Prizren – Zyrtari policor, Driton Krasniqi, të premten, është shpallur i pafajshëm, nga Gjykata Themelore në Prizren, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Besim Muqaj dhe Burak Qilinger janë shpallur fajtor.
Kryetarja e trupi gjykues, Raime Elezi, ka shpallur aktgjykimin me të cilin e ka shpallur të pafajshëm Driton Krasniqin, ndërsa të akuzuarin, Besim Muqaj, e ka dënuar me burgim efektiv prej 3 muajsh, të cilin dënim me kërkesë të tij, trupi gjykues, duke u bazuar në Kodin Penal të Kosovës, ia ka shndërruar në dënim me të holla, në vlerë prej 2000 Euro, poashtu të akuzuarin Burak Qilinger e ka dënuar me burgim prej 2 vitesh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti në periudhën e verifikimit prej 3 vitesh, nuk kryen vepër të re penale.
Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila ngarkonte të akuzuarin Driton Krasniqi se më 9 maj 2015, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si polic në njësinë patrulluese, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, inskenon një aksident komunikacioni, për automjetin e aksidentuar më herët, me qëllim që i pandehuri Besim Muqaj, të përfitojë 15 mijë euro nga kompania e sigurimit “Siguria”. I akuzuari Besim Muqaj më 9 maj 2015, inskenon aksident komunikacioni, pastaj lajmëron policinë se gjoja ka pësuar aksident me automjetin Golf 4, të cilin e drejtonte i akuzuari Burak Qilingeri, me qëllim të përfitimit të kompensimit nga kompania e sigurimit. I akuzuari Burak Qilingeri më 9 maj 2015, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, pajtohet që me automjetin e tij të inskenohet aksidenti, duke dhënë deklaratë me shkrim në polici, se kinse aksidentin e kishte shkaktuar ai.