Lirohet nga akuza polici i akuzuar për deklarim te rremë nën betim

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj policit Abdullah Zeqiri, i akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale ‘’Deklarim i rremë nën betim’’.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall të hënën nga gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, raporton “Betimin për Drejtësi”.

Gjykatësi Sadikaj deklaroi se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale siç e ka ngarkuar kjo aktakuzë dhe në mungesë të provave i njëjti është liruar nga dënimi.

Ndryshe, i akuzuari Zeqiri në seancat paraprake kishte deklaruar se nuk e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën po akuzohet.

“Betohem që kurrë në jetë nuk kam deklaruar rrejshëm, ndihem shumë keq edhe vetëm kur dëgjoj se po akuzohem për deklarim të rremë”, kishte thënë i akuzuari.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Abdullah Zeqiri, më 8 tetor 2014, në seancën e shqyrtimit gjyqësor në procedurën penale të mbajtur në sallën e kinemasë “ABC”, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që ka dhënë betimin solemnisht para kryetarit- trupit gjykues dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për detyrimin e tij për të treguar të vërtetën, duke iu përgjigjur pyetjeve që lidheshin me transportimin e dhjetë personave të ndaluar nga qendra e ndalimit, ka deklaruar “unë madje nuk e kam ditur se kë po e shoqëronim…Unë vetëm e di se rreziku nuk ishte i lartë…Ne vet duhet të siguronim transportin dhe nuk kishin asnjë ide se ku po transportonim. Unë vetëm e pata një thirrje telefonike nga eprori… Kur e vlerësova atë gjatë shoqërimit, unë konsiderova se rreziku është mesatar…Nuk ishte një rast i ndjeshëm. Ishte një rast normal…”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka ndryshuar me dijeni deklaratën e tij duke fshehur pjesë nga dëshmia e tij e dhënë në cilësi  të dëshmitarëve, ashtu që duke iu shmangur deklaratës së tij të dhënë më 22 mars 2013, gjatë marrjes në pyetje në procedurën paraprake, para prokurorit të EULEX-it, ka deklaruar “…Ne jemi të vetëdijshëm me situatën që kemi në këtë vend dhe ne donim ta parandalonim diçka të keqe që mund të ndodhte,… sidomos kur kemi të bëjmë me anëtarët e etnitetit tjetër, ne na kërkojnë të jemi shumë vigjilentë…unë i udhëzova ata që kanë për t’i transportuar ata nga qendra e paraburgimit për në gjykatën për Kundërvajtje dhe unë i udhëzova ata që të jenë vigjilentë se asgjë e keqe nuk duhet të ndodh me ta…”.

I akuzuari po ashtu thuhet se kishte deklaruar se “Unë e emërova kreun e grupit dhe secili i di detyrat e tij… ata u quan në gjykatë… gjatë vizitës sime atje, unë nuk kam vërejtur asgjë të gabuar…mbaj mend që ai më tha se ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm  pasi ne kemi të bëjmë me transportimin e disa të burgosurve…ai më kërkoi për ta kryer këtë transportim siç duhet, ai tha me telefon dhe po ashtu erdhi për të më takuar mua personalisht. Ai është njeri që gjithmonë përpiqet të jetë konciz…”, me çka ka fshehur dhe shmangur çështjen relevante për procedurën penale që po zhvillohej.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë nën betim” nga neni 391, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personi e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë