Lirohet nga akuza për korrupsion inspektori i Pylltarisë në Kaçanik

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj inspektorit të Pylltarisë në Kaçanik Feriz Deda, i cili akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Feriz Deda u shpall të premten nga gjykatësja Kadrije Goga-Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjyqtares së çështjes, Goga-Lubishtani, nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale siç e ka ngarkuar kjo aktakuzë.

Ajo tha se palët do të pranojnë aktgjykimin në formën e shkruar ku kundër këtij aktgjykimi mund të bëhet ankesë në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të kësaj gjykate.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Ferizajt, Feriz Deda akuzohej se më 23 prill 2020, në Kaçanik, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Pylltarisë në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për personin tjetër, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, kishte tejkaluar kompetencat dhe me dashje e kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin.

Aktakuza thotë që në ditën kritike, i kishte mundësuar personit Jeton Bruti që të tërheq kamionin dhe drunjtë e ngarkuara në të, të cilat iu kishin sekuestruar paraprakisht nga policia, duke urdhëruar rojën e autoparkut, Remzi Demën, që të njëjtit t’ia lirojë kamionin së bashku me drunjtë, pa i ofruar kurrfarë dokumentacioni dhe pa kurrfarë baze ligjore për lirimin e të njëjtave.

Për këtë, ai po akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafin 3.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë