmtuar në cilësinë e dëshmitarëve, në rastin kundër 17 të arrestuarve për kontrabandim me migrantë.

Paraprakisht rasti ishte transferuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për arsye se bashkëshortja e njërit nga të arrestuarit punon në këtë gjykatë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 1 gusht të këtij viti, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarve F.S., L.S., A.S., B.A., E.A., L.U., Sh.M., U.E., B.G., F.G., A.K., B.B., E.B., F.I., A.I., L.Z., dhe A.A., të arrestuar lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrantë dhe armëmbajtje pa leje u kishte caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë.

Sipas kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, të pandehurit në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, merren me kontrabandim të migrantë.

“Që nga muaji mars 2022 e deri më datë 30.07.2022 duke bashkëpunuar në mes vete e sidomos me shtetas të huaj, dhe të udhëhequr nga kryesori prej tyre M.F.A., nga Bahreini, nga territori i Republikës së Shqipërisë ilegalisht kanë futur në territorin e Republikës së Kosovës mbi 700 shtetas të huaj-migrantë, ku në fshatin Shkozë – Komuna e Prizrenit, janë pritur nga të pandehurit F.S., L.S., dhe A.S., si dhe B.A., dhe E.A., të cilët fillimisht i kanë strehuar në shtëpitë e tyre, iu kanë siguruar ushqim dhe fjetje e pastaj këta përmes telefonit kontaktojnë me të pandehurit L.U., Sh.M., U.E., A.K., dhe B.G., dhe F.G., të cilët me autobusë apo vetura personale i marrin migrantët, i transportojnë afër Stacionit të autobusëve në Prizren, i zbresin nga veturat, në këmbë i dërgojnë në Stacion, e pastaj të pandehurit L.U., dhe U.E., me autobusët e kompanive të tyre “B.R.” dhe “M.T” i  transportojnë në Stacionin e autobusëve në Prishtinë”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Tutje thuhet se aty të pandehurit B.B., dhe E.B., përmes linjës së rregullt të transportit të udhëtarëve të agjencisë “B.T” si dhe i pandehuri L.Z., përmes kompanisë “L.T.”, emigrantët i transportonte qoftë në hyrje të Mitrovicës apo në Stacionin e autobusëve në Mitrovicë, ku aty janë pritur nga të pandehurit F.I., dhe A.I., të cilët përmes auto-taksistëve bënin organizimin e transportit deri në kufirin Kosovë-Serbi, tek vendkalimi kufitar në Jarinje, dhe aty përmes hekurudhës duke ecur në këmbë sërish ilegalisht i fusin në territorin e Serbisë, me ç’rast përfitojnë kundërligjshëm rreth 14 mijë euro.

Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Lidhur me rastin nga të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim: katër (4) armë zjarri, një (1) elektroshok, nëntëdhjetë e pesë  (95) copë fishekë, tre (3) autobusë, tri (3) vetura, dy (2) radiolidhje, shtatëmbëdhjetë (17) telefona celular, njëmijë e shtatëqind e shtatë (1707 ) euro dhe dyqind e pesëdhjetë (250)  dinar- RSD. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë