Mbahet fjala përfundimtare në gjykimin kundër menaxherit të prokurimit të QKUK-së

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të pandehurit Gazmend Rushiti, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokuroria e çështjes Dulina Hamiti deklaroi se me administrimin e provave gjatë tërë gjykimit në mënyrë të padyshimtë dhe të plotë është vërtetuar se i akuzuari Rushiti ka kryer këtë vepër penale. Sipas Hamitit, Rushiti në cilësinë e menaxherit të prokurimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka lidhur kontratë në kundërshtim me dispozitat e nenit 61 të Ligjit për Prokurim Publik. Prandaj e njëjta tha se konsideron se në veprimet e të akuzuarit Rushiti qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale dhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta dënojë sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rushiti, avokati Hilmi Zhitija përveç që i ka dorëzuar gjykatës me shkrim fjalën përfundimtare, i njëjti deklaroi se ka pritur nga prokuroria e çështjes Hamiti të tregoj se me cilat prova është vërtetuar vepra penale me të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Zhitija gjatë dhënies së fjalës përfundimtare bëri të ditur se në raportin e dërguar nga policia në prokurori shkruan decidivisht se i mbrojturi i tij Rushiti ka vlerësuar të gjitha ofertat në tërësi sipas nenit 61 të LPP-së, dhe ku ka dorëzuar një shkresë standarde duke kërkuar nga ofertuesi të gjitha sqarimet lidhur me artikujt e ofruar. Në fund të dhënies së deklaratës ai shtoi se aktakuzën e konsideron si të mangët.

Rushiti deklaroi se e përkrah në tërësi fjalën përfundimtare të avokatit Zhitija, duke bërë të ditur se kjo kontratë tashmë ka përfunduar. I njëjti tha se tani sërish është bërë hapja e ofertave me operatorë tjerë ekonomik, ku këta të fundit kanë ardhur me çmime ende më të lira se sa shuma për të cilën ai akuzohet në këtë çështje. Në vazhdimësi Rushiti tha para trupit gjykues se tani nuk e din se çfarë veprime të ndërmarrë.

Gjykata caktoi seancën e radhës e 4 tetor, në ora 9:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë