LIROHET ZYRTARI ZORAN RAKIÇ PËR MOSDEKLARIM TË PASURISË

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë  – Zoran Rakiç, i akuzuar për mos raportim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është liruar të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Para shpalljes së aktgjykimit, palët në procedurë kanë dhënë fjalët përfundimtare. Prokurorja Lumezi tha se në bazë të provave si dhe shqyrtimeve paraprake, është vërtetuar se i akuzuari Rakiç, nuk e ka deklaruar pasurinë në afatin kohor të paraparë me ligj edhe pse ka qenë i informuar dhe për këtë arsye, i ka propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënon sipas ligjit.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Rakiç, avokati Zharko Gajiç tha se klienti i tij gjatë kohës kur është dashur të bëhet deklarimi i pasurisë, përveç që nuk ka qenë i informuar, ka pasur edhe probleme familjare dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk ka mundur ta kryej këtë obligim ligjor me kohë, por me 14 ditë vonesë. “Lus gjykatën që të ketë parasysh faktin se, gjatë kohës kur është dashur t’a bëjë deklarimin e pasurisë, klientit tim i ka vdekur babai dhe pas një muaji edhe motra, prandaj ska qenë i pranishëm në vendin e tij të punës gjatë kësaj kohe”, shtoi avokati Gajiç.

Tutje, trupi gjykues janë tërhequr për të vendosur dhe pas 15 minutave është shpallur aktgjykimi lirues për Zoran Rakiçin nga kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi,.

Zoran Rakiç ishte akuzuar me arsyetimin se në cilësinë të anëtarit të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, gjatë vitit 2015 nuk e kishte bërë raportimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupcionit.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë