Ferizaj – Ahmet Shehu i akuzuar për përvetësim gjatë detyrës në cilësinë e arkëtarit në Bankën për Biznes (BpB), të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj u lirua nga akuza. Gjithashtu ndaj të bashkëakuzuarit të Shehut, të pandehurit Milaim Bytyqit u morr aktgjykim refuzues pasi që prokurori Shukri Jashari hoqi dorë nga ndjekja penale për këtë të fundit.
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit Ahmet Shehu i cili është liruar nga akuza me që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” nga neni 340 paragrafi 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa në bazë të nenit 363 paragrafi 1 të KPPRK-së, është refuzuar akuza ndaj të pandehurit Milaim Bytyqi me që prokurori i shtetit Shukri Jashari është tërhequr nga dispozitivi I akuzës sa i përket këtij të fundit për veprën penale “Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” nga neni 340 paragrafi 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Kurse i dëmtuari në këtë çështje, Haki Mazreku për kompensimin e dëmit të shkaktuar u udhëzua në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj Ahmet Shehu dhe Milaim Bytyqi akuzohen se në bashkëryerje gjatë periudhës 2003-2004, në Han të Elezit, i pandehuri i parë në cilësinë e arkëtarit në BpB, në Han të Elezi, si dhe i pandehuri i dytë Milaim Bytyqi në cilësinë e personit përgjegjës në agjencionin “Iliria Shped” në Han të Elezit,me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përvetësuar paratë e besuara në bazë të detyrës zyrtare të tyre, dhe atë Ahmet Shehu me rastin e deponimit të parave nga ana e të dëmtuarit Haki Mazreku për pagesën e DUD-ve, të njejtat pagesa nuk i ka evidentuar për shlyerjen e detyrimeve doganore për importimin e mallit, kurse i pandehuri Milaim Bytyqi ka bërë tërheqjen e parave me qëllim të pagesës së DUD-ve, por këto para nuk i kanë shfrytëzuar për atë qëllim, por pagesa është bërë nga kredia suazore e të dëmtuarit,me ç’rast i kishin shkaktuar dëm të dëmtuarit në vlerë prej 74,089.73 euro.