LUSHTAKU DHE TË TJERËT DEKLAROHEN TË PAFAJSHËM NË RASTIN KEK 2

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Më shumë se katër orë ka zgjatur të mërkurën seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si rasti “KEK2”, në të cilin akuzohet Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në këtë rast janë 7 persona të akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ku përfshihen Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj. Ndryshe, këta shtatë persona akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëkryerje, Driton Pruthi për veprat penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Kryetari i trupit gjykues, Vladimir Mikula, tha se gjykata akoma nuk ka marrë një vendim deciziv lidhur me atë se kush konsiderohet si palë e dëmtuar në këtë rast. Aktakuza lidhur me këtë rast u konstatua si e lexuar dhe lidhur me të, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Megjithatë, elaborimi i pyetjes se a ndjehen fajtor ose jo nuk u kufizua me përgjigjen e thjeshtë “po” ose “jo”.

I akuzuari Hysni Hoxha në fillim hezitoi të deklarohet dhe tha se në shenjë revolte mohon të përgjigjet duke iu referuar faktit se hetimet e rastit kishin tejkaluar afatin e lejuar ligjor, gjë që do duhej, sipas tij, të pamundësonte procedimin e më tejshëm të procedurës. Megjithatë, ai u deklarua i pafajshëm se fundmi.

Duraku nga ana tjetër tha se nuk kupton pjesën e aktakuzës ku thuhet se ai ka shtytur Kryetarin e Panelit që të merr vendim në favor të tij. Një konfuzion i tillë derivon nga fakti se paneli ka qenë i përbërë prej tre personave dhe për t’u marr një vendim do të duhej të votonin njejtë së paku dy prej tyre. Trupi Gjykues ia përkujtoi të akuzuarit se këto paqartësi do të ketë mundësi t’i elaborojë më tej.

“Goxha shpesh jam endur nëpër salla të gjykimit, e kuptoj aktakuzën por nuk e kuptoj pse jam unë këtu? A kanë aktakuzat bazë përmbajtësore apo bazohen vetëm në emra? Siç duket emri im është goxha interesant”,  tha Sami Lushtaku dhe u deklarua i pafajshëm.

Përgjatë seancës së sotme u dha dhe fjala hyrëse e palëve. Kështu Prokurori Special Paul Flynn në fjalën e tij hyrëse kishte shkruar se provat që do të prezantohen përgjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëshmojnë se kompania e Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut “Security Code & WDG” kishte fituar një kontratë lukrative me një vlerë prej 6.182.609,76 euro.

“Përgjatë rjedhës së shqyrtimit gjyqësor do të paraqesim prova që do të dëshmojnë se fitimi i këtij tenderi ka qenë i kundërshtuar prej një ofertuesi tjetër “Besa Security” e cila ka pretenduar se kanë ndodhur parregullsi përgjatë procesit të prokurimit. Prokuroria do të dëshmojë se ky përgjatë këtij procesi vërtetë ka pasur një numër të madh të shkeljeve dhe parregullsive ligjore rezultuar nga veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të KEK-ut, OSHP-së si dhe “Security Code””, shkruan në këtë fjalë hyrëse.

Prokuroria përmes skicave kishte shpjeguar procedurën drejt fitimit të një tenderi, meqë sipas saj procesi në fjalë që kishte zgjatur 10 muaj ka qenë jotransparent si dhe i manipuluar në mënyrë që atë ta fitojë kompania e Tahirit dhe Lushtakut nëpërmjet të prezantimit të dokumenteve të rremë dhe veprimet e palejuara dhe joligjore të zyrtarëve të KEK-ut dhe Prokurimit.

“Provat zbulojnë se përgjatë këtyre 10 muajve – tenderi ishte publikuar, ofertat ishin vlerësuar, tenderi ishte anuluar, ankesat ishin parashtruar, OSHP-ja kishte urdhëruar rivlerësim të tenderit, ishte shpallur fituesi, ankesa ishin parashtruar përsëri, KEK kishte urdhëruar nënshkrimin e kontratave prej personave të paautorizuar- proces ky që ka ndodhur me qëllim që  “Security Code & WDG” të fitojë ”- ka shprehur Flynn në fjalën hyrëse.

Mentor Neziri, avokat i Tahirit tha se kjo vlerë 6 milionëshe as nuk është e përafërt me vlerën fituese të tenderit. Për më tepër lidhur me hartimin e 7 dokumenteve të rremë në bazë të të cilave sipas Prokurorisë janë mashtruar personat përkatës, avokati ceku se këta persona në deklaratat të dhëna në polici dhe Prokurori s’e kanë konsideruar veten të mashtruar e për më tepër deklaratat e tilla nuk kanë qenë pjesë e tenderit, andaj nuk kanë ndikuar në proces.

Artan Qerkini, avokat i Milazim Lushtakut kontestoi veprat inkriminuese të klientit të tij meqë i njëjti nuk mund të akuzohet edhe për mashtrim edhe për falsifikim përderisa falsifikimi sipas prokurorisë është përdor si mjet për të mashtruar. Sipas tij, mashtrimi konsiston në prezantimin e diçkaje që nuk ekziston, ndërsa mungesa e dokumenteve të dorëzuara nuk konstituon mashtrim.

“Nuk ka prova se i Milazim Lushtaku ka dorëzuar materiale të rrejshme për ta fituar tenderin.. Për më tepër, “Security Code” nuk është favorizuar nga KEK-u, përkundrazi konsorciumi është dashur që të dorëzojë dokumente shtesë që nuk ishin paraparë me procedurën e tenderit”, tha Qerkini.

Bajram Tmava, mbrojtës i Driton Pruthit tha se klienti i tij ka qenë i obliguar nga vendimi i OSHP-së për mënyrën se si është dashur të veprojë, andaj është absurde që klientit të tij i vihet në barrë fakti që ai nuk ka ushtruar ankesë ndaj OSHP-së.

Seanca përfundoi me fjalën hyrëse të avokatit Bibaj mbrojtës i Hysni Hoxhës i cili tha se pafajësia e klientit të tij do të dëshmohet nëpërmjet provave të propozuara dhe për më tepër Hoxha që nga 15 janari i këtij viti ka dhënë dorëheqje permanente nga OSHP-ja. Vazhdimi i fjalës hyrëse të avokatëve do të bëhet ditën e nesërme.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë