Lufta ndaj koronavirusit, dezinfektohet objekti i gjykatës në Podujevë, Komuna ndanë 10 mijë euro për ndihmë të familjeve në nevojë

Podujeva, pamje 5
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Mars 25, 2020

Podujevë – Në javën e dytë që Gjykatat e Kosovës kanë reduktuar aktivitetet e tyre, si masë mbrojtëse nga pandemia globale Covid-19, është arritur të dezinfektohet objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë.

Këtë e ka bërë të ditur mbikëqyrësi i kësaj gjykate, gjykatësi Gazmend Bahtiri, i cili tha se objekti në fjalë është dezinfektuar të martën.

Bahitri gjithashtu ka shtuar se edhe më tej nuk është paraqitur ndonjë rast i natyre urgjente.

Ndërkaq për ta përballuar më mirë gjendjen e krijuar nga pandemia globale, Komuna e Podujevës, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se ka ndarë 10 mijë euro për të ndihmuar familjet në nevojë.

Sipas njoftimit, mjetet e ndara nga Komuna, me vendimin e nënkryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, do të përdoren për të siguruar pako ushqimore dhe higjenike, duke ndihmuar kështu kategoritë më të rrezikuara pas gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit.

“Shpërndarja e pakove ushqimore, të dhuruara nga donatorët “Viva Fresh” dhe “Buçaj”, është bërë përmes Kryqit të Kuq në Podujevë. Krahas ndihmave të sotme, javën që shkoi janë shpërndarë edhe 300 pako ushqimore nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë dhe 3.500 kg miell nga donatori Fatmir Ejupi”, vazhdon njoftimi i Komunës.

Gjithashtu, Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, ka njoftuar se për 24 orët e fundit nuk është lajmëruar asnjë rast i dyshuar nga pandemia.

“24 orët e fundit në QKMF nuk është paraqitur asnjë rast i dyshuar me simptoma të COVID-19. Drejtori i drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, tha se vazhdimisht është duke u kryer dezinfektimi i objekteve shëndetësore dhe objekteve të tjera publike. Ai tha se shqetësuese është mungesa e mjeteve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë në Podujevë, për faktin se po mungon përkrahja e duhur nga Qeveria dhe institucionet qendrore të shëndetësisë”, thuhet në njoftim zyrtar.

Komisioni në fjalë ka kërkuar nga qytetarët e Podujevës që të qëndrojnë në shtëpi.

“Apeloi te qytetarët që të shmangin lëvizjet, të përfillin distancën sociale dhe të rrinë në shtëpi, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të familjarëve. Për çdo shqetësim apo problem shëndetësor qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Emergjencës të QKMF në Podujevë në të numër telefoni 038 571 912”, përfundon njoftimi. /BetimipërDrejtësi