Lirohet nga akuza për korrupsion ish-drejtori i Muzeut të Kosovës

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj është liruar nga akuza për korrupsion.

Boshtrakaj akuzohej se nuk ka respektuar procedurat e prokurimit publik në tre tenderë për furnizim, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vlerë prej 269 mijë e 444 euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Murseli deklaroi se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale që i vihej barrë.

Ndryshe, më 8 dhjetor 2021 ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje, por kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli e kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor.

Ndërsa, më 7 qershor 2022, eksperti financiar, Vehbi Imeri kishte deklaruar se sipas ekspertizës së tij nuk është dëmtuar buxheti MKRS-së.

Sipas aktakuzës së 2 shtatorit 2020, Skender Boshtrakaj në cilësinë e drejtorit të Muzeut të Kosovës, me dashje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “TIKI”, SH.P.K, e cila gjendet në Prishtinë.

Në aktakuzë, thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik në Kosovës, kishte anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit, ku me kompaninë e lartcekur kishte lidhur kontrata për furnizim në shumë prej 208 mijë e 894 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, Boshtrakaj, më 2 shkurt 2018, kishte nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 39 mijë e 706 euro dhe më 23 prill 2018, kishte nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 20 mijë e 840 euro, me vlerë totale prej 269 mijë e 444 euro.

Për këto veprime, i njëjti ngarkohej se buxhetit të të dëmtuarës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 269 mijë e 444 euro. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë