Luftimi i Korrupsionit si kriter për Liberalizimin e Vizave

Gezim Shala
Author

Shkruan: Gzim Shala

Shkurt 2, 2017

Dy nga kriteret kryesore për Liberalizimin e Vizave për Kosovarët mbeten ende luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Përderisa kriteri i dytë ka karakter tërësisht politik, kriteri që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit do jetë pjesë e trajtimit të këtij shkrimi, dhe ndikimin e tij në luftën reale të Kosovës kundër korrupsionit, këtij kanceri të shoqërisë, siç e quajti ish-Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry në Forumin Botërorë të Ekonomisë në Zvicër.

Shkenca ka shkruar shumë për mënyrat e luftimit të korrupsionit. Por, ndonëse autorët dhe praktikat dallojnë ndërmes vete, ato kanë një të përbashkët: kjo luftë duhet të jetë përmbajtësore dhe afatgjate.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit në Kosovë sipas Amnesty International është 2.9, dhe klasifikohet si nivel i korrupsionit “të shfrenuar”. Për secilin lexues Kosovarë, ky fakt nuk duket diçka interesante.

Sa i përket jetëgjatësisë që përmendem më lartë, lufta kundër korrupsionit në Kosovë në aspektin e miratimit të legjislacionit dhe luftës deklarative nuk ka munguar asnjëherë. Por ky fakt, nuk ka qenë i lidhur me atë që kjo luftë duhet të jetë e një natyre përmbajtësore. Këtë e dëshmon fakti se Kosova ka avancuar dhe pothuajse është barazuar me shtetet Evropiane në fushën e legjislacionit që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit. Por, zbatimin në praktikë të këtij legjislacioni nuk e shohim ende. Raporti i Progresit të Komisionit Evropian çdo vit pothuajse potencon mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit.

Por, përse ne kemi avancuar në legjislacion dhe jo në zbatim sa i përket fushës së luftimit të korrupsionit? Arsyeja për këtë ka qenë se ne, luftimin e korrupsionit nuk e kemi bërë nëpërmjet prizmit të mekanizmave të drejtë për luftimin e korrupsionit, por nga prizmi i presioneve të ndryshme nga vende apo Organizata Ndërkombëtare, përkatësisht nga Bashkimi Evropian.

Vënia e luftimit të korrupsionit si kriter për liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian më shumë po e pengon, se sa që po e ndihmon këtë luftë. Këtë e dëshmon fakti se në kësi lloj rastesh, politika kosovare duke u munduar që të arsyetohet para bashkësisë ndërkombëtare, po ndërmerr masa “sa për sy e faqe” në fushën e luftimit të korrupsionit, por jo masa konkrete, të cilat vërtet do ta luftonit këtë dukuri të tmerrshme, që ka depërtuar në secilën pore të shoqërisë kosovare.

Plotësimi i kriterit për liberalizim të vizave përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit brenda afateve të shkurta kohore, në praktikë po dëshmohet si kundër produktive. Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit përmes hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit po përkthehet me shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut. Praktika e deri tanishme po dëshmon se ka shumë raste të iniciuara të hetimeve ndaj një numri të madh të qytetarëve të Kosovës për vepra penale korruptive që kalon me mijëra. Por, këto hetime në shumicën e rasteve mbyllen në prokurori, ndërsa ato pak raste që shkojnë në gjykatë, në numër shumë të kufizuar përfundojnë me dënime me burg.

Këtë e  dëshmojnë edhe statistikat e monitorimit sistematik të Institutit të Kosovës për Drejtësi në të gjitha Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës. Vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2016, në 71.13 % të rasteve të korrupsionit, prokurorët i kanë mbyllur rastet, dhe vetëm në 28.87 % të këtyre rasteve ata kanë ngritur aktakuzë. Arritja e rezultateve konkrete me çdo kusht në praktikë po përcjellët me jo profesionalizëm dhe jo seriozitet në ndjekjen e rasteve të korrupsionit, përkatësisht luftimit të tij, apo thënë më troç në persekutimin e qytetarëve.

Por, cila mund të jetë arsyeja se pse këto raste përfunduan në këtë mënyrë. Arsyeja është se në rastet kur politika kosovare ka pasur nevojë që para bashkësisë ndërkombëtare të dalë si një vend i cili lufton korrupsionin, preokupim kryesor i saj ka qenë fryrja e numrit të rasteve të korrupsionit, siç njihet në shkencën e kriminologjisë “Numri i fryrë”, për t’i thënë botës se gjoja ne po e luftojmë korrupsionin. Pas arritjes së këtij qëllimi, rastet kanë përfunduar siç e cekëm më lartë.

Kjo në vete përmban dy të këqija të mëdha. E keqja e parë është se rritet ndikimi politikë në sistemit e drejtësisë dhe pamundësohet që sistemi i drejtësisë ta kryejë punën në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Fatkeqësisht, sistemi gjyqësor dhe prokurorial nga një pushtet i ndarë më Kushtetutë dhe ligj e mandatuar për të luajtur rolin e kontrollit dhe balancit të pushteteve, i është nënshtruar plotësisht dy pushteteve tjera politike.

E keqja e dytë është se korrupsioni në Kosovë nuk luftohet në bazë të mekanizmave efektivë antikorrupsion, por “luftohet” mbi bazën e politikave ditore, dhe interesave që ka politika, përkatësisht Qeveria, në fushën e politikës së jashtme.

I tillë është edhe rasti i vendosjes së luftimit të korrupsionit si kriter për liberalizimin e vizave. Në këtë rast, politika aktuale duke tentuar që të fitojë poena politikë, duke u mundësuar kosovarëve lëvizjen pa viza në zonën Shengen, përdorë mjete që fare nuk kanë të bëjnë më luftimin real të korrupsionit, vetëm për tu arsyetuar para Bashkimit Evropian se gjoja Kosova po e lufton korrupsionin.

Çka nëse në bazë të kësaj mënyre të luftimit të korrupsionit vie Liberalizimi i Vizave? Lëvizim të lirë, por korrupsioni mbetet.

Këtu nuk po themi se nuk duhet të ketë kushtëzime nga shtetet e jashtme që të luftohet korrupsioni në Kosovë. Por, ky kushtëzim të jetë i binarizuar në luftimin e korrupsionit në thelbin e saj, dhe jo në aksione të ndryshme kozmetike.

Po ashtu, si kusht do të mund të vendosej për një periudhë më të gjatë, dhe jo një për një periudhë 1 apo 2 vjecare, siq është rasti i liberalizimit të vizave. Në këtë rast, është e logjikshme që luftimi i korrupsionit të vendoset si kriter për integrimin evropian përmes procesit të Marrëveshjes për Stabilizim Associm, pasi ky proces zgjatë më shumë. Por prapë se prapë, kushtëzimi të jetë për politika përmbajtësore, dhe jo për rritje numrash të rasteve të korrupsionit, si pretekst për luftimin e këtij të fundit.

Si përfundim, nëse me të vërtetë ka vullnet për luftimin e korrupsionit në Kosovë, kjo duhet të bëhet në bazë të mekanizmave të drejtë ligjorë dhe praktikave të vendeve të ndryshme që kanë pasur në këtë drejtim, e jo që kjo fushë të dominohet, duke u bazuar në politika të jashtme ditore. Institucionet shtetërore në asnjë rrethanë nuk duhet që në emër të luftimit të korrupsionit, të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që në praktikë tanimë kjo është shndërruar në standard të jetës. Po ashtu, nga kjo politikë mos të ndikohet sistemi i drejtësisë, por ky sistem të lihet i pavarur në luftimin e kësaj dukurie kancerogjene të shoqërisë, sikurse sistemi gjyqësor dhe prokurorial të gjejnë forcën, guximin dhe kurajon për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë dhe mos të i nënshtrohen pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

 

(Gzim Shala është monitorues/hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi)